Emirat e Dinastisë Emevite në Anduluzi

Emirat e Dinastisë Emevite në Anduluzi

686px-Califato_de_Córdoba_-_1000.svg

SË PARI   Hisham ibnu Abdurrahman (Rida)

 

Viti hënor 172

 788 kalendari diellor

Cilësitë e tij

Ai është Hisham ibnu Abdurrahman Ed-Dahil. Njihet ndryshe dhe me emrin Rida dhe Hishami i parë.

Mbi të thuhet që:“Ka qenë njeri i devotshëm dhe u ruhej gjërave që cënonin dinjitetin e tij, i zgjuar, i aftë të kryejë gjithçka që i ngarkohej, reagonte me diplomaci ndaj ngjarjeve të reja… Kështu mendimi i të atit, kishte qenë i drejtë për të.

Viti hënor 173

789 kalendari diellor

Rebelimi i të vëllait, Sulejman ibnu Abdurrahman Ed-Dahil

Fillimisht Sulejmani e pranoi gjykimin e babait të tij mbi pasardhësin, por në vetvete besonte, që ishte ai që e meritonte pushtetin më shumë se kushdo tjetër. Këtë ai e ruajti në zemër dhe nuk e shfaqi. Kur u kthye në qytetin ku ishte vali i saj, Toleda, ai u rebelua kundër pushtetit të vëllaut dhe u bëri thirrje omejadëve ta ndjekin. Me të u bashkua dhe vëllai i dytë, Abdullahu.

Pasi grumbulluan një ushtri të madhe, u nisën drejt Kordobës për të marrë pushtetin. Në vitin 173 u nis dhe ushtria e Hishamit drejt Toledës. Dy ushtritë u takuan në rrugë mes Toledës dhe Korodobas dhe filloi lufta mes vëllezërve. Hishami arriti ta mposhtë ushtrinë e Sulejmanit, i cili ia mbathi dhe u strehua në qytetin Murcia. Me anë të bisedimeve, Sulejmani dhe Abdullahu pranuan të largohen nga Andaluzia kundrejt një shume të madhe të hollash. Dukej qartë, që gjithçka kishte ndodhur për shkak të pasurisë dhe të mirave materiale. Me urtësinë e tij, Hishami i dha fund lakimsë së vëllezërve të tij.

Muslimanët janë aktivistë në tregëti dhe në prodhimin e shpatave.

Viti hënor 174

790 kalendari diellor

Revolta e Saragosas

Në vitin 174 hënor, qyteti i Saragosas rebelohet ndaj Hishamit, revoltë që udhëhiqej nga Matruh ibnu Sulejman dhe Seid ibnu Husejn, dy djemtë e dy rebelëve të mëparshëm Sulejman ibnu Jakdhan El-Arabij dhe Husejn ibnu Jahja El-Ensari. Menjëherë Hishami dërgoi një ushtri nën komandën e Ebu Uthmanit, i cili arriti ta shtypë këtë revoltë dhe t’i vrasë udhëheqësit e saj. Pas kësaj revolte, Hishami filloi të rregullojë marrëdhëniet me kryetarët e fiseve kryesore në Andaluzi, duke u bërë qejfin me dhurata. Kjo bëri që situata të qetësohej në Andaluzi. Një sjellje e tillë, e përshkruan dhe poeti ku thotë:

Bëju mirë njerërve sa të mundesh o djalë

nëse zemrat e tyre, kërkon ti kesh në dorë

e mira, qoftë dhe me fjalë

e bën tjetrin robin tënd, me zemër si borë.

 

Ai konsolidoi bazat e shtetit të tij, përhapi sigurinë dhe qetësinë në principatë dhe i qetësoi njerëzit, pasi u dha fund trazirave dhe rrëmujave.

 

 

Luftrat dhe betejat e tij

Viti 175 hënor.

791 kalendari diellor

Hisham u jep një mësim Hunëve dhe francezëve

Pasi vendosi rregullin në vend, filloi të marshojë drejt zonave të cilat ishin nën kontrollin e Hunëve në veri. Ata kishin shfrytëzuar trazirat e brendshme të muslimanëve dhe kishin marrë shumë qytete. Këto sulme të ushtrisë muslimane, ishin më shumë për të penguar zgjerimin e mbretërisë së krishterëve në veri. Ai mbërriti në Kastilje dhe arriti të rimarrë shumë prej qyteteve të cilat kishin rënë në dorë të Hunëve, gjatë trazirave të brendshme. Mbreti i Hunëve (Barmando) humbi shumë ushtarë në këto beteja. Pas Barmandos, pushtetin e Hunëve e mori Alfonso i dytë. Hishami dërgoi përsëri ushtritë e tij nën komandën e Abdul Melik ibnu Abdulvahid ibnu Mugith El-Rumij, të cilat depërtuan deri në thellësi të vendbanimeve të Hunëve. Gjatë kthimit të ushtrisë muslimane, Alfonso u ngre një pritë në rrugë dhe arriti t’i përçajë. Komandanti i kësaj ushtria Abdul Melik ibnu Mugith arriti të shpëtojë. Menjëherë pas kësaj, Hishami dërgoi një ushtri tjetër drejt Hunëve në veri, gati sa nuk e kapi rob vetë Alfonson, po të mos ishte arratisur dhe strehuar në një kala të largët. Ai që e udhëhiqte këtë ushtri ishte Abdul Kerim ibnu Mugith. Të gjitha këto sulme dhe ushtri të dërguara, ishin për të penguar përparimin e Hunëve në veri dhe për tu treguar forcën e muslimanëve.

