A lejohet të blej banesë apo shtëpi me kredi në bankë?

0
662

Pyetje: selamu alejkum hoxhe: Unë jetoj në Itali dhe këtu si zakonisht paguajmë qira për banesat ose shtëpinë, disa prej familjes time i kan blerë shtëpitë mirëpo me kredi në bankë. Pyetja ime ësh se a lejohet me marr kredi në bankë për të blerë një shtëpi ose banesë në vend që të paguaj qira, të bëj me bankën kontratë 15 vjeçare dhe gjatë atyre viteve të paguaj vlerën e shtëpisë, edhe kamatën normalisht?!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar…

Fillimisht, ajo që ta kisha këshilluar ty dhe çdo muslimani kudo që jeton është që të jemi mirënjohës ndaj Allahut për çdo të mirë që na ka dhënë. Nëse ke mundësi ta paguash qira, kjo është sepse Allahu ta ka mundësuar dhe nëse për këtë je mirënjohës, të mirat sa vijnë e do të shtohen, sepse kështu premtoi Allahu: “Nëse jeni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj (mirësitë)”.

Kurse sa i përket marrjes së kredisë me kamatë, unë them se gabimi i parë këtu është rrebelimi kundër Allahut nëpërmjet të mirave që t’i ka dhënë; Ai të dha forcë të punosh, Ai të dha mundësi të krijosh familje, Ai të shpëtoi nga fukarallëku, Ai të shpëtoi nga shumë sëmundje… e ti apo çdokush tjetër që merr kredi me kamatë, krejt ato të mira i shfrytëzon për të qenë mosmirënjohës ndaj Allahut dhe shkelës i urdhrave dhe fjalëve të Tij.

Pra, nuk lejohet huamarrja (kredia) me kamatë, qoftë nga banka apo dikush tjetër, qoftë në vendet e muslimanëve apo të jomuslimanëve, sepse për kamatën ka ardhur ndalesë e prerë, e padyshimtë, e ashpër dhe kërcënim i rëndë.

Allahu ka thënë: “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë ju është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë” (Bekare 278-279). Kush është ai guximtar që mund t’i përballojë luftës me Allahun, përveç atij që është injorant dhe i dehur pas dashurisë ndaj kësaj dynjaje?!

Muslimi shënon nga Xhabiri, radijallahu anhu, i cili ka thënë: “Resulullahu, alejhi salatu ue selam, ka mallkuar atë që ha kamatën, atë që e jep kamatën, atë që e shkruan kamatën dhe ata që janë dëshmitarë të asaj kamate; dhe ka thënë: ata janë të njëjtë” (Muslimi nr.1598). Mallkimi është gjë e rrezikshme, ai nënkupton largimin nga mëshira e Allahut, e atë që Allahu e largon nga mëshira e Vet, ai njeri nuk do të rehatohet në këtë dynja e as nuk do të shpëtojë në ahiret.

Abdullah ibën Mesudi përcjellë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kamata i ka shtatëdhjetë e tre lloj, më i lehti është sikur të martohet njeriu me nënën e tij ndërsa edhe më e rëndë se kamata është nderi i njeriut musliman” (Sahihul Xhami nr.3539).

Ata që nga farefisi jot kanë blerë shtëpi me kamatë, le ta dijnë se kanë bërë gjynah të madh, e ti mos ki lakmi ndaj veprimit të tyre, por këshilloji me dije dhe urtësi që të pendohen dhe të kërkojnë falje për gabimin që kanë bërë.

Allahu ta shtoftë pasurinë e hallallit dhe t’i mundësoftë gjitha të mirat që do ta shtojnë lumturinë dhe devotshmërinë. Amin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here