MËSIME NGA ÇLIRIMI I MEKES

0
213

Lavdërimi i takon Allahut, i Cili e ka dërguar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët. Atë e lavdëroj dhe falënderoj për atë që na ka begatuar me dhuntitë e shumta.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, zotërinë e të parëve dhe të fundit, njeriun më të mirë që është falur, agjëruar dhe që i ka kryer urdhrat e Allahut në formën më të mirë të mundshme, për familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

S’ka dyshim se Ramazani është një mundësi e madhe dhe dhuratë fisnike nga Zoti i Gjithëmëshirshëm, i Dhembshur dhe Bujar, i Cili në të i mbulon robërit e Vet besimtarë me dhuntitë dhe begatitë.

Prej gjërave që i sjellin dobi besimtarit në këtë muaj është edhe: të ndalurit për të marrë këshillë dhe mësime nga ngjarjet e kaluara, me qëllim që të përfitojë prej tyre në të tashmen dhe në të ardhmen e tij, të ndriçohet me to duke qenë se ai rrugëton në udhëtimin e tij në këtë jetë të stërmbushur me gjemba dhe pengesa, kurse kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë.

Prej gjërave që na kujton ky muaj i bekuar është edhe: Çlirimi i Mekës së Ndershme Qytet i sigurt, të cilin Allahu i Lartësuar e ka bërë strehim për zemrat besimtare dhe zemrat e pastra.

Çlirimi i Mekës ka ndodhur në vitin e tetë sipas hixhretit, e cila ka qenë e mbushur me idhuj dhe puta kurse Allahu i Madhërishëm e ka pastruar me këtë çlirim të madh, në vend të shirkut vendosi njësimin (tevhidin), besimin në vend të mohimit dhe furnizimin në vend të varfërisë.

Gjatë çlirimit të Mekës kanë ndodhur ngjarje, prej të cilave janë nxjerrë këshilla dhe mësime, ku me disa prej atyre ngjarjeve dhe mësimeve do të ndalemi në disa ndalesa:

Ndalesa e parë:

Nga ajo që është përmendur në tregimin e Çlirimit të Mekës është edhe: I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, kur ka hyrë në Mekë ka shpallur se kush futet në Qabe është i sigurt, kush futet në shtëpinë e Ebu Sufjanit ai është i sigurt, kush futet në shtëpinë e vet dhe e mbyll derën ai është i sigurt. Pastaj vazhdoi i Dërguari i Allahut derisa erdhi te Xhamia e Shenjtë, bëri tavaf duke qenë i hipur mbi kafshën e tij kurse rreth Qabesë ishin treqind e gjashtëdhjetë (360) idhuj, Pejgamberi nisi t’i godiste me një hark që posedonte dhe recitonte:

“E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket”!(Isra, 81)

“E vërteta erdhi, kurse e pavërteta është fshirë e nuk mund të shfaqet përsëri.”(Sebe, 49)

Idhujt binin njëri pas tjetrit me fytyrë përtokë, ndërsa Pejgamberi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, hyri në Qabe dhe brenda saj pa fotografi, urdhëroi të largoheshin dhe më pas u fal në të. Pasi përfundoi faljen, bëri tavaf dhe shqiptonte “Allahu Ekber”-“Allahu është më i Madhi”, dhe: “Nuk ka zot tjetër, përveç Allahut”, dhe më pas u ndal te dera e Qabesë, ndërsa kurejshitët qëndronin poshtë tij, prisnin çfarë po bënte. Ai kishte shtrënguar dy shtalkat (parvaz) e derës dhe tha: “Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Ai është i vetëm dhe nuk ka shok. Ai është Sovrani, Atij i takon lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi gjithçka. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Cili e përmbushi premtimin e Tij, ndihmoi robin e Tij dhe i mposhti i Vetëm të gjitha grupacionet. O Kurejshë! Allahu u ka larguar mburrjen e injorancës, njerëzit janë pasardhësit e Ademit kurse Ademi është nga dheu.

“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (Huxhurat, 13)

Pastaj tha: “O Kurejshë! “Çfarë mendoni që unë të bëj me ju?” Ata i thanë: “Ti do të sillesh mirë me ne, sepse je fisnik dhe biri i vëllait fisnik.” Ai u tha: “Unë do t’ju them ashtu siç u tha Jusufi vëllezërve të tij:

“Ai u tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë.”(Jusuf, 92)

Atëherë me një zë plotë falje dhe mirësi të ngrohtë ai u tha: “Shkoni! Të gjithë jeni të lirë!”[1]

Kjo është një pjesë e asaj që ndodhi në tregimin e Çlirimit të Madh, në të ka ngjarje që thërrasin për t’u ndalur, medituar, përsiatur dhe shikuar me vëmendje. A thua ka që do t’i përgjigjet e ta veçojë çdo musliman një pjesë të kohës së tij për të lexuar këtë biografi aromatike, që t’i jetë atij llambë ndriçuese, udhëzuese dhe orientuese drejt çdo mirësie?

