Mos qaj nëse mundesh!? Porositë e fundit nga i Dërguari i fundit s.a.v.s.

0
296

Porositë e fundit nga i Dërguari i fundit s.a.v.s.
Para se të vdiste, Profeti, paqja qoftë mbi të, ishte në haxhin lamtumirës, ndërsa pastaj zbritën fjalët e Zotit të Plotfuqishëm: ”Sot e përfundova fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin si fe.”
Ebu Bekri, kur e dëgjoi këtë ajet, filloi të qante, ndërsa sahabët e pyetën se çfarë po e bënte që të qante, pasi që ky ajet ishte si të gjithë të tjerët që i ishin shpallur të Dërguarit s.a.v.s. Ebu Bekri u përgjigj se për këtë është i vetëdijshëm i Dërguari s.a.v.s.
Më vonë u kthye i Dërguari s.a.v.s, ndërsa nëntë ditë para se të vdiste i zbriti edhe ajeti i fundit, fjala e Allahut xh.sh: ”Dhe i frikësojuni një dite kur do të ktheheni te Perëndia e pastaj do të vdesë çdo gjë me atë që e ka fituar dhe atyre nuk u bëhet e padrejtë.”
Pastaj filluan t’i shfaqeshin dhimbjet të Dërguarit s.a.v.s, i cili kërkoi që t’i vizitonte dëshmorët e Uhudit.
Shkoi te dëshmorët e Uhudit dhe, derisa po qëndronte aty, tha: ”Paqja e Allahut qoftë mbi ju, o dëshmorët e Uhudit, ju na keni prirë (me shkuarjen tuaj ne boten tjeter) por me lejen e Allahut xh.sh edhe ne do t’ju arrijmë, e edhe unë me lejen e Allahut xh.sh. do t’ju arrij” .
E, derisa po kthehej nga varrezat, kishte filluar të qante, ndërsa sahabët e kishin pyetur se çfarë po e bënte të qante. I Dërguari s.a.v.s u ishte përgjigjur se ishte mallëngjyer për vëllezërit e tij, kurse sahabët, të çuditur, ia kishin kthyer: ”Po, a nuk jemi ne vëllezërit e tu, o i Dërguar i Allahut xh.sh?” I Dërguari i Allahut ishte përgjigjur: ”Ju jeni miqtë e mi, ndërsa vëllezërit e mi janë njerezit (popujt) që do të vijnë pas meje e do të më besojnë pa më parë.
Kështu u kthye i Dërguari s.a.v.s., ndërsa tri ditë para së të vdiste kishte filluar t’i shtohej dhimbja. Ai në këtë kohë po qëndronte në dhomën e znj. Mejmunah. Mblodhi gratë e tij dhe u kërkoi leje të qëndronte në dhomën e znj. Aishe për sa kohë që do të ishte i sëmurë. Pasi ju lejua të qëndronte, tentoi të ngrihej, por nuk mundi (Paqja qoftë mbi ty, o i Dërguar i Al). Në ato momente erdhën Aliu r.a. dhe Fadël ibn El-Abbasi, të cilët e bartën të Dërguarin e Allahut xh.sh. në dhomën e znj. Aishe, kurse sahabët për herë të parë po e shihnin në këtë gjendje dhe menjëherë filluan që me shqetësim të pyesnin se çfarë i kishte ndodhur të Dërguarit.
Menjëherë u mblodhën njerëzit në xhami nga frika për të Dërguarin s.a.v.s.
I Dërguari i Allahut xh.sh., paqja qoftë mbi të, kishte filluar që të djersitej tej mase sa që Aisha (Allahu qofte i kenaqur me te) thoshte se në jetën e saj kurrë nuk e kishte parë dikë të djersitej aq shumë dhe thoshte: E merrja dorën e të Dërguarit s.a.v.s dhe ia fshija ballin pasi që dora e tij ishte më e mirë se e imja, ndërsa e dëgjoja të Dërguarin s.a.v.s duke thënë: ”Nuk ka Zot tjetër pos Allahut xh.sh dhe me të vërtetë vdekja ka agoni…”
E kur u ngritën zërat në xhami nga frika për të Dërguarin s.a.v.s, i Dërguari s.a.v.s kishte pyetur ”Çka është kjo?”, ndërsa sahabët i ishin përgjigjur se kjo ishte nga frika për të.
I Dërguari s.a.v.s kërkoi që të ndihmohej të dilte në xhami, por kur provoi të ngrihej – nuk mundi, sahabët i hidhnin ujë që t’ia lehtësonin gjendjen e më pas e bartën për në xhami. Pasi u ngjit lart në minber, i Dërguari s.a.v.s filloi t’i fliste njerëzve…
Ishte ky fjalimi i fundit…Në fjalët e fundit i Dërguari s.a.v.s. tha: ”O ju njerëz, më duket se po frikësoheni për mua..?” Të pranishmit iu përgjigjën: ”Po, o i Dërguar i Allahut xh.sh.”.
