Kërbaçi i shtetit ligjor

Kërbaçi i shtetit ligjor

Shkruan: Faik MIFTARI

kullaMe datë 28.08.2014, Komuna e Prizrenit, Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH), solli aktvendimin për rrënimin e objektit të Kullës së Jetimit në Prevallë të Prizrenit.

          Në këtë vështrim do të ndalem në tri aspekte të këtij vendimi absurd dhe papresedan, për një shoqëri demokratike, me të cilin Kosova synon  të shkojë  në Bashkimin Evropian, atë të aspektit ligjor,  politik dhe  fetar.

          Me aktvendimin e DUPH-së  të Komunës së Prizrenit me nr. 04-353 të datës 28.08.2014 janë shfuqizuar kushtet urbanistike teknike nr. 04/4-353-1413 të datës 06.03.2003, aktvendimi mbi lokacionin hapësinor nr. 04/4-035-1413 të datës 18.03.2003 si dhe leja e legalizimit nr. 04/4-351-127 të datës 24.03.2003, të lëshuar në emër të Shoqatës Humanitare Bamirëse (SHHB) ”Kalliri i Mirësisë” me të cilin është lejuar legalizimi i objektit, Kulla e Jetimit, pushimorja për fëmijët jetim në Prevallë, ngastra kadastrale nr. 178 në G. Sellë Komuna e Prizrenit. Në dispozitivin nën II të aktvendimit  shfuqizohen edhe pasojat juridike që rrjedhin si pasojë e lejimit të kushteve urbanistike teknike. Në dispozitivin III të aktvendimit urdhërohet që SHHB “Kalliri i Mirësisë”  në mënyrë vullnetare dhe me shpenzimet e veta të rrënojë objektin, në të kundërtën objekti do të rrënohet nga Drejtoria e Inspekcionit, me shpenzimet të cilët do t’i bartë SHHB”Kalliri i Mirësisë”.

          Ky vendim është kundërligjor, pasi që Komuna e Prizrenit, DUHP-ja, nuk ka kompetenca për të marrë një vendim të tillë në Prevallë, sepse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës(MMPH), e ka shfuqizuar vendimin me të cilat drejtat e veta i ka deleguar në kompetencë të Komunës së Prizrenit për arsye të degradimit dhe kaosit urbanistik të mos zbatimit të vendimit të MMPH-së nga ana e Komunës së Prizrenit. MMPH-së e Kosovës ka sjell vendimin nr. 975/14 të datës 05.03.2014 me të cilin urdhërohet SHHB ” Kalliri i Mirësisë” që në afatin e caktuar të bëjë rrënimin e tejkalimeve pa leje ndërtimi, pas së cilës SHHB ka vepruar  në rrënimin e tejkalimeve të bëra konform vendimit në fjalë të MMPH-së së Kosovës.

          Në bazë të kësaj rrjedh konkludimi se komuna e Prizrenit,  DUPH-ja  nuk ka kompetencat të tilla,  sepse  i është marrë  kompetenca nga ana e MMPH-së e Kosovës. Po të ishte shteti i Kosovës një shtet ligjor, vendimmarrësit jo vetëm që do të gjykoheshin moralisht, por do të dënoheshin edhe penalisht për shkeljen e kompetencave dhe sjelljen e vendimeve antiligjore. Pavarësia e Kosovës është konsideruar ”sui generis”, dhe se tani e “konfirmon” se mund të sjellin edhe vendime antiligjore “sui generis”. MMPH-ja e Kosovës,  ka bërë rrënimin e disa objekteve pa leje në Prevallë, dhe nuk e ka pa të arsyeshme të sjell një vendim të tillë për objektin e Kullës së Jetimit, e cila ka poseduar leje valide. Në shtetin ligjor ndodh  të rrënohet edhe ndonjë objekt me leje, për shkak të interesit të përgjithshëm, por në rastin konkret këtu nuk kemi të bëjmë me interes të përgjithshëm. Një paradoks i tillë  mund të ndodh vetëm tek ne.  MMPH-ja e Kosovës ka sjell vendime për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në Prevallë, DUPH-ja e komunës së Prizrenit sjell vendimin për rrënimin e objektit të Kullës së Jetimit edhe pse është e pajisur me leje për ndërtim. Kësaj i thonë çudi se jo mahi. Në arsyetimin për rrënimin e objektit të Kullës së Jetimit  theksohet se SHHB”Kalliri i Mirësisë”  me aktivitetin, punën dhe shërbimin e saj të ofruar ka rënë ndesh me qëllimin e ndërtimit.

Në statutin e SHHB” Kalliri i Mirësisë” në veprimtarinë e  saj parashihet edhe veprimtaria hoteliere,  me anë të së cilës akumulon mjete financiare me të cilët e mbulon aktivitetin e saj. Po në rast se eventualisht edhe ka pas ndonjë tejkalim të veprimtarisë së  saj, atëherë organi kompetent do të duhej që ato tejkalime të evitojë, e jo  të rrënohet i tërë objekti. Shembull i një veprimi dhe sjelljeje ligjore, ishte vendimi i MMPH-së  për rrënimin e tejkalimeve pa leje ndërtimi, por jo edhe të atyre me leje.