Ndalesa e dytë:

Në këtë ngjarje madhore manifestohet nderimi i Pejgamberit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ndaj Shtëpisë së Shenjtë të Allahut, nga aspekti se ai shpalli se kush futet në të ai është i sigurt. Shtëpia e Allahut është siguri nga çdo gjë dhe si e tillë do të mbetet me lejen e Allahut deri në Ditën e Gjykimit.

Sikur që shpalli i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, zëvendësimin e njësimit (tevhidit) me shirkun me fjalët e tij “Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Ai është i vetëm dhe nuk ka shok. Ai është Sovrani, Atij i takon lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi gjithçka. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Cili e përmbushi premtimin e Tij, ndihmoi robin e Tij dhe i mposhti i Vetëm të gjitha grupacionet.”

I tillë është muslimani, në të gjitha çështjet e jetës së tij e realizon këtë shpallje nga ky Pejgamber i nderuar, duke realizuar njësimin e Allahut të Lavdëruar në besimin e tij dhe në adhurimet e tij, në sjelljet dhe veprimet e tij, në jetën e tij shoqërore, ekonomike dhe politike. Ky njësim është e vërteta që duhet të lartësohet dhe të manifestohet në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut dhe në të gjitha anët e botës.

Biografia e Pejgamberit të Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, në këtë muaj të bekuar na kujton se kush e nëpërkëmb këtë njësim, kush e prish ndonjë siguri prej sigurive të këtij vendi të Shenjtë e të bekuar, luan në të e i shqetëson vëllezërit e tij muslimanë, prish diçka që përmban ose mëkaton Allahun në të me çfarëdo lloj mëkati, ai ka kundërshtuar njësimin e Allahut të Lartësuar, ka kundërshtuar të Dërguarin e Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe i është ekspozuar ndëshkimit të Allahut të Madhërishëm. Shtëpia e Allahut duhet të mbetet – ashtu siç ka shpallur i Dërguari i Allahut – e sigurt për ata që qëndrojnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur, ashtu siç çdo musliman duhet ta përfaqësojë këtë siguri, ta nderojë këtë Shtëpi dhe Faltore të lashtë, duke e respektuar, vlerësuar, çmuar dhe lartësuar.

Ndalesa e tretë:

Prej parimeve të shpallura në këtë çlirim të madh është edhe: Kundërshtimi i nacionaliteteve, kombësive, fiseve dhe racave. Prejardhja e njerëzve është një, nuk ka superioritet ndërmjet tyre mbi bazën e ngjyrës, racës, klanit e të ngjashme me këto. “O Kurejshë! Allahu ju ka larguar mburrjen e injorancës, njerëzit janë pasardhësit e Ademit kurse Ademi është nga dheu.”

Prejardhja është një, prej saj janë degëzuar popujt, fiset, racat dhe ngjyrat. Allahu i Lartësuar i ka krijuar kësisoj me qëllim që të njihen ndërmjet veti, ndërmjet tyre nuk ka superioritet përveç me devotshmëri dhe frikë ndaj Zotit. “Të gjithë ju jeni pasardhës të Ademit, kurse Ademi ka qenë i krijuar prej dheut; arabi nuk ka kurrfarë epërsie ndaj joarabit, as anasjelltas, por me frikën prej Zotit.”

Në bazë të afërsisë me Zotin e Lartësuar, bindjen, nënshtrimin, njësimin dhe devotshmërinë ndaj Tij vlerësohet superioriteti, epërsia, lartësia dhe dallueshmëria.

A i nënshtrove angazhimet dhe përpjekjet tua – vëllai im musliman – veprat tua, sjelljet e tua për ta arritur këtë devotshmëri dhe frikë ndaj Zotit? Nëse nuk je i tillë, atëherë rishiko veten, Ramazani është mundësi e madhe për rishikim dhe llogaritje. Ja, çlirimi i Mekës të kujton lidhur me këtë parim madhor, përpiqu drejt kësaj, Allahu na dhëntë sukses dhe na bëftë prej të devotshmëve.

Ndalesa e katërt:

Është një fragment kulmor të cilin na e ka skicuar Pejgamberi ynë, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, në një pozicion praktik të ndershëm, të cilin nuk mund ta e bëjnë veçse të mëdhenjtë nga njerëzit. Na e ka vizatuar Pejgamberi i Allahut që ta e ndjekim dhe ta e marrim model në hapat e tij, është një zakon i të rrallëve dhe fisnikëve, të zotëve të zemrave madhore të lidhura me Krijuesin e qiejve dhe të Tokës.