Viti 177 hënor

 793 kalendari diellor

Sulmi mbi jugun e Francës

Hishami nuk u mjaftua vetëm me këtë, kështu që urdhëroi komandantin e ushtrisë Abdul Melikun, që të marshojë drejt Sebtemenijes, në jug të Francës. Kështu ushtria kaloi malet Pirene në vitin 177 dhe arriti në Sebtemenija, ku gati sa nuk mori dhe kryeqytetin e saj Narbon. Mesa duket, këto sulme në jug të Francës ishin për të shfaqur dhe një herë potencialin dhe forcën e muslimanëve dhe njëkohësisht për të rivendosur kontrollin në qytetet dhe zonat e humbura, si rezultat i trazirave që ndodhën në epokën e valinjve në Andaluzi.

Vetë mbreti i Francës Charlamani, gjatë kësaj kohe ishte i zënë me revoltat e Saksonëve.

Komandanti i ushtrisë muslimane Abdul Meliku vazhdoi të rimarrë qytete dhe zona derisa arriti në Karkason. Ai fitoi dhe ndaj Dukës së Tolouse dhe morri me mijëra robër nga ushtria e tij.

Viti 178 hënor

 794 kalendari diellor

Revolta e fiseve Berbere

Në vitin 178 rebelohen fiset Berbere në jug të Andaluzisë ndaj Hishamit, por ai me ushtrinë që dërgoi, arriti ta shtypë. Vazhdoi duke bashkuar zonat e përçara, shtypur kryengritjet dhe duke vendosur rregullin dhe qetësinë në vend.

Ai qëndroi në pushtet nga viti 172 deri në vitin 180, afërsisht tetë vite. Koha në të cilën qëndroi në pushtet, njihet si kohë e stabilitetit të gjendjes së brendshme, shuarjes së revoltave, forcimit të kufijve veriorë dhe kthimit të dinjitetit dhe shpirtit luftarak tek njerëzit.

 

Konkluzione mbi periudhën që ishte në pushtet Hisham ibnu Abdurrahman.

Ai njihej si dashamirës i njerëzve të ditur, me të cilët këshillohej dhe respektonte pozitën e tyre.

Ai e pëlqente jashtë mase gjuhën arabe dhe pati ndikim të madh në përhapjen e saj në shkolla, saqë dhe në shkollat ku mësonin jomuslimanët flitej arabisht. Duke mësuar arabishten, vendasit filluan ta kuptojnë më mirë Islamin dhe u shtua numri i atyre, që pranonin Islamin. Duke kuptuar më mirë islamin, ata e kuptonin tashmë rëndësinë e bashkëjetesës në harmoni me të gjithë shtresat e shoqërisë.

Në kohën e tij, u përhap medh-hebi Maliki në Andaluzi, pasi më parë ishte i përhapur ai i imam El-Euzait, i cili kishte vdekur në Bejrut në vitin 157.

El-Mukri, autori i librit “Nefhu Tib”, tregon: ”Gjatë pushtetit të Hishamit, disa banorë të Andaluzisë udhëtojnë për të kryer Haxhin. Atje takohen me imam Malik ibnu Enes. Kur u kthyen në Andaluzi, rrëfyen mbi personalitetin e imam Malihun, dijeve të tij të gjera dhe respektit që gëzonte mes pasuesve dhe njerëzve. Kjo bëri që emri i imam Malik të përhapej në Andaluzi dhe rrjedhimisht u përhapën mendimet dhe fikhu i tij.

Ai i dha rëndësi dhe arkitekturës, ku riparoi urën e Kordobës e cila lidhte lindjen e qytetit me perëndimin. Madje thuhet që merrte pjesë dhe vetë personalisht në ndërtimin e saj. Diçka e rrallë që tregohet, është se disa njerëz përhapën fjalë në vend, që Hishami e kishte riparuar dhe rregulluar urën për çështje private të tij. Kur diçka e tillë u përhap dhe morri dhenë, Hishami u betua në publik që nuk do të kalonte mbi atë urë, veçse për lufte, ose për shërbime publike.