E, i Dërguari i Allahut xh.sh, paqja qoftë mbi të, e vazhdoi fjalimin duke thënë:
”O njerëz, takimi ynë nuk është në këtë botë, por është tek Burimi (Elhawd), pasha Allahun më duket sikur po e shikoj nga këtu, o njerëz; pasha Allahun, nuk ua kam frikën nga varfëria, por ua kam frikën nga kjo botë se mos po filloni të garoni për të, siç garuan (te Krishteret dhe Ebrenjte), e do të shkatërroheni siç u shkatërruan”. Pastaj vazhdoi: “O ju njerëz, Allahun, Allahun kijeni frikë në namaz, Allahun kijeni frikë në namaz, në kuptimin e asaj që po ju betohem në Allahun që ta ruani namazin tuaj”, vazhdoi ta përsëriste këtë e pastaj tha:
“O ju njerëz, kijeni frikë Allahun xh.sh. në gratë tuaja, kijeni frikë Allahun xh.sh. në gratë tuaja, po ju porosis për gratë tuaja çdo të mirë”. Pastaj tha: “O njerëz, Allahu i dha mundësi robit të tij që të zgjedhë në mes të kësaj bote dhe asaj që është tek Allahu dhe e zgjodhi atë që është tek Allahu xh.sh.”
Nuk e kishte kuptuar askush atë që donte ta thoshte i Dërguari s.a.v.s. dhe se e kishte për qëllim veten e tij. Ebu Bekri, pasi që ishte i vetmi që e kishte kuptuar qëllimin e të Dërguarit s.a.v.s që dilte nga kjo thënie, filloi të qante, u ngrit në këmbë dhe e ndërpreu fjalimin e të Dërguarit, duke i thënë: “Për ty do të sakrifikojmë krejt çka kemi”. E përsëriti këtë disa herë, ndërsa njerëzit ishin të habitur nga kjo sjellje e Ebu Bekrit, sepse ai po e ndërpriste fjalimin e të Dërguarit s.a.v.s, i cili filloi ta mbronte duke thënë:
”O njerëz, lejojeni Ebu Bekrin, sepse nuk ka asnjë nga ju që na ka bërë mirë dhe nuk ia kemi shpërblyer, pos Ebu Bekrit, kështu që shpërblimin e tij e kemi lënë në dorë të Allahut xh.sh, të gjitha dyert që kanë dalje në xhami le të mbyllen pos derës së Ebu Bekrit, ajo nuk do të mbyllet kurrë”.
E, në fund, para se të zbriste nga minberi filloi të lutej për muslimanët, si lutja e fundit për ta para se të vdiste, duke thënë:
”Ju bekoftë Allahu, ju ruajt Allahu, ju ndihmoftë të fitoni, ju forcoftë Allahu, Allahu qoftë me ju”. Fjalët e fundit që i tha, fjala e fundit drejtuar Umetit të tij nga minberi ishin:
”O ju njerëz, dërgojini selam çdokujt që më pason deri në ditën e gjykimit.”
Sërish e bartën për ta kthyer në dhomë dhe pastaj hyri në dhomën e tij Abdurrahman ibn Ebu Beker, i cili në duar kishte misvak. I Dërguari s.a.v.s. nuk pushonte së vështruari misvakun, por nuk mund ta kërkonte nga dhimbjet e shumta që kishte. Aisha (Allahu qofte i kenaqur me te) e kuptoi dëshirën e të Dërguarit dhe e mori misvakun prej dorës së Abdurrahmanit dhe ia vuri në gojë të Dërguarit s.a.v.s, por nuk mundi ta përdorte. Pastaj Aisha (Allahu qofte i kenaqur me te) e vuri në gojën e saj dhe ia dha prapë të Dërguari s.a.v.s që ta përdorte sa ishte i butë. Aishja thoshte: “Gjëja e fundit që hyri në gojën e të Dërguarit s.a.v.s. ishte pështyma ime, falënderimi i takon vetëm Allahut xh.sh., i cili ma mundësoi që të bashkohet pështyma ime me atë të të Dërguarit s.a.v.s. para vdekjes së tij.” Pastaj Aishja (Allahu qofte i kenaqur me te) thotë se në dhomë hyri Fatimja, vajza e të Dërguarit s.a.v.s, e cila posa hyri filloi të qante, pasi që i Dërguari s.a.v.s nuk mundi të ngrihej në këmbë. I Dërguari s.a.v.s. e kishte bërë zakon që ta puthte në mes të vetullave sa herë që ajo vinte. Kur e pa kështu i Dërguari s.a.v.s i tha: ”Ulu poshtë tek unë, oj Fatime”. Ajo u ul, i Dërguari s.a.v.s i foli diç në vesh, ndërsa ajo filloi të qante edhe më shumë. Pastaj prapë i tha i Dërguari s.a.v.s.: ”Ulu poshtë tek unë, oj Fatime” dhe prapë i foli diç në vesh dhe fillojë të qeshte. Pas vdekjes së të Dërguarit s.a.v.s ishte pyetur