Haxhi dhe nxitimi për kryerjen e tij

0
255

I gjith Hamdi –falënderimi- i takon vetëm Allahut, Krijuesit të mbarë botërave, salavatet, selamet dhe bekimet tona, ia dërgojmë krijesës më te dashur, Muhamedit alejhisselam, familjes se tij të dashur, shokëve të tij të ndershëm dhe mbarë besimtarëve, të cilët ndjekin rrugën e tij deri sa të jet jeta në këtë botë.

I nderuar lexues

Allahu i Madhërishem me zbritjen e Kur’anit famëmadh, jo vetëm që nxori njerëzimin nga errësirat në dritë, por zbukuroi edhe muajt e vitit me sezona të ibadetit dhe adhurimit. Para dy muajve neve jetuam sezonin e muajit të bekuar të Ramazanit, ku për hir të Allahut agjëruam me të gjitha gjymtyrët, vetëm për të arritur kënaqësinë e Krijuesit Fuqiplotë, kurse tani po i afrohemi një ibadeti, i cili dallon nga ibadetet e tjera, fjala është për një udhëtim të shenjtë, udhëtim, i cili përkujton shkuarjen për tek Allahu në botën e amshuar. Udhëtim, i cili të kujton veshjen e bardh, me të cilën vishet i vdekuri ditën kur largohet nga kjo botë. Udhëtim drejt nje turme te madhe njerëzish në Arafat, të cilët të kujtojnë ringjalljen dhe tubimin ditën e Llogarisë. Udhëtim i cili ka ngjashmëri me atë që na pret ditën kur nuk do të vlej as pasuria dhe as fëmija. Në udhëtim njeriu ndahet nga shumë të mira të kësaj bote në mënyrë që të arrij synimin e tij, edhe haxhi si i tillë, të bënë që të ndahesh nga familja, pasuria, qetësia dhe rehatia, me të vetmin qëllim për të arritur kënaqësinë e Allahut.

Nëse flasim për namazin, pa dyshim se namazin mund ta kryesh në cdo vend, i cili është i pastër dhe nuk nevojiten të holla, kjo vlen edhe për agjerimin, apo dëshminë (shehadetit), mirëpo, kur jemi të obligimi i kryerjes se Haxhit, atëherë themi se Haxhi ka specifikat e veta, ai nuk mund të kryhet në cfarëdo kohe dhe në cfarëdo vendi, si rrjedhojë, haxhi ka kohën dhe vendin e caktuar të kryerjes.

Allahu i Madhërishem haxhin e bëri që ne të fitojmë kënaqësinë e Tij. Në këto vende kanë ecur shumë Pejgamberë të Allahut, vende në të cilat jetuan dhe vepruan gjeneratat më të arta, që ndonjëherë ka njohur historia, respektivisht, në këto vende, jetuan dhe sakrifikuan shokët e Resulullahut alejhisselam, prandaj, kryerja e haxhit është një obligim tejet i rëndësishem në jetën e besimtarit, i cili sado që të orvatemi për ta spjeguar dhe elaboruar me fjalët tona, nuk do mund t’ia dalim, haxhi është një rit fetar të cilin besimtari e ndien në shpirt dhe kjo ndjenjë nuk mund të përshkruhet me fjalë.

I nderuar lexues, për të kuptuar vlerën e haxhit dhe dobitë e tij, duhet që shkurtimisht të njihemi me disa mësime kur’anore dhe profetike.

Fillimisht, haxhi është bërë obligim në vitin e nëntë hixhri, në një vit ku Pejgamberi aljehisselam, pranonte shumë delegacione, të cilat kishin ardhur për ta pranuar Islamin. Vargu kur’anor, i cili dëshmon obligueshmërinë e haxhit, është si vijon: “vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit“. (Ajeti, 97)

Përvec ajetit kur’anor, kemi edhe fjalët e Pejgamberit alejhisselam, fjalë të cilat na i përcjell biri i Omerit –Allahu qoftë i kënaqur me te dy-, ku thotë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk meriton te adhurohet askush me te drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi dhe agjërimi i Ramazanit“.

Haxhi është vepra më e dashur tek Allahu

Nuk ka dyshim se cdo ibadet që Allahu e ka bërë obligim për besimtarin, ka edhe vlerën e tij, prandaj, si shtyllë mbi të cilën ndertohen Islami, haxhi posedon vlera të shumta, prej tyre do të përmendim hadithin vijues; të cilin e rrëfen Ebu Hurejra (transmetuesi më i njohur i hadithit) se i dërguari i Allahut, Muhamedi alejhisselam u pyet; “Cila vepër është me e mira? Tha: Besimi ne Allahun dhe ne te dërguarin e Tij. Pastaj cila? Tha: Xhihadi ne rrugën e Allahut. Pastaj cila: Tha: Haxhi i pranuar“. Prandaj, përpiqu që të ruash dic nga të ardhurat e juaja, dhe të regjistrohesh në mesin e atyre haxhinjve, që Allahu është i kënaqur me ta. A nuk e ke dëgjuar thënien e Muhamedit alejhisselam, i cili thotë: “Më të vërtetë haxhi shkatërron gjynahet e mëparshme“.

Si duhet trajtuar Haxhin?

I nderuar lexues – Sot, jetojmë në një kohë ku numër i madh intelektualësh, gazetarë dhe studiues të lemive të ndryshme, kur flasin për haxhin, apo thurin artikuj rreth kryerjes se haxhit, e trajtojnë atë si vizitë apo thënë me mirë peligrinazh, ka edhe të atillë të cilët haxhin e kuptojnë si një vepër të cilën besimtari duhet ta kryej, vetëm atëherë kur të jet mbushur me mëkate dhe kur të ketë dalur në penzion. Ky është një keqkuptim, e sidomos në kohën kur janë shtuar mjetet e komunikimit, si f.v., interneti, facebooku dhe mijëra webfaqe islame në gjuhë të ndryshme të botës, në të cilat elaborohet se haxhi nuk është vetëm për te moshuarit, në fakt, shumë njerëz, të cilët kishin pritur që ta shijojnë haxhin pasi t’i mbushin të gjashtëdhjetat, ata nuk arritën të shijojnë një gjë të tillë përshkak se u erdhi meleku i vdekjes, prandaj, të këshilloj i nderuar vëlla dhe motër, që t’i përkujtosh fjalë e Resulullahut, të cilat qartë tregojnë dhe dëshmojnë se sa duhet nxituar në kryerjen e haxhit, këto fjalë më se miri na i transmeton Ibni Abbasi se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:“Kush dëshiron ta kryeje Haxhin le te nxitoje ngase ndodhë qe te sëmurët i sëmuri, te humb gjeja e humbur dhe te lind ndonjë nevojë“.

Lusim Allahun e Madherishëm që t’na mundësoj kryerjen e haxhit ne dhe mbarë besimtarëve dhe besimtareve, kurse atyre që tashmë janë nisur për haxh, nuk themi tjetër, vetëm se i përkujtojmë thënien e Muhamedit alejhisselam “ Kush kryen haxhin për hir të Allahut dhe nuk bën marrëdhënie seksuale dhe nuk thyen dispozitat, kthehet nga haxhi i pastër nga mëkatet ashtu sikur atë dite kur e ka lindur nena.

Përgatiti: Mr. Fehim Dragusha

Autori është Imam në xhaminë e Xhenetit

St. Gallen – Zvicer

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here