LIRIA NË FENË ISLAME

0
221

Në këtë studim do të përpiqemi të japim disa njoftime dhe shkoqitje mbi mënyrën dhe kuptimin e lirisë. Duke qenë se ky argument është një faktor më shumë rëndësi në jetën e popujve, ne do të mundohemi vetëm ta interpretojmë në bazë të pikëpamjes së fesë islame. Duke u nisur nga kjo pikë duam të shënojmë edhe disa gjëra të tjera të cilat na duken të arsyeshme si fillim i kësaj pune.

E kemi fjalën për pretendimin e popujve të ekzaltojnë parimet e lirisë se ata kanë lindur dhe themeluar prej tyre. Në botën demokratike pretendohet me këmbëngulje se parimet: Liri, Barazi dhe Vëllazërim e kanë rrënjën tek ata; në mes të popujve demokratë ka një antagonizëm dhe luftë pretendimesh që vazhdon me shekuj. Është fjala se kush ia diktoi njerëzisë i pari këto parime. Anglezët thonë se janë të parët në këtë shesh, ndërsa francezët thonë se parimet e lartpërmendura i prodhoi kryengritja franceze më 1789, prandaj i kanë marrë dhe si emblemë të republikës së tyre, ndërsa komunistët, tash së voni, nga fillimi i këtij shekulli rendojnë se ata i vënë në zbatim më së miri.

Në të vërtetë feja islame është e para që i ka predikuar dhe i ka vënë në zbatim këto parime në formën më të përsosur. Në kohën e Profetit Muhamed a.s. dhe katër pasardhësve të tij të drejtë, populli mysliman qe i pari që eci në vijën e këtyre parimeve. Madje dhe sot, disa nga demokracitë e reja, rrinë larg me sistemet e tyre qeveritare dhe nuk kanë arritur që t’i zbatojnë këto parime në atë shkallë që i ka zbatuar feja islame.

Le të flasim pak mbi përdorimin e lirisë dhe zbatimin e saj. Feja islame e ka marrë për bazë lirinë në çdo shfaqje të jetës dhe të sistemit që rregullon jetën; në të gjitha nomet që vuri për njerëzinë, domethënë, në besim, në ligjet shoqërore dhe në mënyrën e qeverisjes; i dha një rëndësi të madhe zbatimit të saj në të gjitha çështjet e ndryshme të jetës, duke mos lënë padore asnjë prej anëve të saja të njohura, e aplikoi me urtësi dhe masë në çdo manifestim të saj.

Duke qenë se liria mund të ndahet në tri pjesë, ajo politike, mendore ose e fjalës dhe fetare, ne po i marrim me radhë, duke u munduar t’i shpjegojmë shkurtimisht në bazë të fesë islame.

Liria politike

Liria politike është ajo që i jepet çdo njeriu të mençur që ka arritur moshën madhore të drejtë për të marrë pjesë në drejtimin e punëve të shtetit duke i kontrolluar veprimet e fuqisë zbatuese me anë të përfaqësuesve të tij – zgjedhje të lira – ose me anë të pyetjes së përgjithshme, domethënë plebiçisht. Këtë parim të zgjedhjes së lirë Islami e ka zbatuar plotësisht. Dhe për të dhënë një shembull mjafton të përmendim zgjedhjen e kalifëve (që ishin përfaqësuesit më të lartë të fuqisë ekzekutive) qe në dorë të popullit dhe se kalif i vërtetë qe ai që u zgjodh me anën e votave të lira. Në këtë mënyrë, që sot e thërrasim demokraci, qeverisën katër kalifët e parë; dhe derisa vazhdoi kjo liri, qeveritë myslimane që sunduan atëherë e lartësuan nivelin e jetës duke arritur kulmin e qytetërimit.

Po nuk mjaftoi me kaq. Islami e ndaloi kryetarin e shtetit të vendosë personalisht për çështje me rëndësi të veçantë duke e detyruar që të merrte mendimin e shumicës së popullit, e quante përgjegjës ekzekutivin për të gjitha veprat që bënte gjatë detyrës së tij. Kur’ani i shenjtë thotë: “Këshillohuni në veprime!” Ebu Bekri, sunduesi i parë pas vdekjes së Profetit, duke u mbështetur në këtë verset, pasi u zgjodh kalif, mbajti këtë fjalim: “Kam marrë në dorë sundimin, por kjo nuk do të thotë se unë jam më i miri juaj; prandaj po të më gjeni duke vepruar drejtë, më ndihmoni; në qoftë se më gjeni në rrugën e shtrembër, më drejtoni; më pasoni derisa unë të jem në rrugën e Zotit dhe të Profetit, po u largova nga ato nuk keni të drejtë të më bindeni.” Dhe në një fjalim tjetër tha: “Unë jam i drejtuar dhe jo i lirë (domethënë kam Kur’anin dhe fjalët e udhëzimet e Profetit që më udhëzojnë dhe nuk jam i lirë të veproj sipas qejfit tim) dhe në ecsha mbarë duhet të më ndihmoni, e në qoftë se u largohem këtyre udhëzimeve ju duhet të më drejtoni.”