Ai gjithashtu bëri zgjerime në xhaminë e Kordobës, shtroi trotuare në rrugë dhe vensosi një sistem ndriçimi për rrugët, sidomos në kryeqytet në Kordoba.

Ai i kushtoi një rëndësi të veçantë dhe bujqësisë, ku u sollën pemë dhe bimë të shumëllojshme.

Hisham ibnu Abdurrahman Ed-Dahil vdiq pasi kishte ndejtur në pushtet për shtatë vite e nëntë muaj afërsisht. Viti në të cilin vdiq, ishte viti 180 hënor dhe pas tij pushtetin e mori djali i tij, El-Hakem.

SË TRETI  SUNDIMI I HAKEM IBNU HISHAM (ER-REBDIJ).

Viti 180 hënor.

796 kalendari diellor

Shkaku pse mori epitetin Er-Rebdij

Ai mori udhëheqjen e Andaluzisë pas vdekjes së babait të tij në vitin 180 hënor. Ai ndryshe njihet dhe me emrin Hakemi i parë dhe Er-Rebdij. Shkaku pse morri epitetin Er-Rebij, është se në kohën e tij ndodhi një revoltë nga shtresa e popullsisë së thjeshtë, në një zonë që njihej me emrin Er-Rebd. Kjo zonë ndodhej në pjesën jug-perëndimore të qytetit Kordoba, të cilën e ndante nga pjesa lindore, lumi Kordoba.

Shkak i kësaj revolte ishte, se njerëzit e ditur kishin përhapur fjalë mes njerëzve, se Hakemi ishte njeri që pëlqente dëfrimet dhe argëtimet, duke mos e pasur mendjen për çështjet e shtetit. Diçka e tillë shkaktoi zemërimin e këtyre njerëzve, të cilët zgjodhën udhëheqës dikë nga mesi i tyre, duke i kërkuar të pranonte të udhëheqë vendin, pas rrëzimit të Hakemit. Ky person që e zgjodhën, vajti tek Hakemi dhe i tregoi gjithçka që po ndodhte. Menjëherë Hakemi i mblodhi këta njerëz dhe shumë prej tyre i vrau, kurse një pjesë të madhe të tyre i nxorri nga Andaluzia. Kështu shohim që gjykimi i tij ndaj rebelëve ishte shumë i dhunshëm dhe i ashpër. Këto ngjarje ndodhnin në vitin 202 hënor, ngjarje të cilat do i trajtojmë më hollësisht në faqet e mëposhtme.

Kur mori pushtetin mosha e tij ishte vetëm 26 vjeç. Megjithatë ai ishte i vendosur dhe i fuqishëm, megjithëse nuk ishte më i madhi i vëllezërve.

Kur u përhap lajmi se Hishami kishte vdekur dhe se pas tij kishte caktuar djalin e tij Hakemin, këto lajme arritën dhe në Magreb, Afrikën veriore. Kjo shkaktoi rebelimin e dy njerëzve të tij të afërt:

Viti 181 hënor

 797 kalendari diellor

Revolta e Sulejman ibnu Abdurrahman Ed-Dahil

 

Sulejman ibnu Abdurrahman Ed-Dahil, emër të cilin e kemi përmendur në kohën kur Hishami mori pushtetin nga babai i tij, Abdurrahmani i parë. Ai filloi menjëherë të mbledhë përkrahësit e tij në Afrikën veriore, shumica e të cilëve ishin nga fiset Berbere dhe menjëherë u nis drejt Andaluzisë duke përshkuar detin. Së bashku me ushtrinë e tij, ai u përpoq të marrë Kordoban, por dështoi. Kështu u nis drejt perëndimit të vendit, por e ndoqi pas ushtria e Hakemit, i cili arriti ta vrasë xhaxhanë e tij pranë qytetit Mareda. Kështu përfundoi dhe rebelimi i xhaxhait, ndaj nipit të tij në vitin 184 hënor.

Viti 181 hënor

 797 kalendari diellor

Rebelimi i Abdullah ibnu Abdurrahman Ed-Dahil

Abdullah ibnu Abdurrahman Ed-Dahil, emri i të cilit u përmend bashkë me Sulejmanin, gjatë pushtetit të Hishamit, u mundua dhe ky si vëllai i tij, të mbledhë simpatizantët e ti dhe të rebelohet kundër Hakemit. Hakemi i propozoi postin e valiut të qytetit Valencias dhe në të njëjtën kohë e kërcënoi, se nëse do të rebelohej, do të kishte fundin e vëllaut të tij, Sulejmanit. Abdullahu pranoi postin e valiut të Valencias dhe që në atë kohë njihet me emrin Abdullah Valenciani. Kështu Hakemi i dha fund dhe kësaj revolte, me mençurinë dhe urtësinë e tij.

