Hoxhallarët figura të shquara të kombit

0
357

427745_576464465701523_1349511116_nMr.Rexhep Suma

(Shkrim i vonuar, por me peshë…vrj: Redaksia Besimtari.com)

Hafiz Ali Korça qe nga mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtores së parë shqipe. Aty dha pa pagesë edukatë islame . Kur jemi tek rëndësia e përdorimit dhe peshës së gjuhës së ëmbël shqipe, Hafiz Ali Korça i kushtoi rëndësi të madhe përdorimit të gjuhës shqipe në funksion të çështjes së unitetit kombëtar në mendimin politik të ulemasë shqiptare. Duke e parë gjuhën në këtë funksion, thoshte: “Nuk duhet të mbushim gjuhën tonë engjëllore me gjëmba e ferra se nuk i qërojmë dot më vonë”.

Shqipëria dhe shqiptarët shënojnë vitin jubilar 100-Vjetorin e ngritjes së Flamurit, Shpalljes së Pavarësisë  dhe themelimit të Shtetit Shqiptar. Për këtë datë historike nga të gjitha trojet etnike dhe më gjerë  janë  bajtur e vazhdojnë të organizohen aktivitete të shumta – konferenca, sesione shkencore, debate,  analiza, manifestime kulturore, etj. etj., që tregojnë  historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri  e pavarësi, për arsim e shtetndërtim, krijim të  dentitetit kombëtar, ruajtje të vlerave shqiptare islame dhe kultivimin e trashëgimisë së madhe kulturore e të harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare në mesin e shqiptarëve. Për veprimtarinë në të kaluarën, për figurat kombëtare islame është shkruar fare pak, për mungesë gjurmimesh e studimesh, e më vonë për shkaqe të njohura nuk janë paraqitur sa dhe si duhej në shtypin tonë për shkaqe ideologjike e politizuese vetëm sepse ata ishin ulema.