           Sipas mendimit tim ky vendim është kryekëput politik në vazhdën e aksioneve të ndërmarra  në Kosovë, që filloi me burgosjen e imamëve dhe të tjerëve me supozimin e përfshirjes së tyre në konfliktin në Siri, të vendimit për pezullimin e 14 Organizatave Joqeveritare në Kosovë (OJQ-të), e i cili është i  drejtuar kundër myslimanëve të Kosovës dhe  është një shkelje flagrante e drejtave njerëzore në përgjithësi.  Është indikativ,  se vendimi politik i institucioneve shtetërore të Kosovës, për rrënimin e objektit të Kullës së Jetimit, nuk e ka gjet të arsyeshme të zbatoj ministria përkatëse, MMPH- e Kosovës, por një vendim të tillë kundërligjor po e zbaton DUPH-ja e Komunës së Prizrenit.

SHHB” Kalliri i Mirësisë” dhe  drejtori i saj Kemajl Jonuzi vite me radhë,  para , gjatë  si dhe pas luftës ka dhënë një kontribut të çmuar në realizimin e aksioneve të shumta humanitare dhe bamirëse jo vetëm në komunën e Prizrenit por edhe më gjerë në Kosovë. Përveç kësaj Kemajl Jonuzi,  ka qenë i përfshirë në radhët e UÇK-së, në Prekaz të Drenicës,  komandanti i të cilit ka qenë Ilijaz Kodra, dëshmorë i  lirisë. Për shkak të modestisë së tij, për kontributin e dhënë në luftë, nuk ka dash fare të përfshihet në listën e veteranëve të luftës, duke ja lëshuar vendin të tjerëve.   Kemajl Jonuzit nuk i kishte shkuar kurrë mendja që pas gjithë këtyre viteve të kontributit të tij humanitar dhënë njerëzve me nevoja në përgjithësi e jetimëve në veçanti, do të “shpërblehet” me rrënimin e objektit të Kullës së Jetimit dhe pezullimit të SHHB” Kalliri i Mirësisë” nga institucionet shtetërore të Kosovës. Veprimtaria hoteliere dhe humanitare në objektin e Kullës së Jetimit, ka qenë dedikuar ekskluzivisht për grumbullimin  e mjeteve financiare me të cilin ka ndihmuar me kontribute mujore një numër të konsideruar të jetimëve. Ka shpërndarë edhe bursa  mujore për nxënës dhe studentë jetim, pa dallim kombi apo feje. Veprimtaria e rregullt e SHHB” Kalliri i Mirësisë” gjatë gjithë viteve ka qenë edhe organizimi i pushimeve për qindra fëmijët jetim(bonjak) nga anët e ndryshme të Kosovës.

Veprimtaria  hoteliere në Kullën e Jetimit në Prevallë është publike dhe ajo vizitohet nga individ apo grupe të organizuara turistike me qëllim të ushqimit, pushimit dhe rekreacionit. Drejtori i saj, Kemajl Jonuzi, është përgjegjës vetëm për veprimtarinë hoteliere dhe humanitare të Kullës së Jetimit, për stafin dhe punëtorët e saj. Përveç kësaj nuk është marrë me kurrfarë aktivitete tjera, e lere ma me aktivitete të ndaluara apo që janë në kundërshtim me ligjin. Në takimin  me kryetarin e komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja, drejtori i SHHB” Kalliri i Mirësisë” Kemajl Jonuzi,  e njoftoi kryetarin për çështjen e vendimit për rrënim, mirëpo ka marr përgjigje shokuese se ai nuk ishte i informuar për vendimin  drejtorisë së tij, DUPH-së, për rrënimin e objektit të Kullës së Jetimit në Prevallë.

          Do të përmbyll këtë vështrim me aspektin fetar të këtij veprimi absurd dhe kundërligjor të rrënimit të Kullës së Jetimit. Do të ceki disa versete kuranore dhe  thënie profetike për rëndësinë e kujdesit për jetimët (bonjakët) e që ndërlidhet edhe  me Kullën e Jetimit: “Përkujdesja për jetimin dhe sjellja mirë me të është një çështje për të cilën nxit dhe porosit Islami …”, “Islami na ndalon ta keqtrajtojmë jetimin…”,“Dhe të pyesin ty për bonjakët, thuaj: “Po t’i ndihmoni në punët e tyre, është më mire”,” A e ke parë ti  atë që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë bonjakun.”, “Pra, mos e përul jetimin”, “Unë dhe kujdestari (i mirë) i jetimit do të jemi së bashku në xhenet…” etj.

          Me  vendim politik  për rrënimin e objektit të Kullës së Jetimit dhe pezullimit të punës së SHHB ”Kalliri i Mirësisë”  ndërpriten kontributet  mujore për jetimët, bursa për nxënës dhe student jetim si dhe pushimet  vjetore që kalonin jetimët në Kullë. Në një  shoqëri demokratike çdo kush është i lirë të besojë apo mos të besojë, por nëse në një të ardhme të afërt do të ndodh ndonjë dënim nga Krijuesi Fuqiplotë në këtë botë për urdhërdhënësit e këtij vendimi politik për rrënimin e objektit të Kullës së Jetimit si dhe pezullimit të SHHB” Kalliri i Mirësisë”, qofshin ata lokal apo qendror, mos të befasohen dhe të thonë që nuk e kanë  ditur.

              25.09.2014