Endërrat janë simbole

0
218

T’i lexojmë versetet kuranore:

“Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!”Ne u vumë mbulojë mbi veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me radhë.”
(El Kehf, 10 – 11)

Për të treguar se edhe kjo mrekulli ishte argument i Allahut xh.sh. na shërben verseti kuranor:
“Dhe ti e shihje diellin, kur lindte bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjerë të saj. Kjo ishte një nga argumentet e All-llahut. Atë që e udhëzon All-llahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte.”
(El Kehf, 17)

Për të mos u lënduar njëra anë e trupit të tyre, Allahu i rrotullonte sa në të djathtë, sa në të majtë.
“Do të mendoje se ata janë të zgjuar, ndërsa ata ishin të fjetur, e Ne i rrotullonim herë në krahun e djathtë e herë në të majtin…..”
(El Kehf, 18)

Duke na rikujtuar se ndodhia e gjumit të djelmoshave të shpellës nuk është e vetmja mrekulli e Allahut të gjithëfuqishëm, i Cili ka fuqi mbi çdo send, urdhëron e thotë:
“A mos mendove ti se ata të vendosurit e shpellës dhe Rekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme?”
(El Kehf, 9)

Sa do që shkenca hulumton, zbulon dhe përpiqet të shpjegojë fenomenin e quajtur gjumë, ky edhe më tej mbetet enigmë dhe sigurisht shkencës i nevojitet edhe shumë kohë që ta thotë fjalën e vet të fundit mbi fenomenin e gjumit, e sidomos të ëndrrave.
Sa i përket ëndrrave, po i theksojmë disa hadithe të Muhammedit s.a.v.s.
“Profetësia dhe shpallja e Allahut janë të përfunduara. Pas meje profet dhe lajmëtarë të tjerë nuk ka”. Kjo u erdhi rëndë njerëzve që e dëgjuan. Duke e parë këtë, Pejgamberi s.a.v.s. vazhdoi: “Por, ngecin lajmet e tjera dhe paralajmërimet”.
Dikush pyeti:“E ç’janë ato paralajmërime,Pejgamberi i Allahut? “
“Ëndrrat e besimtarëve”, – u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s.. “Ato janë e dyzeta pjesë e profetësisë”.
(Ahmedi, Tirmidhiu)

Ëndrrat dhe përshkrimin e tyre të bukur e hasim në kaptinën Jusuf, siç thotë verseti i Kur’anit:
“(përkujto) Kur Jusufi, babait të vet i tha: “O babai im, unë pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje dhe diellin e hënën, i pashë duke më bërë mua sexhde!”
(Jusuf, 4)

Jakubi a.s. ia tërheq vërejtjen të birit të mos iu tregojë vëllezërve çka kishte parë ëndërr, sepse nga zilia mund ta dëmtonin Jusufin a.s. siç bën aluzion verseti i Kur’anit fisnik:
“Ai (Jakubi) tha: “O biri im, mos u trego ëndërrën tënde vëllezërve tu, se po të bëjnë ndonjë dredhi, s’ka dyshim, djalli për njeriun është armik i hapët”.
(Jusuf, 5)

Allahu i madhërishëm ia mësoi Jusufit a.s. mënyrën e interpretimit të ëndrrave siç konfirmon Kur’ani famëmadh:
“Ja, kështu Zoti yt të zgjedh ty, ta mëson interpretimin e ëndrrave,….”
(Jusuf, 6)

Në burg, Jusufi a.s. iu shpjegon shokëve të tij domethënjen e ëndrrave që i shihnin ata. Këtë e përshkruan shumë bukur artistikisht verseti i Kur’anit në vazhdim:
“Së bashku me të hynë në burg dy të rinj. Njëri prej atyre dyve tha: “Unë ëndërrova veten se po shtrydhi (rrush për) verë”. E tjetri tha: “Unë ëndërrova se po bart mbi kokë një bukë nga e cila hanin shpezët”. Na trego komentimin e saj, se ne të konsiderojmë nga komentuesit e mirë (të ëndrrave).”
(Jusuf, 36)

Ëndrrat janë simbole, andaj Allahu i gjithdijshëm i kishte dhënë njohuri Jusufit a.s. për shpjegimin e kësaj simbolike. Ai ishte aq i saktë në shpjegim, sa fjalët e tij realizoheshin ashtu siç i kishte thënë.
Të rikujtojmë versetin e Kuranit famëmadh:
“O shokët e mi të burgut! Njëri prej juve dyve do t’i japë të pijë verë zotëriut të vet, e tjetri do të varet, kurse shpezët do të hanë nga koka e tij. Çështja për të cilën kërkuat shpjegim, ka marrë fund (kështu).”
(Jusuf, 41)