Nga personalitetet fetare islame, jo vetëm që ka pasur shkrimtarë dhe njohës të gjuhës kombëtare, por ka pasur edhe punëtorë të pavdekshëm, misionarë të palodhshëm të kauzës kombëtare. Të gjithë këta krijues dhe personalitete fetare islame, që u morën me veprimtari letrare, pasuruan kulturën kombëtare, e cila paraqet pasqyrën më të kthjellët për të parë shpirtin dhe karakterin e një populli në periudha të caktuara historike. nuk ka dyshim se këto aktivitete kulturore kombëtare dhe krijuese, ndikuan dhe i hapën rrugën lindjes dhe zhvillimit të periodikut shqiptar në përgjithësi, dhe atij islam shqiptar në veçanti. Në këtë vazhdë, në analet historike me shkronja të arta, krahas shumë rilindësve e burrave që dhanë shumë për këtë atdhe, prijnë edhe rilindësit nga fusha fetare, të cilët të shumtën e rasteve ishin në ballë të Organizimeve, Kuvendeve, Lidhjeve, Luftërave për mbrojtje të Atdheut. Pra, ishin edhe prijësit e fesë islame me detyra fetare, duke filluar nga imamë xhamish, ligjërues, myderrizë, hafëzë, myftinj, kryemyftinj, kadinj, profesorë dhe kryetarë të Bashkësive Islame, të cilët punuan në rrethana e kushte shumë të rënda dhe përballuan me sukses të gjitha sfidat për krijimin, ngritjen dhe konsolidimin e Shtetit Shqiptar. Në ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e mëvetësisë së Shtetit Shqiptar më 28 Nëntor1912, krahas figurave patriotike të të gjitha besimeve në Shqipëri, do të ishin pikërisht prijës myslimanë, hoxhallarë, myderrizë, imamë, pedagogë e studiues, të nisur nga parimet dhe brumosja me edukatën islame që obligon dashurinë dhe mbrojtjen e atdheut, dhe kështu shkruan historinë e Kombit tonë. Pa dyshim që në krye të tyre ishte haxhi Vehbi Dibra, që hodhi firmën mbi aktin e Pavarësisë duke vënë një gur të fortë në themelimin e Shtetit. H. Vehbi Dibra jo vetëm do të jepte fetvanë (ligjshmërinë islame) për përdorimin e flamurit me shqiponjën dykrenare, por më 1912 do të ishte kryetari i parë i Pleqësisë (Kuvendit apo Senatit) Shqiptar, i zgjedhur me propozim të Luigj Gurakuqit. Më pas H. Vehbi Dibra u ngarkua nga kuvendi me detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë për organizimin e Komunitetit Mysliman në maj 1913 dhe më 24 shkurt 1923, në Kongresin e Parë Mysliman, mbajtur në Tiranë, ku kishte një përfaqësi mbarëkombëtare, Kryemyftiu i Shqipërisë, i emëruar nga Qeveria e Vlorës, do të zgjidhej kryetari i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Ai që për 17 vjet resht qëndroi në krye të hiearkisë më të lartë të ulemasë myslimane, u drejtohej hapur besimtarëve: “ Kristianë e muslimanë janë vëllëzër shqiptarë të pandarë… Ta duam njëri tjetrin..t’i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllëzër si bij të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, klerikët myslimanë, së bashku me ata të besimeve të tjera, radhiteshin në personalitete politike e shoqërore dhe krah përpjekjeve të lëvizjes kombëtare. Roli i ulemasë ishte i hershëm në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe ata bënë thirrje për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet. Viti 1878 ishte më i spikaturi në këtë drejtim, kur nën drejtimin e myderrizit të popullit – haxhi nYmer Prizrenit, u mbajt “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” në të cilën morën pjesë edhe shumë ulema të tjerë, si Halim ef. Ramadani, Ahmet ef. Korenica, Hafiz Ymer Guta, Hasan ef. Shllaku, Hafiz Myrteza Luzha, Jusuf ef. Podgorica e shumë e shumë dijetarë islamë të tjerë nga trojet shqiptare. “Lidhja e Pejës” me Haxhi Zekën, Shpallja e Pavarësisë me Vehbi e Ismet Dibrën, Daut Boriçin e me ulemanë shkodranë, Sherif Langun e Ferit Vokopolën, Hafiz Ali Korçën e Hafiz Ibrahim Dalliun e të tjerë, mbrojtja e Kosovës me Hoxhë Kadri Prishtinën, Rrystem Shportën, Iljaz Brojën, Mulla Idriz Gjilanin. Duhen përmendur patjetër fjalët shumë kuptimplota dhe shumë domethënëse të mualimit Mulla Idriz Gjilani: “S’ka fe pa atdhe.. Të ndihmojmë njëri-tjetrin me fjalë, me penë, me pasuri, të duhemi si vëllëzër…. Lexoni, o mualimë të urtë, sa e mirë dhe sa e kuptueshme është feja islame kur shpjegohet shqip, në gjuhën e Zotit për shqiptarët… Kemi tri fe, por vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vllaznor, një gjuhë e një Diell, Një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi vllaznimin dhe mbrojtjen e Atdheut”.

 Po ashtu, një kontribut të madh kanë dhënë edhe institucionet fetare islame, si xhamitë, meketebet, medresetë, teqetë etj., të cilat ishin çerdhe të përpjekjeve për mbijetesë dhe pavarësi të shqiptarëve, si Kompleksi i medresesë “Mehmed Pasha”, xhamia “Sinan Pasha” e Prizrenit, medreseja “Pirinazir” e Prishtinës, Medreseja e Tiranës, Medreseja e Isa begut dhe medreseja “Meddah” e Shkupit, Medreseja e Madhe e Gjakovës etj. e deri tek kontributi që ka dhënë në dekadat e fundit medreseja “Alauddin” në Prishtinë, ku gjatë viteve ‘89-‘99 u mbajtën 1230 tubime të karakterit politiko-shtetformues, nëpër të cilën kaluan kokat më të ngritura e të ditura, për ta bërë Kosovën shtet.