Umer el-Faruku, kalifi i dytë mysliman, pasi u votua sundues pas vdekjes së Ebu Bekrit, tha këto fjalë: “Po më patë të largohem nga e drejta, më luftoni me anë të shpatës!”

Në kohën e kalifit Osman u bënë disa gabime, dhe qe gati duke plasur një luftë e brendshme. Por, Imam Aliu, me zgjuarsinë e pashoqe, bindi disa kryetarë kryengritësish dhe bashkë vajtën te kalifi Osman dhe i paraqitën ankesat e tyre. Kalifi u bind dhe doli në tribunë e tha: “Unë pendohem për çka kam bërë dhe nuk do të përsëriten më ato gabime. Përfaqësuesit e popullit kurdoherë le të vijnë dhe të më japin mendimet e tyre dhe të më drejtojnë në veprimet e mia. Pikëpamjet e tyre të drejta do të merren në konsideratë dhe do të më udhëheqin në veprimet e mia.”

Feja islame i ka dhënë rëndësi të madhe opinionit publik. Profeti Muhamed a.s. në veprat e tija, që nuk kishin të bëjnë me fenë në pikëpamje besimi, merrte mendimin e shokëve të tij dhe vinte në veprim atë që ishte më frytdhënës për të mirën e popullit. Shumë herë kthente nga mendimi i tij dhe pranonte atë të shumicës. Ai e vuri rregullisht në zbatim urdhrin hyjnor: “Këshillohu me ta në veprim!” (3:159). Këtë verset Profeti a.s. e vuri në zbatim gjithmonë dhe preferonte mendimin e shumicës.

Në historinë islame kemi prova të gjalla për ta vërtetuar këtë qëndrim të Profetit, por, ne këtu do të mjaftohemi duke përmendur vetëm një: “Në luftën e Bedrit, Muhamedi a.s. urdhëroi që fuqitë myslimane të zbarkoheshin në një vend që e caktoi. Njëri prej shokëve e pyeti: A ishte ky mendim i tij apo i urdhëruar nga Zoti? Kur ai iu përgjigj se ishte mendimi i tij, ai tha: Që mendimi i tij ishte që të zinin vend pranë ujit, që kështu të kishin ujë, ndërsa armiqve do t’u mungonte. Menjëherë Profeti a.s. urdhëroi që të zinin vend atje ku propozoi shoku.

Kalifët myslimanë, kur ishte puna me shumë rëndësi që kishte të bënte me mbarëvajtjen e popullit, ata nuk mjaftoheshin vetëm me mendimet e këshilltarëve të tyre, por vinin në zbatim pyetjen e përgjithshme, plebiçishtin; po kështu bënin edhe në çështje të papritura ku duheshin zbatuar rregulla të reja. Për të zgjidhur problemin ata mblidheshin popullin e krahinës me të cilin kishte të bënte çështja dhe secili shfaqte mendimin e tij. Mendimi i shumicës merrej për bazë për zgjidhjen e problemit. Kjo mënyrë veprimi ishte e mbështetur në shpirtin e versetit të Kur’anit: “Këshillohu me ta në veprim! (3:159)

Liria mendore

Në pjesën e parë të këtij studimi kemi vënë në dukje se si Islami e përcakton lirinë politike dhe si e ka vënë në zbatim. Në këtë pjesë do të flasim mbi lirinë mendore ose siç e cilësojmë sot: Lirinë e Fjalës.

Edhe në këtë Islami qëndron në të njëjtin nivel me atë politik. Ai i ka dhënë liri të plotë çdo individi që të shfaqë lirisht mendimin e tij dhe e ka quajtur nj prej cilësive më të dalluara të një besimtari të mirë. Këtë gjë duhet ta bëjë pa frikë duke shfaqur të vërtetën pa u trembur se mund të ketë rrjedhime të liga për të.

