Mirësia e agjërimit të gjashtë ditëve nga muaji Sheval

0
248

Transmetohet nga Ebu Ejjub, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“Kush e agjëron Ramazanin pastaj e pason agjërimin e tij me gjashtë ditë të Shevalit, llogaritet si të agjërojë tërë vitin.” Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi dhe Et-Tirmidhi.

Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është mustehab (i preferuar) dhe ky është mendimi i Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut. Po ashtu kjo transmetohet nga Ibën Abasi dhe Kab el-Ahbar, si dhe është mendimi i Tavusit, Shabiut, Mejmun bin Mehran dhe Ibën Mubarekut.

Ibën Kudame (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është i pëlqyeshëm te shumë prej dijetarëve.” “El-Mugnij”

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Dijetarët thonë se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është sikurse agjërimi i tërë kohës, sepse e mira shpërblehet me dhjetëfish. Kështu që Ramazani është i barabartë me dhjetë muaj, ndërsa gjashtë ditët janë të barabarta me dy muaj.”

 

Cila është mirësia e agjërimit të gjashtë ditëve nga muaji Sheval?

Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Agjërimi i gjashtë ditëve nga muaji Sheval pas mbarimit të muajit të Ramazanit konsiderohet si agjërimi i gjithë vitit”. Mexhmu fetaua ue rasail (20)

 

A është agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval i përgjithshëm për burrat dhe për gratë?

Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Është i përgjithshëm për burrat dhe për gratë.” Mexhmu fetaua ue rasail (20)

 

A arrihet shpërblimi i agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Sheval nga ana e atij që ka ditë të mbetura nga muaji i Ramazanit?

Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shpërblimi i agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Sheval nuk arrihet përveç se njeriu ta ketë plotësuar agjërimin e muajit të Ramazanit.” Mexhmu fetaua ue rasail (20)

Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Legjitime është që në fillim personi të fillojë me kompensimin (e agjërimit të mbetur). Detyrë për të është që të nxitojë në kryerjen e kompensimit edhe nëse agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit ikin (nuk i arrin dot t’i agjërojë), sepse obligimi është parësorë mbi nafilen (veprën vullnetare).” Mexhmu fetaua ue mekalat (15)

 

Si agjërohen gjashtë ditët e Shevalit?

Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Besimtari nëse dëshiron i agjëron në fillim të muajit, nëse dëshiron i agjëron në mesin e muajit ose në fund të muajit. E nëse dëshiron i agjëron të ndarë (disa ditë në fillim, në mes e në fund).” Mexhmu fetaua ue mekalat (15)

Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Më e mira është që agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit të fillojë menjëherë pas përfundimit të festës së Fitër Bajramit dhe të agjërohen rresht.” Mexhmu fetaua ue rasail (20)

 

A është agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval është bidat?

Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kjo fjalë është e kotë (batil).” Mexhmu fetaua ue mekalat (15)

 

Përgatiti: Unejs Sheme

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here