I JAM MBËSHTETUR ALLAHUT

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, të Gjithëmëshirëshmit
Çdo njeri që kalon nëpër këtë botë dhe e lëshon këmbën e tij në tokë, ka nevojë për ndihmëtar, ka nevojë për dikë që të mbështetet tek Ai, t’i mbështetet Atij me gjithë zemër.
Për këtë arsye mbështetja tek Allahu (tevekuli)[1] në fitimin e të mirave, largimin nga të këqiat, fitimin e rrizkut, ndihmën ndaj armiqëve, shërimin e sëmundjeve e të tjera të ngjashme me to, është nga gjërat më të rëndësishme dhe nga obligimet më të domosdoshme. Gjithashtu, është prej cilësive të besimtarëve dhe kushteve të besimit, sikurse është nga shkaqet e forcimit të zemrës dhe sigurisë e rehatisë së shpirtit.
Ajetet kuranore që obligojnë mbështetjen tek Allahu, janë të shumta.
Allahu i Madhëruar thotë në suren Maide: “…Mbështetuni Allahut, nëse jeni besimtarë…” Gjithashtu, në suren Ali Imran thotë: “ …Nëse vendos për diçka, mbështu Allahut…”
Allahu i Lartësuar kur përmend cilësitë e besimtarëve në suren Enfal thotë: “Besimtarë të vërtetë janë ata të cilët kur përmendet Allahu u rrënqethen zemrat (nga frika), e kur u lexohen ajetet e Tij (Kurani), u shtohet besimi dhe tek Zoti i tyre janë të mbështetur.”
Gjithashtu, Profeti (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë në hadithin që e transmeton Muslimi nga Imran bin Husain, i cili thotë se i Dërguari i Allahut ka thënë se do të hyjnë në xhenet nga umeti im shtatëdhjetëmijë vetë pa llogari. E pyetën se kush janë ata, o i Dërguari i Allahut? Tha: “Janë ata të cilët nuk kërkojnë të shërohen me rukje[2], nuk i ndalon ata pesimizmi[3] nga kryerja e asaj pune që e kanë vendosur, nuk shërohen me zjarr (me djegie[4]) dhe i mbështeten Zotit të tyre.”
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë “Na mjafton Allahu, Ai është Mbështetësi më i mirë që rregullon punët e njerëzve. Ibrahimi (alejhi selam) ka thënë kur u hodh në zjarr, gjithashtu e ka thënë Profeti Muhamed (Paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) kur i thanë: “Me të vërtetë njerëzit (jobesimtarët ) janë mbledhur kundra jush, frikësohuni atyre! Porse atyre, iu shtua besimi dhe thanë: “Na mjafton Allahu, Ai është Mbështetësi më i mirë që rregullon punët e njerëzve” (Buhariu)
Gjithashtu, transmetohet nga Umer bin Khatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse i mbështeteni Allahut të Madhëruar me mbështetje të plotë, do t’ju japë rrizkun (do t’iu furnizojë juve) ashtu sikurse ia jep rrizkun zogjve të cilët dalin të uritur dhe kthehen të ngopur.” (Ahmedi dhe Tirmidhi)
Realiteti i mbështetjes në Allahun e Madhëruar
Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mbështetja në Allahu e Madhëruar është sinqeriteti i mbështetjes me zemër në Allahun e Lartmadhëruar, në arritjen e të mirave, largimin e të këqijave në të gjitha çështjet e dynjasë dhe ahiretit, si dhe besimi se Allahu i Lartësuar është i Vetmi që rregullon punët e robërve të Tij, sipas dëshirës së Tij dhe se askush tjetër, përveç Tij, nuk mund ta ndalojë atë që Ai jep (rrizkun) e as nuk mund të japë atë që ai e ndalon, as mund të sjellë dëm apo dobi, vetëm se me lejen e Tij.”
