GLOBALIZMI NË ASPEKTIN ISLAM

GLOBALIZMI NË ASPEKTIN ISLAM

Shkruar nga Florin Lata
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e Zotit deri në Ditën e Fundit.
Pa dyshim se një prej dhuntive të çmuara që Zoti i ka dhënë njeriut është mendja. Me anë të logjikës Allahu e ka dalluar njeriun mbi të gjitha krijesat e tjera dhe e ka ngritur atë në rangun më të lartë. Çdo përparim teknik apo intelektual është produkt i mendjes dhe vetëdijes.
Kohëve të fundit, çdo ditë e më tepër, si në mediet e shkruara dhe elektronike, apo edhe në libra të ndryshëm, e hasim një nocion që quhet “globalizëm”.
Por, ç’është në fakt globalizmi?
Para se të japim një përkufizim rreth globalizmit, theksojmë se ky term në aspektin gjuhësor rrjedh prej fjalës latine “globus”-(rruzull), dhe prej asaj frënge “global”-(tërësi).
Globalizmi sot në botë po ngjall debate të shumta, ku ka gjetur përkrahës dhe kundërshtarë, ku të dy palët mundohen të argumentojnë mendimet dhe qëndrimet e tyre. Kundërshtarët e globalizmit (që nuk janë të paktë) kanë organizuar protesta të mëdha para organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare si: Banka Botërore (BB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), etj.. Për të qetësuar situatën, vendet e zhvilluara deklaruan se do t’i ndryshonin qëndrimet e tyre në disa çështje, mirëpo këto mbeten vetëm premtime. Protestat dhe kundërshtimet e antiglobalistëve kanë vazhduar një kohë të gjatë, dhe në to kanë marrë pjesë qindra e mijëra protestues.
Rreth përkufizimit të globalizmit janë marrë shumë shkencëtarë nga fusha të ndryshme, kështu ekonomistët e përkufizojnë nga këndvështrimi ekonomik p.sh.: “… përmes globalizmit intensifikohet konkurrenca në treg.” (C. von Weizsaeker).
Apo: “… intensifikimi sasior dhe cilësor i transaksioneve ndërkufitare gjatë procesit të njëkohshëm të zgjerimit të tyre lokal.” (U. Menzel).
Ndërsa, politikanët e përkufizojnë në atë mënyrë që të mos ketë kufij në mes shteteve, në një qeveri botërore, etj..
Disa nga sociologët e shohin globalizmin si vlerësim të botës në të pasur dhe të varfër, të dobët dhe të fuqishëm, etj..
Ky proces ka edhe dimensionin e tij kulturor. Nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi është një e mirë e madhe të njohësh kultura të ndryshme. Por është e rrezikshme nëse mundohen që një kulturë t’ia imponojnë një populli që ka kulturën e vet.
Globalizmi i ka të mirat dhe të këqijat e veta, apo dhe e keqja më e madhe i ka të mirat e veta.
Klaus Muller duke e përkufizuar globalizmin thotë: “Dinamika e globalizmit shtyhet përpara nga forca ekonomike, por efektet e tij më vepruese ndihen në fushën e politikës”.
Kështu mund t’i parashtrojmë vetes disa pyetje:
– A po amerikanizohet bota?
– A po e kolonizon Amerika botën me mjete të tjera nga Hitleri (në raste të veçanta përdor edhe luftën)?
– A do të shfrytëzohet varfëria e tyre për t’ua imponuar kulturën dhe politikën?
Edhe pse në pyetjen e fundit përgjigjen mund ta gjejmë lehtë, sepse kjo po ndodh në rajone të ndryshme të botës, etj..
Globalizmi ka filluar dhe duhet treguar kujdes pasi ai udhëhiqet nga të pasurit që kanë primatin e shkencës, teknologjisë, informimit, dhe ne nuk jemi afër tyre. Por, siç theksuam, globalizmi i ka edhe të mirat e veta nëse shfrytëzohen për të mirë. Globalizmi e ka bërë botën një fshat të madh, ku specifikë e kësaj kohe është shpejtësia e informimit, aq sa flet nga një vend i vogël si Kosova dhe të dëgjohesh anekënd botës, sikur ta kesh pranë teje, dhe kjo falë teknologjisë ku një mjet i fuqishëm në informim është dhe interneti.
