Jeta është një provë

0
182

Jeta është një provë e cila mbyllet me sukses vetëm me anë të devotshmërisë dhe punëve të mira. Shpesh njeriu e harron qëllimin e tij përfundimtar dhe e kalon jetën në gjurmim të dëshirave dhe pasioneve të ulëta. Ndjekja e dëshirave të nefsit, çfarëdo qofshin ato, është formë idhujtarie. Shejtani është armiku i jashtëm i njeriut, ndërsa nefsi armiku i tij i brendshëm. Mbani vesh! Armiku i brendshëm është shumë më i rrezikshëm se ai i jashtmi.

Jini të kujdesshëm dhe kërkojini llogari herë pas here vetes suaj. Të harrosh veprat e mira dhe të pendohesh e të kërkosh falje për mëkatet është një virtyt i lartë që e kanë pasur të parët tanë të mëdhenj. Kryejini detyrat islame, me apo pa hir dhe bëjeni pjesë të karakterit tuaj fshehjen e veprave të mira. Asnjëherë mos i reklamoni ato. Gënjeshtra, shpifja, lakmia, zilia dhe arroganca janë të gjitha sëmundje shpirtërore. Kërkojini ndihmë Allahut duke e përkujtuar Atë dhe duke reflektuar nëse ndjeni thumbimet e këtyre sëmundjeve brenda jush. Ruajeni veten nga hipokrizia dhe udhën e veprave të mira dhe devotshmërisë bëjeni qëllimin e jetës suaj. Frika dhe shpresa janë krahët e një zogu fluturues, prandaj vazhdoni në vepra të mira dhe frikësohuni nga e keqja e mëkateve tuaja. 
Lexoni libra që flasin për biografinë e njerëzve të madhenj. Dhe pse mund të jeni në të drejtë e në të vërtetë, largojuni debateve dhe konsiderojini ato të rrezikshme për ju. Mbani mend se e qeshura e tepërt e vdes zemrën, prandaj kujdes! Faleni rregullisht namazin e sabahut sepse kjo është traditë e njerëzve të mëdhenj, që kanë jetuar e që vazhdojnë të jetojnë. Preokupojeni veten gjithmonë me diçka dhe nxiteni atë për obligimet familjare: një mendje që rri kot është punishtja e djallit. Respektojini të moshuarit dhe jini të mëshirshëm me më të vegjlit. Zhvillim shpirtëror është ndërtimi i një karakteri të lartë dhe etike të pëlqyer; ata që nuk kanë moral dhe etikë, nuk kanë hise në lartësimin shpirtëror.

Përktheu: Ermira Pashai

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here