Ai shpalli faljen, ndjesën, shpirtmadhësinë për njerëzit e popullit të tij, të cilët e munduan, e dëbuan, e përndoqën, e intriguan, e nënçmuan, u tallën me të, ai u erdhi atyre çlirues në pozicionin e ngadhënjyesit, fitimtarit, në pozicionin e atij që në dorën e tij qëndron urdhri dhe shpërblimi (ndëshkimi) për atë që kanë vepruar me të. Në këtë situatë ai i pyet: “O Kurejshë! “Çfarë mendoni që unë të bëj me ju?” Që në shikim të parë të shkon mendja se shpërblimi do të jetë sipas llojit të punës, ata e dinë se çka i kanë bërë atij, mundim, shqetësim, intrigë dhe mashtrim. Ata po i ndërmjetësojnë me fjalët “Ti do të sillesh mirë me ne, sepse je vëlla fisnik dhe biri i vëllait fisnik.” A thua çka pritet prej fisnikut? A pritet prej tij hakmarrja dhe të derdh gjak? Apo t’i bëjë pre e luftës? Apo t’i shajë e t’i ofendojë? T’i cenojë nderin e tyre, t’i dëbojë fëmijët dhe gratë t’i bëj të veja?

Ai është ashtu siç thanë ata “vëlla fisnik dhe biri i vëllait fisnik”.

Si të tillë e njohën pavarësisht sesi e trajtuan atë, e njohën si të mëshirshëm dhe të dhembshur, e njohën si besnik të madh, bujar e të sjellshëm.

Me plot qetësi u përgjigjet: “Unë do t’ju them ashtu siç u tha Jusufi vëllezërve të tij:Sot s’ka qortim për ju. Shkoni! Të gjithë jeni të lirë!”

Ndërsa në botën e sotme qëndron armiqësia dhe urrejtja dhe në nivele të ndryshme: ndërmjet individëve me njëri-tjetrin, familjet ndërmjet tyre, shoqëritë muslimane, që të ndikojë në zemrat e muslimanëve dhe të ngatërrohet ajka e tyre. A ka kush prej nesh që ta ndjek dhe ta merr shëmbëlltyrë këtë sjellje fisnike nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, t’i pastrojmë zemrat tona nga urrejtja dhe armiqësia, ta proklamojmë faljen dhe ndjesën ndaj çdokujt që na ka bërë keqe e në vend të urrejtjes dhe armiqësisë ta e zëvendësojmë me dashuri dhe përzemërsi?

A e kujtojmë fjalën e Allahut të Lartësuar kur thotë:

“Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!”(A’raf, 199)

A ka kush që t’i përgjigjemi udhëzimit të Pejgamberit tonë të dashur, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, kur thotë: “Ruajuni prej paragjykimeve, sepse paragjykimet janë gënjeshtra më e madhe; mos spiunoni, mos garoni mes vete, mos e xhelozoni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, por bëhuni robër të Allahut, vëllezër siç ju nderoi juve Allahu i Lartësuar. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën dhunë atij, nuk e lë (në baltë) dhe nuk e nënçmon; për një njeri është e keqe e mjaftueshme që ta nënçmojë vëllanë musliman. Çdo musliman, kundruall çdo muslimani, e ka haram pasurinë e tij, gjakun e tij dhe nderin e tij. Allahu nuk shikon në format tuaja dhe trupat tuaj, por shikon në zemrat tuaja dhe punët tuaja. Devotshmëria është mu këtu, devotshmëria është mu këtu, devotshmëria është mu këtu (dhe tregonte në kraharorin e tij). Kini kujdes të mos bëjë dikush kontratë mbi kontratën e tjetrit për shitje. Nuk i lejohet një muslimani ta bojkotojë vëllanë e vet mbi tri ditë.”[2]

Muslimanë të nderuar!

Duke i kujtuar këto fragmente kulmore dhe mësime të mrekullueshme, nuk i kujtojmë thjesht vetëm për krenari dhe kujtim, por që t’i bartim ato në jetën tonë praktike, e t’i pastrojmë zemrat nga të metat dhe të mbjellim dashuri, përzemërsi, çiltërsi e lavdërim e veçanërisht gjatë këtyre ditëve dhe netëve të bekuara që ftojnë në këso lloj vlerash.

E lus Allahun e Lartësuar t’i pastrojë zemrat tona nga urrejtja dhe armiqësia, veprat tona nga dyfytyrësia dhe hipokrizia, gjuhët tona nga gënjeshtra, sytë tanë nga tradhtia. Atë e lus të na dhurojë faljen, shpëtimin e gjithmonshëm në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/

[1] Shënon Tirmidhiu një pjesë të tij, 5/363 nr. 3270. Ebu Davudi, 2/752 nr. 5116.

[2] Buhariu , pjesën e parë të hadithit, 9/189 nr. 5143. Muslimi e shënon tërë tekstin e tij, 4/1986 nr. 2564.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here