Alma Lama shfaq mosbesimin e saj dhe tregon perfundimisht se nuk është muslimane: Largohem nga LDK nëse mbështet agjendat islamike

0
227

LDDKDeputetja Alma Lama, për herë të parë ka treguar arsyet pse ka vendosur t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës pas largimit nga Vetëvendosja. Ajo gjatë një interviste dhënë gazetës Tribuna, ka treguar se si kryetari Isa Mustafa e ka bindur atë që t’i bashkohet kësaj partie.

Në këtë parti, ajo thotë se është plotësisht e lirë dhe jo “si në burg” apo me “pranga në duar”. Duke folur për shkaqet që kanë quar drejt largimit të saj nga Vetëvendosje, Lama ka thënë se njëjtë do të vepronte edhe sikur të ishte në parti tjera. Në këtë kontekst, ajo e ka bërë të qartë se nuk e ka problem të largohet as nga Lidhja Demokratike nëse sipas saj kjo parti ndryshon kursin propërendimor. “Në rast se LDK e ndryshon kursin properëndimor, gjë që unë nuk besoj se do ndodhë, pra të vendos të mbështesë agjendën islamike atëherë unë në atë moment largohem nga kjo parti”, ka thënë ajo. Lama gjatë kësaj interviste ka folur edhe për agjendat e saj për bashkimin kombëtar si dhe për rezultatin e zgjedhjeve lokale që ka marrë LDK. Ajo me këtë rast ka vlerësuar se partia e saj e ka humbur Prishtinën, por e ka fituar Kosovën. “LDK është partia fituese e këtyre zgjedhjeve, pa asnjë dilemë. Ka rifituar komunat më të mëdha në të gjithë Kosovën, ka rritur numrin e votave për 70 mijë dhe ka ofruar kryetarë dinjitoz. Mendoj se Prishtinën e humbi si pasojë e ‘bashkimit të të gjithëve kundër Isës’, përfshi këtu edhe lojën aspak etike të disa mediave”, ka thënë Lama.

Tribuna: Ka më pak se dy muaj që keni kaluar në LDK. Si po ndiheni aty?
Lama: Po ndihem shumë mirë në të gjitha aspektet, duke filluar me atë njerëzor, i cili është shumë i rëndësishëm. Pavarësisht se partitë janë formacione politike ku përplasen idetë por edhe interesat, për mua personalisht raportet njerëzore kanë një rëndësi të veçantë. Në sajë të tyre mund të gjesh përkrahje dhe mirëkuptim për të shtyrë idetë e tua, apo për t’i dhënë kuptim angazhimit politik. Mua nuk më pëlqen atmosfera armiqësore në ekip, as ajo e mosbesimit, sado që nuk i frikësohem konkurrencës, por parapëlqej që ajo të jetë për idetë dhe mbi të gjitha të prodhojë një rezultat më të mirë për të interesin publik. LDK është subjekt politik por brenda të cilit po ndihem e lirë e jo si në burg apo me pranga në duar. E kam thënë edhe herë të tjera që unë nuk pranoj të sakrifikoj lirinë time intelektuale për asnjë subjekt politik, sepse pa lirinë nuk funksionoj dot. Natyrisht kjo liri ngrihet mbi disa parime të cilat na bashkojnë.

Tribuna: Pse zgjodhët pikërisht Lidhjen Demokratike?
Lama: Për shumë arsye e zgjodha LDK-në. Së pari për të vazhduar edhe më tej angazhimin politik. Vendimi për të hyrë në politikë, i marrë prej meje para tre vjetësh ka qenë një nga vendimet më të rëndësishme në jetën time, i shoqëruar me plot dilema për shkak të kësaj cilësie të politikës që kemi, e po kështu me një sakrificë mjaft të madhe për mua, siç është ajo e profesionit në të cilën pata investuar më shumë se 10 vite, e që është një profesion i cili nuk duron ngjyrime partiake. Por, asnjë moment hyrjen ne politikë nuk e kam konsideruar një aventurë të përkohshme, përkundrazi vazhdoj ta konsideroj një angazhim tepër me peshë pasi politika merr vendime që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e njerëzve. Por nuk mund ta mohoj se kam pasur shumë momente që kam dashur të tërhiqem fare nga politika, pas zhgënjimit të madh që pësova. Por ishin miqtë e mi dhe qindra të njohur e të panjohur që më dhanë kurajo këtë kohë e që më kanë kërkuar të mos e braktis politikën, por të vazhdoj të përfaqësoj zërin e tyre, si deri tani. Kur njerëzit besojnë në ty, t’i ndjen obligim ndaj tyre; nuk mund të marrësh atë vendimin egoist që të shohësh punët e tua, ndërkohë që ke mundësi të kontribuosh për vendin tënd. Lidhja Demokratike dhe jo ndonjë subjekt tjetër për shkak të qëndrimeve mjaft të afërta. Lideri i Partisë z. Mustafa më ftoi në takim për të biseduar dhe për të parë mundësitë e një bashkëpunimi të gjatë politik.

Tribuna: Kush negocioi kalimin tënd në këtë parti?
Lama: Nuk ka pasur negociata, thjesht një takim miqësor për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit duke qenë se unë isha deputete e pavarur, pra e paangazhuar në ndonjë subjekt. Besoj se jam thirrur si pasojë e vlerësimit për punën që kam bërë në Kuvend, dhe kuptohet edhe me qasjen miqësore të kolegëve të mi deputet. Në takim me liderin e partisë që në takimin e parë kemi diskutuar në lidhje me qëndrimet. Unë i kam njohur qëndrimet e LDK-së por edhe ata të miat, për të cilat kam qenë mjaft e zëshme. Por, pavarësisht nga kjo kam preferuar t’i theksoj edhe një herë në takim, në mënyrë që të sqarohem përfundimisht. Kryetari i LDK-së më bindi që jemi plotësisht në një vijë. Pas kësaj vendosa të them po angazhimit në këtë subjekt. Mendoj se kam marrë vendimin e duhur dhe këtë ë pashë edhe nga elektorati i LDK-së i cili më ka pritur me shumë respekt dhe dashamirësi.