Por, të ndalemi pak tek “interneti”. Sot në internet mund të gjesh shumë webfaqe me përmbajtje islame, nga ku shumë lehtë mund të mësosh ato gjëra që më parë është dashur shumë kohë, mund të pyesësh dijetarë nga tërë Bota Islame, por pa dyshim që edhe mënyra e thirrjes sot ka ndryshuar.
Nëse më parë ligjërata e hoxhës është dëgjuar në xhami, sot ajo mund të dëgjohet në tërë botën duke pasur një audiencë më të gjerë. Por, siç thamë, në internet edhe mund të shahet apo abuzohet me Islamin, prandaj kërkohet nga ne në kohën e sotme që të kujdesemi dhe të tregohemi të vetëdijshëm në këtë epokë, për t’i treguar botës se Feja Islame është ajo që i fton njerëzit në paqe e dituri duke i shfrytëzuar rrugët e informimit për të mirë dhe jo për shthurje, sikurse veprohet nga shumë vende. Sikurse thotë dhe Allahu në Kur’an:
“Ai që ia shpalli Furkanin (Kur’anin dallues i të vërtetës nga e pavërteta) robit të Vet që të bëhet Pejgamber i gjithë botës.” (Furkan, 1).
“E Ne të dërguam ty (Muhammed) si mëshirë për gjithë njerëzimin.” (Enbija, 107).
Gjithashtu vlen të përmendet një hadith i Pejgamberit alejhi selam, ku thotë:
“O njerëz! Zoti juaj është Një dhe babai i juaj një, të gjithë jemi të Ademit, dhe Ademi është prej dheut. Nuk ka vlerësim për arabin dhe joarabin, as i bardhi mbi të ziun, përveç se në devotshmëri”.
Për këtë dhe një poet në një poezi thotë:
Prejardhja ime në qoftë nga toka,
Për mua e tëra është atdhe,
Banorët e saj janë vëllezërit e mi,
E unë gjithashtu vëlla i tyre.
Siç kuptohet dhe nga argumentet e lartpërmendura, globalizmi është një mjet i fuqishëm ekonomik, social, kulturor në qoftë se dimë ta shfrytëzojmë, prandaj janë me vend disa fjalë të dijetarit dr.Jusuf Kardavi, ku thotë:
“Nëse qëllimi i globalizmit është që t’i zhveshin muslimanët, e të heqin dorë nga kultura e tyre, të mohojnë besimin dhe praktikën e Kur’anit dhe Sunetit, dhe të kërkohet të bëhen bishta të tyre, kjo është e papranueshme, kur Allahu i ka bërë koka të udhëheqjes dhe dijes.
Nëse të tjerët duan që nëpërmjet globalizmit të krijojnë politikat, metodat e arsimit dhe kulturës së vet duke i depërtuar tek muslimanët, atëherë nuk duhet ta pranojmë assesi këtë lloj mesazhi që duan të ndërtojnë për interesat e tyre dhe që muslimanët t’i lënë pa dinjitet dhe pa mision, duke i bërë të harrojnë origjinën dhe krenarinë, e cila është sakrificë e një brezi të gjatë paraardhësish të nderuar, të cilët na i kanë lënë si trashëgiminë më të shtrenjtë.
Ne, muslimanët e ditëve të sotme, duhet të jemi vigjilentë dhe fanatikë ndaj kulturës dhe origjinës sonë. Nuk ka asnjë arsye për t’u bërë  përngjasues dhe pasues i verbër i kulturave të tjera. Islami nuk e kundërshton globalizmin, sepse ai është një arritje e teknologjisë dhe ekonomisë, por kundërshton keqpërdorimin e tij nga shtresa e pasur dhe politike duke e përdorur kundër popujve apo shtresave të ndryshme. Islami është shumë më i përgjithshëm se globalizmi, sepse ai përfshinë krejt botën dhe gjithësinë.
Globalizmi në aspektin islam është vetëm një mjet i fuqishëm që kërkon kujdes, dhe përdorimi i tij në mirësi do t’i sillte botës të mira shumë më të mëdha se sa premtimet e qeverive të ndryshme.
Prandaj, i nderuar vëlla musliman! Tregoje veten tënde të kujdesshëm dhe përparimtar në këtë kohë duke shfrytëzuar çdo rrethanë në të mirën tënde dhe njerëzimit, sepse i përket një populli, ku Allahu thotë:
“Jeni populli më i mirë që jeni krijuar, sepse i urdhëroni njerëzit për mirë dhe i ndaloni ata nga e keqja.”
Falënderimi i takon vetëm Zotit të gjithësisë!