Në kohën e Profetit a.s. kjo lloj lirie është zbatuar në formën më të përsosur dhe ka qenë e siguruar për të gjithë njerëzit. Vetë Profeti a.s. ka dhënë prova të gjalla të aplikimit të saj.

Në lirinë e mendimit hyn dhe ajo që mund ta quajmë liri shkencore, apo liri e mendimit kulturor. Me fjalë të tjera liria e të shfaqurit të mendimit në lidhje me fenomenet e natyrës si në pikëpamje astronomike, botanike e zoologjike, dhe të vërtetojë teoritë që zbulon. Feja islame e ka lënë të lirë secilin të studiojë dhe të arrijë në përfundimet që i sheh të arsyeshme, madje i këshillon që sunduesi, kur është nevoja , duhet të këshillohet me specialistët e degëve të ndryshme për të arritur në përfundimet më të mira.

Për më tepër, duhet vënë re se Kur’ani pothuaj në çdo faqe të tij i mbyll shumë versete duke thënë: A nuk mendoni? A nuk kuptoni? A nuk kundroni?; që t’i shtyjë t’i studiojnë dhe të përfitojnë nga ligjet e natyrës dhe të zbulojnë sekretet e saja. Kur’ani në kapitujt e tij të ndryshëm flet mbi hënën, shiun, diellin e yjet dhe shumë gjëra të tjera. Për ta përforcuar këtë mendim po sjellim disa shembuj: “A nuk i shihni devetë si janë krijuar? Dhe diellin si është lartësuar? Malet si janë ngulur e ngrehur? E toka si është shtruar?” (88:17)

Nga ky verset kuptohet qartazi se feja islame i shtyn pasuesit e saj që të studiojnë fenomenet e natyrës si diellin, hënë, qiellin e tokën dhe kafshët në të, në mënyrë që të zhvillohet shkenca duke i lënë të lirë, jo por duke i shtyrë që të merren me studime shkencore.

Në këtë verset por edhe në shumë të tjera që nuk është nevoja t’i përmendim, Kurani na shtyn si e si të studiojmë gjithçka gjendet në tokë dhe në qiell për t’i kuptuar sekretet e natyrës dhe për t’i përdorur për të mirën tonë. Kur myslimanët vepronin me të vërtetë në bazë të Kur’anit ata prodhuan shkencëtarë të njohur në të gjitha lëmët e shkencës, qoftë fizikë, botanikë ose medicinë, dhe u bënë populli më i qytetëruar dhe mësonjësit e njerëzimit, kur ata u larguan nga mësimet e Kur’anit, humbën dhe u pushtuan nga të tjerët.

Liria e mendimit që përmbledh dhe lirinë kulturore ishte e siguruar, jo por e kurajuar nga feja islame, dhe është zbatuar 1400 vjet më para kur fjala demokraci nuk gjendej në fjalor.

Pra, kanë të drejtë myslimanët të deklarojnë se ata qenë të parët që vunë në zbatim lirinë politike dhe atë mendore, sidomos në periudhën e Profetit Muhamed a.s. dhe katër pasardhësve të tij të drejtë.

Liria fetare

Në këtë pjesë do të flasim për lirinë fetare që në fenë islame është krejt e siguruar. Për të garantuar këtë liri, feja islame aprovoi tre parimet ndër më të lartit që kanë mundur t’i aprovojnë deri më sot dhe ligjet më moderne për lirinë fetare

-Nuk detyron njeri me forcë që të braktisë fenë e tij dhe të pranojë Islamin. Për këtë Kur’ani i Shenjtë thotë qartazi: “Nuk ka shtrëngesë në fe, u sqarua e drejta nga e shtrembra.” (2:256)

Këtë parim e kanë respektuar dhe e kanë zbatuar myslimanët në të gjitha pushtimet e tyre, duke lejuar popujt që kishin nën sundimin e tyre ta ushtronin fenë e tyre, pasi t’ua merrnin xhizjen. Xhizja ishte taksë që paguhej nga jomyslimanët, që kishin arritur moshën madhore dhe nuk kishin hyrë në moshën e pleqërisë, dhe që ishin në gjendje ta paguanin. Kjo taksë po të bëhet llogari me të hollat e sotme ishte 4 dollar në mot; dhe paguhej si taksë mbrojtjeje, meqë ata nuk merreshin ushtarë dhe qeveria kundrejt kësaj pagese ishte e detyruar t’u mbronte pasurinë, njerëzit dhe faltoret e tyre.