Tribuna: Çka keni të përbashkët me subjektin që i takoni?
Lama: Me LDK-në më bashkon fondamenti, orientimi dhe fryma proevropiane dhe properëndimore, ose si aktivistët dhe mbështetësit e LDK-së preferojnë ta quajnë Rugovizmi. Dhe mund të them se ky ka qenë motivi im kryesor, duke shtuar edhe frymën demokratike e qytetare që e shoqëron në përgjithësi këtë parti. Natyrisht nuk është një parti pa të meta, por është parti jo lideriste, ndryshe nga të gjitha partitë e tjera ku lideri shihet si zot dhe fjala e tij si fjala e zotit. Në këtë parti lideri është zgjedhur nëpërmjet votës dhe prandaj meriton respekt dhe fryma që bartet në krejt partinë prej tij nuk mund të jetë ndryshe veçse demokratike. Më duken të turpshme ato teatrot që luhen ne partitë e tjera, ku lideri merr 99.99{ad665188d2e1dd481ca1082a75a5a95cd65abe9addc30f8ce0b9a52794b3f058} të votave, diçka e ngjashme me Korenë e Veriut. Një gjë tjetër mjaft e rëndësishme është zgjedhja e mjeteve demokratike për të bërë politikë.

Tribuna: Për cilat qëndrime keni folur specifikisht me liderin e LDK-së, z. Mustafa?
Lama: Kam folur për qëndrimet e mia publike, të cila u bënë shkak edhe për divorcin me VV. Raportet e LDK-së në lidhje me shtetin laik, fondamentalizmin islamik të cilin unë e shoh si rrezik, kërkesat e agjendës islamike. Dhe, nga z. Mustafa kam marrë përgjigjen se jemi në linjë të njëjtë. Nga ana tjetër kam folur për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, qëndrim publik i imi nga i cili nuk heq dorë. Natyrisht nuk ka asnjë subjekt politik apo asnjë shqiptar që e kundërshton këtë dhe nga LDK më kërkuar që të punoj pikërisht për të forcuar bashkëpunimin me Shqipërinë.

Tribuna: Z, Haziri është shprehur pro shamisë në shkolla publike. A është kjo një arsye për t’u larguar nga LDK-ja
Lama: Së pari nga VV nuk jam larguar për shkak të shamisë edhe pse jam kundër saj, por për shkak siç e kam thënë flirtimit me radikalizmin kur ata më sulmuan mua në mënyrën më perverse dhe mospajtimit me mjetet politike. Së dyti z. Haziri ka shprehur qëndrimin e tij personal dhe jo të partisë. Qëndrimin e partisë e ka shprehur lideri i saj z. Mustafa dhe unë skam çfarë t’i shtoj më shumë. Në secilën parti mund të ketë individë që shprehin qëndrime personale, dhe sa kohë që nuk janë qëndrime të subjektit nuk më duket ndonjë tragjedi. Në rast se LDK e ndryshon kursin properëndimor, gjë që unë nuk besoj se do të ndodhë, pra dhe vendos të mbështesë agjendën islamike, atëherë unë atë moment largohem nga kjo parti. E kam thënë edhe më parë, kjo është çështje fondamentale e lirisë dhe e identitetit kombëtar. Asnjë kompromis nuk e bëj në lidhje më këtë. Dhe po ua them se për këtë çështje, pra të identitet kombëtar dhe të lirisë unë prishem me të gjithë botën.

Tribuna: Çka ka më shumë LDK-ja e që nuk ka pasur Vetëvendosja?
Lama: Nuk dua të bëj asnjëlloj krahasimi. Arsyet e mospajtimit me Vetëvendosjen i kam bërë publike në letrën e hapur, kur jam larguar dhe për mua është një kapitull i mbyllur. Më lart fola se çfarë më bashkon me LDK-në dhe besoj se isha e qartë se cilat janë ato çështje madhore të cilat mund të më bashkojnë apo ndajnë me dikë.

Tribuna: Të flasim pak për zgjedhjet. Çka ndodhi me LDK-në në Prishtinë dhe ku e shihni partinë tuaj pas zgjedhjeve të përgjithshme?
Lama: LDK është partia fituese e këtyre zgjedhjeve, pa asnjë dilemë. Ka rifituar komunat më të mëdha në të gjithë Kosovën, ka rritur numrin e votave për 70 mijë dhe ka ofruar kryetarë dinjitozë. Mendoj se Prishtinën e humbi si pasojë e “bashkimit të të gjithëve kundër Isës” përfshi këtu edhe lojën aspak etike të disa mediave. Edhe mungesa e prezencës gjatë fushatës së liderit, në Prishtinë për shkak të angazhimeve të tij në të gjithë Kosovën mund të ketë pasur një rol. E dini se fushata është marketing politik dhe nëse nuk i kushton vëmendjen apo kohën e duhur mund të hakmerret. Një faktor tjetër është edhe nihilizmi që ka përfshirë në përgjithësi shoqërinë, dhe pakënaqësia e grumbulluar për problemet që nuk kanë mundur t’i japin zgjidhje. Në zgjedhjet e ardhshme LDK do të jetë parti që do të qeverisë vendin. Natyrisht kjo nuk është e garantuar nëse nuk punohet me intensitet për t’iu bërë qytetarëve ofertën serioze që ata meritojnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here