 Ulemaja myslimane shqiptare ka dhënë kontribut të çmuar në ruajtjen e kulturës dhe të traditës kombëtare shqiptare, sidomos kontribut të madh kanë dhënë në ruajtjen e gjuhës shqipe, sepse këshillat, mësimet fetare i bënin në gjuhën shqipe. Veç kësaj, në gjirin e këtyre personaliteteve fetare kanë dalë edhe shkrimtarë e poetë të njohur si Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Ismail Floçi, Dalip Frashëri, Hafiz Ali Ulqinaku etj.. Edhe pse kishin shkruar me alfabet arab, është mjaft që ta shkruanin shqip dhe që i treguan popullit se gjuha e tyre shqipe mund të shkruhej. Me kulturën e tyre prej myslimanësh të devotshëm, i ofruan Kombit shqiptar dimensione qytetëruese evropiane. Figurat unikale të Historisë së Shqipërisë, që krijuan një buqetë vlerash mirëkuptimi dhe dashurie ndërnjerëzore për Kombin tonë si: Bektashijtë (familja Frashëri duke filluar nga Naimi e deri tek Mit’hat Frashëri, Hoxha Tahsini më 1872 hartoi një alfabet, krejt të ri, të cilin e quajti alfabet metodik shqiptar. Në fletën, ku shënoi alfabetin, H.Tahsini shkroi: “Në doni të bëheni komb i qytetëruar, ashtu si kombet e tjera të Evropës, duhet të shkruajmë gjuhën, të krijojmë letërsinë tonë kombëtare”.

Hoxha Tahsini ishte shumë i interesuar për përhapjen e shkrimit shqip. ..Me Ismail Beun u bashkuan edhe Vasa e Kristoforidhi. Kristaq efendiu…(tha)… se kjo çështje u përket atyre.. që janë me kulturë… d.m.th. Hasan Tahsin Efendiut, Ismail Beut ,Vasës e Kristoforidhit. Në këtë mënyrë u bindën edhe të parët. Por Ismail Beu u caktua guvernator dhe u urdhërua të shkonte në postin e tij. Kështu u mbeti Hasan Tahsin efendiut, Vasës e Kristoforidhit, të mblidheshin e të mendonin për punën e alfabetit. (Hoxhë Hasan-Tahsin efendiu, Tiranë 1998.f.74) Ai në Filat hapi një qendër për përhapjen e shkrimit shqip dhe për zgjimin kombëtar të masave. Mirëpo, pas këtij aktiviteti, më 17 prill 1874, u arrestua në Janinë dhe nga Janina e dërguan në burg të Stambollit. Pas daljes nga burgu, me angazhimin e Ismail Qemailit, ai filloi të vepronte si gjysmë ilegal. Kështu, më 1875 e shohim së bashku me Kristoforidhin në një shoqëri, duke propaganduar arsimin kombëtar. Hafiz Ibrahim Dalliu (1878) njihej mirë me rilindësit tanë, por njihte edhe letërsinë botërore. Që në moshë të re u bë mësues i gjuhës shqipe qe dhe, poashtu nga ata që ndihmuan të hapej shkolla e vajzave në Tiranë (1908), qe dhe në Kongresin e Elbasanit (1908) si delegat i Tiranës. Ishte edhe mësues në Shkollën Normale të Elbasanit, bashkë me figura të tilla të njohura, si Aleksandër Xhuvani. Dalliu ishte edhe atdhetar i mirë. Ai pati thënë: “Le të bahet mereqep (bojë) gjaku im, qi populli shqiptar të shkruej gjuhën e vet…” Islami njeh dhe zbaton aq shumë gjuhën kombëtare…”

Elita fetare duhet të vendoset në piedestalin e histories. Për kontributin e ulemave në ngritjen, zhvillimin dhe shpalljen e Pavarësisë, kanë folur me fjalë miradije dhe krerët e Shtetit shqiptar dhe vendeve tjera. Kryeministri Sali Berisha ka thënë se elita fetare duhet të vendoset në piedestalin e historisë, për kontributin që ka dhënë për vendin tonë.“Roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtërorë të kombit, të besimit mysliman, ortodoks dhe katolik në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë është injoruar dhe është harruar dhe kjo është shumë e vërtetë. Kjo e vërtetë e hidhur ka shpjegimin e vet të qartë, sepse për diktatorin në Shqipëri, armiku më të egër se besimet tek Zoti nuk kishte. Ndaj dhe ai ndërmori ndaj tyre barbaritë më të pashembullta në historinë moderne të njerëzimit. Në Kosovë dhe në trojet shqiptare pushtuesi donte t`u impononte besimin e tij, ndaj dhe ky kapitull i rëndësishëm i historisë sonë duhet të dalë dhe të vendoset në piedestalin që meriton”, është shprehur kryeministri Berisha.