Ibn Kajimi ka thënë: “Mbështetja tek Allahu i Madhëruar është gjysma e fesë. Gjysma tjetër është pendimi (kthimi) tek Allahu. Feja është kërkim i ndihmës (tek Allahu) dhe adhurim. Kërkimi i ndihmës është teuekul, ndërsa adhurimi është pendimi (kthimi) tek Allahu i Madhëruar. Pozita e teuekulit është ndër pozitat më të gjera dhe më përmbledhëse, e cila gjithmonë mbush zemrat e njerëzve dhe i çliron ata nga nevojat e shumta që kanë. Të gjitha krijesat kanë nevojë për mbështetjen tek Allahu i Madhëruar, e veçanërisht besimtarët, ata i mbështeten Allahut në besimin e tyre, në ndihmën e fesë së Tij, në ngritjen e fjalës së Tij “La ilahe il Allah”, në luftimin e armiqëve të Tij, në dashurinë e Tij, si dhe në përbmushjen e urdhërave të Tij.”
Hasan el Basriu ka thënë: “Mbështetja e robit në Allahun është që ta dijë se Allahu është më i besueshmi i tij.”
Ndërsa Sejid bin Xhubejri ka thënë: “Teuekuli është i gjithë imani (besimi).” Disa prej selefëve[5] thonin: “Kush dëshiron të jetë nga më të fortët, le t’i mbështetet Allahut.”
Gjithashtu, Salim bin Abi Xhad ka thënë: “Më kanë thënë se Isai (alejhi selam) thoshte: ‘Punoni për hir të Allahut, e jo për hir të barqeve tuaja! Kini kujdes angazhimin (zënien) me dunjanë, se me të vërtetë zënia (marrja) me dynja është e poshtëruar tek Allahu i Madhëruar. Zogjtë në qiell dalin dhe kthehen e nuk mbajnë nga rrizku gjë, nuk mbjellin e as nuk korrin, Allahu i furnizon ata. Nëse thoni se barqet tona janë më të mëdhenj se barqet e tyre, egërsirat, lopët, gomarët, etj., shkojnë dhe kthehen e nuk mbajnë nga rrizku gjë, nuk mbjellin e as nuk korrin. Allahu i furnizon ata.
Vëlla musliman!
Dije se mbështetja në Allahun është më e lartë se sa t’i mbështetesh Allahut në kërkimin e pasurisë dhe arritjen e mirësive në këtë botë; ka gjëra më të mëdha dhe më të dobishme por robin.
Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Mbështetja tek Allahu është më e gjërë se sa mbështetja në përfitimin e të mirave të kësaj bote, ai që i mbështetet Allahut, mbështetet për rregullimin e zemrës se tij, fesë së tij, mbështetet për ruajtjen e gjuhës së tij, pasioneve (dëshirave) të tij, pa dyshim, kjo është ndër gjërat më të rëndësishme, një gjë të tillë robi e bën kur është në namaz, kur i flet Allahut, Krijuesit të tij: “Vetem Ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë.)” (Fatiha, 5)
Kuptimi i gabuar i teuekulit
Ndodh që disa njerëz ta kuptojnë mbështetjen tek Allahu si lënie pasdore e shfrytëzimit të trupit, mosrregullim i zemrës si dhe moskërkim i rriskut. Ky është mendimi i injorantëve të cilin Islami e ka ndaluar.
Nuk ka dyshim se lënia e përfitimit të pasurisë nuk është prej teuekulit, por është vepër e dembelëve që e pëlqejnë jetën (rehat) pa brenga, të lirë dhe justifikohen me teuekul.
Ibn Rexhebi ka thënë: “Dije se realiteti i teuekulit nuk mohon kryerjen e shkaqeve për të arritur atë që të ka caktuar Allahu. Allahu i Madhëruar ka urdhëruar që njeriu të kryej punën dhe t’i mbështetet Allahut për rezultatin e saj. Ky është ligji i Allahut për krijesat e Tij.”
