Gjashtë të verbrit dhe elefanti

0
251

Njëherë në një fshat jetonin gjashtë të verbër. Një ditë fshatarët u thanë: “O ju njerëz, ka një elefant në fshat sot.”

Ata nuk kishin ide se çka ishte elefanti. Me vete thanë: “Edhe pse nuk do të mundemi ta shohim, sidoqoftë le të shkojmë dhe le ta ndiejmë nga afër.” Të gjithë shkuan te vendi ku ishte elefanti. Gjithsecili prej tyre e preku.

“Hej, elefanti qenka shtyllë”, tha njeriu i parë, i cili ia kishte prekur këmbën.

“Jo, jo. Qenka si litar”, tha i dyti, i cili ia kishte prekur bishtin.

“Jo, jo. Qenka si trung i trashë peme”, tha i treti, i cili ia kishte prekur feçkën (zgjatim i madh i hundës së elefantit).

“Jo, qenka si freskore (përdorëse në trajtë gjysmërrethi prej letre, prej pendësh, prej plastike etj., që shërben për të bërë fresk kur është vapë) e madhe dore”, tha i katërti, i cili ia kishte prekur veshin.

“Jo, qenka si mur i madh”, tha i pesti, i cili ia kishte prekur barkun.

“Jo, jo. Qenka si gyp i madh”, tha i gjashti, ia kishte prekur çatallin (dhëmb i madh, që del anash i shtrembër).

Ata nisën të diskutonin rreth elefantit dhe çdonjëri prej tyre këmbëngulte se ai kishte të drejtë. Dukej se po u humbte torua. Një i mençur kaloi pranë dhe pa atë që po ndodhte. U ndal dhe i pyeti se ç’ishte puna. Ata iu përgjigjën: “Nuk mundemi të pajtohemi në lidhje me atë se si duket një elefant.” Pastaj secili prej tyre shfaqi mendimin e vet në lidhje me dukjen e elefantit. Njeriu i mençur me qetësi u shpjegoi: “Që të gjithë keni të drejtë. Arsyeja se pse secili prej jush është duke e treguar ndryshe është se të gjithë ju keni prekur nga një pjesë të ndryshme të elefantit. Pra, në të vërtetë elefanti ka të gjitha ato pjesë që ju i përmendët.”

“Ëhëm.”, ofshanë të gjithë. Dhe polemika e tyre kishte përfunduar. U ndjenë të gjithë të lumtur për faktin se të gjithë kishin pasur të drejtë.

Morali i këtij rrëfimi është se mund të ketë pak të vërtetë në atë që dikush e thotë. Ndonjëherë mund ta shohim të vërtetën, kurse ndonjëherë jo, meqë të tjerët mund të kenë këndvështrim tjetër prej nesh me të cilin ne mund të mos pajtohemi. Së këndejmi, në vend se të polemizojmë si të verbrit e këtij rrëfimi, më e udhës do të ishte të thoshim: “Ndoshta edhe ju keni arsyet tuaja.” Në këtë mënyrë asnjëherë nuk hyjmë në grindje. E vërteta mund të thuhet në mënyra të ndryshme. Pra, ky rrëfim na mëson të jemi tolerant ndaj të tjerëve për këndvështrimet e tyre. Kjo mënyrë na mëson të jetojmë në harmoni me njerëzit që mendojnë ndryshe.

Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi (ajoni.net)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here