Në vazhdim të kaptinës Jusuf, përsëri mbreti i Egjiptit, Rejjan bin Velid e sheh ëndrrën dhe kërkon prej dijetarëve të oborrit t’ia tregonin domethënjën e saj, mirëpo ata, duke mos qenë në gjendje t’ia shpjegonin, ia zhvlerësuan atë ëndërr. Përsëri del në skenë Jusufi a.s. i cili në mënyrë të mrekullueshme ia shpjegoi sinjalet e ëndrrës.
Lidhur me këtë të shohim se ç’na thonë versetet e Kur’anit famëmadh:
“O Jusuf, o ti i drejtë, na shpjego për shtatë lopë të dobëta që i hanin shtatë lopë të majme, dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tharë, e ndoshta po kthehem te njerëzit (me përgjigje), ashtu që edhe ata ta kuptojnë (vlerën dhe dijen tënde)!”
(Jusuf, 46)

Ja, përsëri para botës simbolika ëndërrore, para misterit hyjnor, të cilin do ta zgjidhë me lehtësi Jusufi a.s. Zgjedhja e tij u bë realitet:
“i (Jusufi) tha: “Mbillni shtatë vjet vazhdimisht, e çka keni korrur lereni në kallinj, përveç një pakice nga e cila do të hani.Pastaj, do të vijnë shtatë (vjet) të vështira (me skamje) që do ta hanë atë që e keni ruajtur për to, përveç një pakice nga ajo që do ta ruani (në depo për farë).”
(Jusuf, 47 – 48)

Dhe në fund të kaptinës hasim realizimin e ëndrrës të kohës së fëmijërisë së Jusufit a.s. siç na përkujton verseti i Kur’anit në vijim:
“Dhe ai të dy prindërit e vet i mori lart në fron (i uli pranë vete), e ata iu përulën atij, e ai tha: “O ati im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im këtë tanimë e bëri realitet,….”
(Jusuf, 100)

Kur’ani fisnik na tregon me përshkrime të bukura ëndrrën e Ibrahimit a.s. i cili nuk kurseu asgjë për të përmbushur premtimin që ia kishte dhënë Allahut të madhërishëm. Për këtë qëllim ai deshi të flijonte edhe të birin, djalin e vetëm që e kishte, vetëm për t’i qëndruar besnik Allahut xh.sh.
Lidhur me këtë, ja si thotë verseti i Kur’anit në vijim:
“Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!”
(Es Saffat, 102)

Ky ishte realizimi i ëndrrës, ishte sakrifica më e lartë njerëzore, ishte sprova më e qartë, të cilën Allahu i madhërishëm e bëri shembull të besnikërisë dhe devotshmërisë për gjeneratat e ardhshme:
“Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!”
(Es Saffat, 104 – 105)

Allahu i madhërishëm e bëri realitet edhe ëndrrën e Muhammedit s.a.v.s. në të cilën ai kishte parë se do të hynte në Mekkë. Kët ë na tregon verseti i Kur’anit të lavdishëm:
“All-llahu ëndrrën e të dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet: se me vullnetin e All-llahut do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar,….”
(El Fet’h, 27)

Muhammedi s.a.v.s. më së bukuri bënte shpjegimin e ëndrrave. Këtë e vërtetojnë shumë hadithe. Këtu po i cekim disa prej tyre:
“Një natë pashë ëndërr se ndodheshim në shtëpinë e Utbe ibn Rafiut dhe se na gostitën me fik të freskët të Ratba ibn Tabait. Këtë e interpretova si sukses tonin në këtë botë dhe në botën tjetër dhe që feja e jonë është e amshuar”.
(Muslimi)

Abdullah ibn Omeri r.a. tregon se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
“Natën e kaluar kam parë ëndërr se kam shkuar në Qabe dhe e kam parë një njeri me fytyrë të skuqur; një njeri nga ata njerëzit më të bukur që mund të takohen dhe me flokë të bukur kaqurrel, që mund t’i shihni. I krehte flokët duke i lagur me ujë, pastaj duke u mbështetur në supet e dy njerëzve të tjerë, sillej rreth Qabes. Kur pyeta se kush është ai, më thanë se ishte Isai a.s. i biri i Merjemes”.
(Buhariu, Muslimi)

Shpeshherë Muhammedi s.a.v.s. i ka pyetur sahabët e vet çka kanë ëndërruar. Edhe vetë ka shpjeguar shumë ëndrra që i shihte. Nuk duhet harruar momentin kur Muhammedi s.a.v.s. u konsultua me shokët e tij për çështjen e thirrjes në namaz. Ezani u vendos si ligj i sheriatit në bazë të ëndrrës që e kishte parë Omer ibn Hattab r.a.
Përveç Ibn Sirinit, si komentues i shquar i ëndrrave numërohet Abdul Gani Nabulusi. Ky autor i ndanë ëndrrat në të vërteta dhe të pavërteta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here