Lutjet e agjëruesit nuk kthehen

0
274

Falënderimi i takon Allahut i cili i krijoi gjërat dhe i përsosi ato, i ndau qiejt dhe tokën pasi ishin të bashkuara; E falënderoj Atë edhe pse nuk mund ta falënderoj dot ashtu si e meriton, i jam atij mirënjohës dhe Ai meriton që të jemi mirënjohës ndaj Tij. Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Tre lutje nuk kthehen mbrapsh, lutja e agjëruesit kur çel iftarin, lutja e prijësit të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi”. Tirmidhiu

Ndaj nuk është habi që ajetet të cilat flasin për agjërimin të mbyllen me fjalën e Allahut ku thotë:

“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë”. El-Bekare, 186.

Imam Kurtubiu –Allahu e mëshiroftë-, ka transmetuar se disa çifutë pyetën Ibnu Abasin dhe i thanë: “Si ka mundësi që Zoti ynë të dëgjoj lutjet tona dhe ti pretendon se distance mes tokës e qiellit është sa pesqindmij vjet dhe se hapësira e çdo qielli është po e tillë? Në këtë kohë Allahu zbriti këtë ajet.

Ndërsa Hasan el-Basri –Allahu e mëshiroftë-, ka thënë: “Shkak i zbritjes së këtij ajeti është pyetja që disa njerëz i bënë Profetit salallahu alejhi ue selem, A afër është Zoti ynë që ti flasim, apo është larg që ti thërrasim? Atëherë zbriti ky ajet”.

Halid Rib’i –Allahu e mëshiroftë-, ka thënë: “Jam habitur me këtë Ymet në fjalën: I përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Allahu i urdhëroi të luten dhe i premtoi se do tu përgjigjet!

Besimtarë të nderuar! Dijeni se lutja është adhurim ashtu si ka lajmëruar dhe i Dërguari salallahu alejhi ue selem; madje ai ka thënë: “Allahu zemërohet me atë që nuk i lutet Atij”. Ibnu Maxhah, hasen.

Umeri –Allahu qoftë i kënaqur me të-, thoshte: “Unë nuk kam hallin e përgjigjes, porse kam hall që ti lutem Allahut”.

Disa njerëz i thanë Ibrahim bin Edhemit: “Çështë me ne që nuk na pranohen lutjet? Sepse ju e njohët Allahun dhe nuk iu bindët, e njohët Profetin dhe nuk e pasuat, e njohët Kuranin dhe nuk punuat me të, i hëngrët mirësitë e Allahut dhe nuk falenderuat për to; e njohët Xhenetin dhe nuk e kërkuat; e njohët Zjarrin dhe nuk u larguat; e njohët shejtanin porse nuk e luftuat; e morët vesh që do vdisni dhe nuk u përgatitët për të, i varrosët të vdekurit dhe nuk morët mësim prej tyre; i latë gabimet tuaja dhe u morët me gabimet e të tjerëve”.

O besimtarë! ja Ramazanin e kemi në mesin tonë, ai është muaj i lutjeve dhe ti o besimtar në këtë muaj je sa në agjërim e në falje, ndaj mos u trego i pavëmendshëm, të mos kalojë ndonjë sexhde e ti të mos i lutesh Allahut, ti lehtësojë dhimbjet, të bëjë nga banorët e Xhenetit e të ruaj nga Zjarri.

Vëlla dhe ti o motër! Mos u trego i pavëmendshëm në Ramazan, sidomos në natën e Kadrit, e cila është më e mirë se njëmijë muaj, ajo është një natë e veçantë në të cilën zbresin begatitë e mëshira, dhe në të falen gjynahet nëse njerëzit falen në të me besim dhe bindje.

Aishja –Allahu qoftë i kënaqur me të-, pyeti Profetin salallahu alejhi ue selem: “Nëse mësoj se është nata e Kadrit çfar lutje të them? Ai tha: “Tuaj: O Allah vërtet je Falës e do faljen prandaj më fal mua”. Ahmedi dhe Tirmidhiu, sahih

Së fundi e lus Allahun të na falë, të na bëjë prej atyre që i luten Atij.

O Zot! Drejtoje këtë ymet në rrugën e drejtë, në të cilën janë krenar ata që të binden ty dhe udhëzohen në të ata që të kundërshtojnë Ty dhe që thërritet në të për të mirë e ndalohet nga e keqja.

O Zot! Fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet.

O Zot! Ndihmoje Islamin dhe muslimanët. O Zot! Ngrije nga ymeti i Muhamedit, çdo fatkeqësi, vështirësi dhe derdhje gjaku që ka rënë mbi të.

O Zot! Mëshiroi ata. O Zot! Mëshiroi ata. O Zot! Mëshiroi ata.

O Zot! Kuroi zemrat e tyre të thyera. O Zot! ktheji të humburit e tyre, shëroje të sëmurin prej tyre, shuaji dhimbjet e tyre dhe liroi borxhlinjtë nga borxhet e tyre.

O Zot! Mëshiroje dobësinë që ne kemi, fshihi të metat tona, fali gjynahet tona dhe na i largo mundimet që ne kemi.

O Zot! Derdh mëshirë mbi ne, në momentin kur do të jemi përpara Teje. O Zot! Zbardhi fytyrat tona. O Zot! Na ndero me Xhenetin dhe kënaqësinë Tënde.

O Zot! Ktheji të rinjtë musliman në fenë tënde me një kthim të bukur.

O Zot! Ruaj gratë e muslimanëve nga dyshimet dhe epshet, ruaji ato nga lakuriqësia dhe degjenerimi, o Zoti ynë, Zot i gjithësisë.

O Zot! Ji me ne dhe jo kundra nesh, përfundoi me të mira veprat tona, o Zoti ynë, Zot i gjithësisë, vërtet Ti je që ke mundësi për çdo gjë.

Përgatiti: Bledar Haxhiu

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here