Personalitete të shquara kombëtare e fetareNdër personalitetet, që kontribuan në çështjen kombëtare, janë edhe figurat e shquara të Rilindjes sonë Kombëtare:

Mulla Isuf Kraja (1849-1912), Hafiz Ali Riza Ulqinaku (1853-1913), Rexhep Voka (1847-1903), Hoxhë Kadri Prishtina (1878-1925), Mehmet Hoxha- Hoxhë Bruti (1884-1924),Mehmet Akif Ersoj (1873-1936), Haxhi Vehbi Dibra, komentatori më i mirë i Kur’anit në gjuhën shqipe, (1867-1937) (6). Janë edhe: Ismail Ndroqi (1876-1944), Hafiz Ali Korça (1873-1956), Hafiz Ymer Shemsiu(1895-1945), Mulla Idriz Gjilani (1901-1949), Hafiz Ibrahim Dalliu(1881-1952). Ymer Prizreni, Haxhi Zeka etj etj.

Sa për ilustrim, Hafiz Ali Korça qe nga mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtores së parë shqipe. Aty dha pa pagesë edukatë islame . Kur jemi tek rëndësia e përdorimit dhe peshës së gjuhës së ëmbël shqipe, Hafiz Ali Korça i kushtoi rëndësi të madhe përdorimit të gjuhës shqipe në funksion të çështjes së unitetit kombëtar në mendimin politik të ulemasë shqiptare. Duke e parë gjuhën në këtë funksion, thoshte: “Nuk duhet të mbushim gjuhën tonë engjëllore me gjëmba e ferra se nuk i qërojmë dot më vonë”.

 Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i ministrisë së  arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, Shef i Fetva-eminit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj.. Gjatë jetës së tij, Hafiz Ali Korça bashkëpunoi

me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç qenë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.. Bile, në arkivat e historisë shkruhet se ai ishte ithtar i flaktë i shkronjave shqipe, saqë nga disa për këto qëndrime u quajt “llatinxhi”, u shpall armik i shtetit dhe prej tij u kërkua që të hiqte dorë nga alfabeti latin, ose do të zhdukej fizikisht. Ndaj Hafiz Aliut filloi fushata për të shqetësuar atë dhe familjen për 7 muaj rresht; persona të panjohur hidhnin gurë mbi shtëpinë e tij. Me anë të një shkrese për këto veprime, kishte lajmëruar valiun e Manastirit, Nuredin Beun, të cilit i thoshte: “… nga gurët që prej shumë kohësh vazhdimisht po më falakërihen nga gjithë anët, përmbi shtëpitë s’ka mbetur as tjegull as xham, krejt janë bërë bërllok. Nuk asht e mundur banimi në këtë shtëpi, se shiu e bora rrjedh brenda”. Kjo, sipas tij vinte nga “ndodhja ime shqiptar”, që e thotë në një poezi:

Shqiptar më krijoi Zoti.

E ç’fajë kam un’ i gjori.

Autori i parë i rëndësishëm i letërsisë shqipe me alfabetin turko-arab ishte Nezim Frakulla, i cili rrjedh nga një familje feudale e fshatit Frakull të Beratit. Ka lindur në pjesën e dytë të shek. XVII, si duket rreth viteve 1680-1685. Kishte studiuar në medresetë e Beratit.

 Pa dyshim, Nezimi nuk qe i pari që vjershëroi shqip sipas frymës e modeleve orientale, po ai u ngrit më lart se pasardhësit e vet, pasi i pari bëri një vepër të plotë e të madhe, me të cilën fitoi emër, si themelues i një rryme të re letrare. Ai mburret se ngriti lart dhe e pasuroi gjuhën shqipe të lënë pas dore, se është i pari që ka shkruar një divan shqip.