Provë më të qartë se Islami nuk është përhapur me forcë janë pakicat e feve të tjera që jetojnë në vende ku shumica sot janë myslimane me gjithë që janë sunduar me qindra vjetësh nga myslimanët si në Indi, Liban, Siri e madje dhe Shqipëri e Jugosllavi. Ndoshta mund të thuhet se këmbët e myslimanëve nuk mund të arrinin, apo më mirë të themi të turqve nuk mund të arrinin në malësira, por nëpër qytete, a nuk patën mundësi pas një sundimi 500-vjeçar t’i kishin detyruar të gjithë shqiptarët e qyteteve të bëheshin myslimanë. Atyre që akuzojnë fenë islame që është përhapur me forcë, iu drejtoj këtë pyetje: Ku janë myslimanët që ishin në Spanjë për pesëqind vjet?

-Parimi i dytë që vuri feja islame për lirinë fetare është liria e diskutimeve fetare. Për këtë gjë Kur’ani i urdhëron myslimanët që të ndjekin rrugën e mendjes e të logjikës në diskutime me pasonjësit e feve të tjera dhe i porosit që mos t’i shajnë dogmat e tyre se atëherë dhe ata shajnë besimet tuaja.

-Parimi i tretë që vuri dhe zbatoi feja islame për të siguruar lirinë fetare është se ajo quan besim të vërtetë atë që vjen si përfundim studimi, hetimi e gjurmimi, e prandaj besimi me forcë nuk ka vend në këtë fe; se ai që shtrëngohet të besojë ka vetëm besim të sipërfaqët. Me këtë parim ajo shembi shtyllën në të cilën bazoheshin idhujtarët që ishte ajo e imitimit të verbër.

Kur’ani i Shenjtë i kritikon idhujtarët që besojnë duke imituar verbërisht prindërit e tyre duke lënë pas dore mendjen që e ka pajisur njeriun për ta dalluar atë nga shtaza dhe thotë: “Kur t’u thuhet atyre që të pasojnë çka u ka zbritur Zoti, ata do t’u përgjigjen: Jo, dhe do të vazhdojnë rrugën e prindërve të tyre sepse ashtu i kanë gjetur ata duke ditur ndoshta se etërit e tyre nuk mendonin dhe nuk ishin në udhë të drejtë.”

Duke përfunduar këtë studim deklarojmë se feja islame ka pranuar lirinë si bazë të të gjitha ligjeve që ka vënë për njerëzinë si në pikëpamje fetare, politike, shoqërore ose ekonomike. Në çdo rast është përpjekur ta zbatojë në formën më të përsosur duke mos lënë gjë pas dore. Dhe nuk është e nevojshme të shtojmë se ata që e akuzojnë Islamin se kufizon lirinë, nuk kanë mend ose i ka verbuar fanatizmi. Njerëzit e shkolluar jomyslimanë që kanë studiuar fenë islame me paanësi dhe pa paramendime e fanatizëm e kanë pohuar se feja islame është feja më tolerante në botë dhe se i ka sjellë shërbime të mëdha qytetërimit modern kur pasuesit e saj vepronin në bazat e mësimeve të saja.

Pra, ata që e akuzojnë fenë islame se është përhapur me forca dhe se fetë e tjera nën hije të saj nuk kanë pasur liri i ka verbuar fanatizmi dhe nuk i lë të shohin dritën e diellit. Feja islame nuk ka të bëjë me njerëz të tillë por u flet mendjeve të zhvilluara dhe që e studiojnë atë për të gjetur të vërtetën, dhe kjo provohet se shumë mendarë të shkëlqyer dhe filozofë e përqafojnë atë në Francë, Angli, Gjermani e Amerikë, ditë për ditë, megjithëse fatkeqësisht, kjo fe sot nuk ka një misionari të organizuar mirë, dhe se shumë prej besimtarëve të saj nuk janë pajisur me moralet që predikon dhe nuk zbatojnë në tërësi mësimet e sakta të saja.

Këto janë, pra mësimet e fesë sonë të lartë mbi lirinë e tolerancën. Si këto dhe të gjitha udhëzimet që jep kjo fe në lëmitë e tjera janë për të mirën e njerëzimit, dhe myslimanët mund të lartësohen shpirtërisht e moralisht kur t’i besojnë dhe t’i vënë në zbatim mësimet e saja në tërësi, nëse duan të sigurojnë lumturinë në të dy jetët.

Imam Vehbi Ismaili

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here