Pra, kryerja e shkaqeve me vepra është bindje ndaj Tij, ndërsa mbështetja me zemër është besimi tek Ai. Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran “O ju që keni besuar! Kini kujdes nga jobesimtarët…”. (Nisa, 71)
Gjithashtu thotë: “Përgatituni kundër tyre (armiqve) me të gjithë fuqitë që keni dhe kuajt e luftës.” (Enfal, 60)
Gjithashtu thotë: “Pasi të mbarojë falja shpërndahuni në tokë dhe kërkoni nga mirësitë e Allahut.” (Xhumua, 10)
Transmeton Enesi se një person tha: “O i Dërguar i Allahut, a ta lidh (devenë) e t’i mbështetem Allahut, apo ta lë të lirë e t’i mbeshtetem Allahut?” Tha: “Lidhe dhe mbeshtetu Allahut!” (Tirmidhiu)
Muavije bin Kura ka thënë: “Umer bin Hatabi takoi disa njerëz nga Jemeni dhe i pyeti: “Kush jeni ju?” U përgjigjën: “Ne jemi ata që i jemi mbeshtetur Allahut.” Umeri tha: “Jo, ju jeni vetem ngrënës, sepse ai që i mbështetet Allahut, është ai që e hedh kokrën (farën) në tokë dhe mbështetet në Allahun e Lartëmadhëruar për prodhimin e saj.”
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Populli i Jemenit bënin Haxhin dhe nuk merrnin me vete ushqim dhe thonin: ne i jemi mbështetur Allahut, pastaj lypnin nga banorët e Mekës, e pastaj zbriti fjala e Allahut “Përgatituni për udhëtimin (duke marrë ushqim dhe çfarë nevojitet në të), porse përgatitja më e mirë është devotshmëria[6].” (Bekare, 197) Transmeton Buhariu.
Vëlla i dashur!
Mbështetja e myslimanit tek Allahu, është vepër dhe shpresë, duke qetësuar zemrën, rehatuar shpirtin, si dhe duke qenë i bindur plotësisht se ajo që do Allahu të ndodhë, do të ndodhë, ndërsa ajo që nuk do Allahu të ndodhë, nuk do të ndodhë. Allahu i Lartësuar nuk ia humb shpërblimin atij që bën vepra të mira.
* Njerëzit në tevekul ndahen në tri grupe:
Ai që shtiret (hiqet) sikur i mbështetet Allahut, porse në të vërtetë nuk i merr parasysh shkaqet e duhura. Ky është në kundërshtim me ligjin e Allahut në univers.
Ai që i merr parasysh shkaqet, porse nuk mbështetet në Allahun e Madhëruar. Ky grup janë materialistët dhe ndjekësit e tyre.
Ndërsa pasuesit e të vërtetës, marrin parasysh çdo shkak, pastaj i mbështeten Allahut të Madhëruar. Kjo është mënyra e të dërguarve dhe pejgamberëve si dhe e atyre që i ndjekin ata. Këta punojnë për xhenetin dhe mbështeten tek Allahu, punojnë për të mirën e tyre në këtë botë dhe mbështeten tek Allahun, luftojnë, përgatiten dhe janë fort të mbeshtetur tek Allahu Fuqiplotë.
Vëlla besimtar!
Pejgamberi (Paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu nga besimtari i dobët, dhe në çdonjërin ka hajr[7]. Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmë nga Allahu e mos u bë pessimist! Nëse të godet ndonjë gjë, mos thuaj sikur të veproja kështu, do të ndodhte kështu, por thuaj ka caktuar Allahu, bëri çfarë deshi. Vërtet fjala “sikur” hap punën e shejtanit.” (Muslimi)
Gjithashtu, transmeton Enesi se Pejgamberi (Paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë:
“Bismilah, teuekeltu ala Allah ue la hauele ue la kuete ila bilah.”
“Kush thotë kur del nga shtëpia “Bismilah, iu mbështeta Allahut, s’ka fuqi as ndryshim përveçse me Allahun!” I thuhet: “U udhëzove, u mbrojte, u mjaftove dhe i përulet atij shejtani”. (Tirmidhiu , Ebu Davud) Ebu Davudi ka transmetuar në trasmetimin e tij: “…Dhe shejtani thotë: “Çfarë t’i bëj atij njeriu që është udhëzuar, mjaftuar dhe mbrojtur?”
Lus Allahun të na bëjë nga ata që i mbështeten Atij në mënyrë të saktë, të na furnizojë kthimin (pendimin) tek Ai, bindje dhe nënshtrim ndaj Tij dhe që të kemi nevojë vetëm për Të, nga askush tjetër!
Paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.