 Keshtu, kur udhëton nëpër historinë shqiptare dhe flet për këto lëvizje e përpjekje mbarëkombëtare, kupton se një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë, të cilët të shumtën ishin prijës myslimanë me detyra fetare, që nga imamë xhamish e deri drejtues të lartë, si myftinj, kryemyftinj, kadinj, myderrizë dhe kryetarë komuniteti, të cilët, në kushte e rrethana të ndryshme dhe shpesh herë mjaft të vështira, punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe kontribuuan për forcimin dhe konsolidimin e këtij shteti, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në formimin e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit tonë.Në mars të vitit 1924, me vendim të Kongresit të Parë Mysliman, u hap Medreseja e Naltë, që më vonë u quajt Medreseja e Përgjithshme e Tiranës. Këtë shkollë, e cila shumë shpejt u bë djepi i dijes dhe kulturës kombëtare, e kanë drejtuar personalitete të shquara si: Qamil Bala, Hafiz Ismet Dibra, Jonuz Buliqi, Haki Sharofi, Esat Myftia etj..Më pas, shkrimet kundër ideve komuniste vijnë në revistën “Zani i Naltë”, numrat e parë të së cilës u botuan më 1923. Kurse gjatë kohës së komunizmit, të gjithë ata hoxhallarë dhe atdhetarë, që kundërshtuan idetë shkatërrimtare të këtij regjimi, u përndoqën, u burgosën, u internuan dhe u vranë, por as kjo nuk mundi të shkulte rrënjët e besimit në vendin tonë. Krijues të tjerë letrarë kombëtarë në fillimet e Rilindjes ishin edhe dy krijuesit shkodranë – Mulla Hysen Dobraci dhe Mulla Sali Pata. Ndër ata që lanë emër në fushë të kulturës shqiptare me frymë fetare dhe moralizuese edukative arsimore, janë edhe Tahir efendi Boshnjaku, Muharrem Mazuni, Sheh Sylejman Tehmani, Abdullah Melqani, Hasan Hoti, Sheh Ahmet Elbasani, Mulla Ramadani, Sheh Osman Leskoviku, Sheh Elmazi edhe Hoxhë Dobi, Tahir Lluka etj..

 Nga kontribuesit e denjë të çështjes kombëtare, është edhe Mulla Iljaz Spahia. Ishte hoxhë, mësues, arsimdashës, dijetar, atdhetar, luftëtar… Luftojë për të drejtat e popullit shqiptar, për bashkimin kombëtar… Për këtë u burgos, u masakrua, u pushkatua, por nuk është pendua kurrë… Mulla Iljazi del krenar nga kulla e Sokol Ymerit, por bishat menjëherë e godasin hoxhën, e lidhin e të lidhur e torturojnë, kurse të nesërmen në mëngjes, më 8 shkurt 1946, e pushkatuan. Fjalët e fundit të tij, para pushkatimit, qenë amanet, porosi, për çdo brezni: “Ne, si të gjithë shqiptarët e tjerë, s’kemi ç’presim tjetër prej jush, pos plumbit dhe thikës pas shpine.  mashtroheni se mund ta zhdukni këtë popull, se mund ta shtypni shpirtin liridashës të tij. Njëlloj si të parët tanë, edhe neve ua kemi lënë porosi brezave që të mos kenë besë në racën tuaj”. Mulla Iljaz Broja, gjatë shërbimit në Xhaminë e Burojës, nuk u kufizua vetëm në shërbesat fetare, po zgjeroj veprimtarinë edhe në çështjet arsimore, kulturore, kombëtare…Nga zullumi, nga gazepi i Serbisë, nëpër malet e Kosovës filluan të vepronin çetat e lirisë. Ndërsa, nëpër malet e Drenicës dëgjoheshin pushkët e çetës së Azem Galicës… Azem Bejta, me luftëtarët e tij, që luftonin për lirinë e Kosovës, ndodhte shpesh të gjenin prehje, pushim e strehim, në Xhaminë e Burojës… Mulla Iljazi nga Xhamia e Burojës mbante lidhje të vazhdueshme edhe me Hoxha Kadri Prishtinën në Shkodër, drejtuesin e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës.

Shkurtore

Të gjithë ulematë islamë që u përmendën e që nuk janë përmendur në këtë shkrim, E lusim Zotin t’i ketë shpërblyer me xhenetul firdevs. Figurat kolosale fetare islame vazhdimisht janë në shërbim të kësaj toke shqiptare. Interesi shtetëror e kombëtar mbetet mision i ulemave. Prandaj, qarqet intelektuale duhet të bëjnë më shumë kërkime e gjurmime shkencore dhe, në radhë të parë, historianët e kanë për obligim shkencor të zbardhin të gjitha faktet historike të inkuadrimit të ulemave në proceset më jetike dhe më dramatike për të ardhmen e kombit tonë. Krahas kësaj, për pjesën e historisë, që është devijuar dhe figurat e ulemasë janë shtrembëruar e nakatosur pa fakte e pa argumente, gjeneratat e reja do të hulumtojnë këto gjurmë, të liruar nga komplekset e botëkuptimet e gabuara, që kanë disa nga profesorët e akademikët tanë.

 

Mr.Rexhep Suma

/Besimtari.com/Dituria Islame 2012

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here