se çfarë i kishte thënë i Dërguari s.a.v.s. Ajo tha: “Të parën herë më tregoi se do të vdiste atë natë dhe, kur unë fillova të qaja më shumë, më thirri prapë dhe më tha se unë do të isha e para që do të takohesha me të pas vdekjes së tij, ndaj për këtë kam qeshur”.Pas vetem gjashte muajve nderroi jete edhe Fatimja (Allahu qofte i kenaqur me te). Pas kësaj, siç thotë Aishja (Allahu qofte i kenaqur me te), i Dërguari s.a.v.s kishte kërkuar që të gjithë të dilnin nga dhoma dhe kishte kërkuar nga Aishja që të ulej poshtë pranë tij, e kishte vënë kokën në kraharorin e saj dhe sikur flinte, por Aishja tregon se i Dërguari s.a.v.s i ngrinte duar lart dhe thoshte:
”Shoqëruesin më të lartë, Shoqëruesin më të lartë”. Aishja thoshte se e kishte kuptuar që i Dërguari s.a.v.s. ishte duke zgjedhur që të shkonte tek Allahu xh.sh. Pastaj hyri Xhibrili a.s. tek i Dërguari s.a.v.s. dhe i tha se Meleku i vdekjes është tek dera dhe se po kërkonte leje për të hyrë e këtë nuk e ka bërë kurrë më parë (te mer leje nga ndokush), kurse i Dërguari s.a.v.s. i tha: ”Ia lejo të hyjë, o Xhibril”. Kur hyri Meleku i vdekjes i tha: Selam alejke, o i Dërguar i Allahut xh.sh., më ka dërguar Allahu xh.sh që të të pyes nëse dëshiron të shkosh tek Allahu xh.sh., apo të qëndrosh në këtë botë përgjithmonë?
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vetëm po përsëriste: ”Vetëm Shoqëruesin e lartë, vetëm Shoqëruesin e lartë”.
Meleku i vdekjes u ndal tek koka e të Dërguarit s.a.v.s dhe tha: O ti shpirt i mirë, shpirti i Muhamedit, djalit të Abdullahut, dil me kënaqësinë e Allahut xh.sh., se Allahu është i kënaqur dhe aspak i hidhëruar.
Ndërsa Aishja thotë: “Dora e të Dërguarit s.a.v.s. ra poshtë dhe se koka e tij u rëndua, kështu që e kuptova se kishte vdekur, por nuk dija se çka të bëja, pos që të dilja nga dhoma ime dhe, nga dera që e kishte daljen në xhaminë e burrave, dola dhe thashë: Vdiq i Dërguari i Allahut xh.sh., vdiq i Dërguari i Allahut xh.sh., pastaj xhamia menjëherë shpërtheu në vaj.”
Aliu r.a. nuk mundi të qëndronte në këmbë, Othmani r.a. si fëmijë, endej majtas-djathtas duke qarë, Omeri r.a. e kishte ngritur shpatën dhe thoshte: “I Dërguari nuk ka vdekur, ndaj kush thotë se ka vdekur do t’ia pres kokën me shpatë, i Dërguari s.a.v.s ka shkuar që ta takojë Zotin xh.sh., siç ka shkuar Musai a.s. dhe do të kthehet”. Më i qëndrueshmi nga njerëzit ishte Ebu Bekri, i cili hyri në dhomën e të Dërguarit s.a.v.s., e përqafoi dhe tha: Ah shoku im, ah i dashur, ah i dërguar.
E përqafoi dhe tha: “I bukur ishe sa ishe gjallë dhe i bukur je edhe tani kur je i vdekur”.
Pastaj doli te njerëzit dhe tha: “Kush ishte duke e adhuruar të Dërguarin s.a.v.s. ai ka vdekur, ndërsa kush ishte duke e adhuruar Allahun xh.sh., Ai është i gjallë dhe nuk vdes”.
Omerit r.a. i ra shpata nga dora pas këtyre fjalëve dhe tha (Omeri r.a.): “E kuptova se i Dërguari kishte vdekur, prandaj dola të gjeja një vend të vetmuar në te cilin do të qaja i vetmuar…”
Dhe u varros i Dërguari s.a.v.s.
E Fatimja thoshte: “E si mund të duroni dhe ta mbuloni fytyrën e të Dërguarit s.a.v.s. me dhe”. Pastaj u ndal dhe filloi të vajtonte duke thënë: “O babai im, Allahu na u përgjigj në lutje, o babai im, xheneti Firdeus do të jetë vendbanimi ynë, o babai im, me Xhibrilin a.s. do të shoqërohemi”.
Allahu xh.sh. na bëftë prej banorëve të xhenetit, na bëftë të mundur të jemi në shoqërim të të dërguarit tonë, të më të dashurit tonë, të dritës së syve tonë, të Pejgamberit tonë, paqja mëshira dhe kënaqësia e Allahut qofshin mbi të.

Shqipëroi nga arabishtja: Artan Musliu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here