Viti 181 hënor

797 kalendari diellor

Revolta e Muveledunëve

 

Në të njëjtin vit, ndodh një kryengritje e një lloji të veçantë në Andaluzi. Atë e kryesonte Ubejde ibnu Humejd, nga muveledunët të cilët ishin brez muslimanësh me baba arab dhe nënë spanjolle. Muslimanët arabë, me ardhjen në Andaluzi, ishin martuar me gra vendase. Hakemi caktoi komandant të ushtrisë që do të ndeshej me të, Amrus ibnu Jusuf që dhe ai ishte nga muveledinët. Ajo që i dallonte muveledunët nga të tjerët, përveç ngjyrës së bardhë dhe gjatësisë, ishte se ata në fund të emrit preferonin të shtonin një “s” ose “n”.

Arriti Amrusi që ta shuajë këtë kryengritje në Toleda. Duke e shuar këtë revoltë ai e neutralizoi plotësisht këtë lëvizje. Por pasi mori qytetin dhe i dha fund revoltës, u revoltua dhe vetë duke refuzuar ta njohë Hakemin si Princ të Andaluzisë. Kështu ai u rebelua kundër atij, që e kishte dërguar për të shuar revoltën. Me të mbledhur rreth vetes muveledunët e tjerë, ai përhapi lajmin se po përgatitej të sulmojë Kordoban. Kur mori vesh Hakemi, nisi një ushtri nën komandën e djalit të tij Abdurrahman. Ai nuk përhapi fjalë se është nisur për në Toleda por sikur është nisur drejt Hunëve, në veri. Pasi udhëtuan drejt veriut për të humbur gjurmët, ushtria u kthye dhe sulmoi Toledën, të cilën e nënshtroi dhe vrau 700 nga kryesorët e kësaj kryengritje. Kështu u shua dhe kjo revoltë, e cila do të përhapte dhe një herë, trazirat dhe kaosin në Andaluzi.

Gjendja e armiqve, jashtë Andaluzisë muslimane

 

Gjendje e Hunëve

  • Në vitin 183 hënor, mes Hunëve në veri ndodh një përçarje ku një burrë që quhej Edhvar themeloi një

 mbretëri tjetër nën sundimin e tij, të cilën e quajti mbretëria e Navaras dhe qytetin Pamplona e bëri kryeqytetin e mbretërisë së tij.

  • Kështu veri-perëndimi i Andaluzisë ishte nën sundimin e Alfonsos së dytë, dhe kryeqyteti i saj ishte Galicia.

Viti 185 hënor

801 kalendari diellor

Luisi, djali i Charlaman-it

Pas vdekjes së Charlamanit, mbretërinë e Francës e morri Luisi, djali i tij. I shtyrë nga dëshira për famë, ai u nis drejt veriut të Andaluzisë. Jugun e Francës ai e kishte nën kontrollin e tij, pasi muslimanët ishin përzënë prej saj, për shkak të traziravë që përmendëm më sipër. Në vitin 185Luisi kalon malet Pirene dhe pushton Barcelonën, ku vrau shumë nga banorët e saj.

Hakemi dërgoi një ushtri nën komandën e vëllait të tij Muavijes, i cili u thye keq nga ushtria e Luisit.

Hakemi dërgoi një ushtri tjetër në vitin 187, nën komandën e Abdul Melihun dhe Abdul Kerimit, dy fëmijët e Mugith, por që dhe kjo përpjekje dështoi.

Ky sulm i veriut të Andaluzisë nga Luisi, mesa duket ndodhi gjatë jetës së babait të tij, Charleman, pasi ai vdiq në vitin 198 hënor.

Duke dashur që ta zgjerojë mbretërinë e tij, Luisi në vitin 192 rrethon qytetin Tarazona.

Hakemi dërgoi menjëherë djalin e tij Abdurrahmanin, i cili me ushtrinë e tij, arriti ta çajë rrethimin e qytetit duke e mposhtur Luisin. Po një vit më pas, Luisi e përsëriti rrethimin e Tarazona, por u përballua me të njëjtën humbje si një vit më parë. Në vitin 193 hënor, Alfonso i dytë përshkon lumin që ndan mbretërinë e tij me muslimanët dhe për herë të parë arrin në Talvera dhe Lisbonë, duke i pushtuar dhe nxjerrë muslimanë prej atje.

Trazirat mes muslimanëve në Andaluzi dhe sulmeve të Hunëve, u shtua dhe një konflikt në lindje, të Kalifatit. Dinastia Abasite në lindje, jetonte ditët e konfliktit mes Emin dhe Memun, dy djemtë e Halifes Harun El-Reshid. Pas vdekjes së të atit, secili prej tyre kërkonte postin e Halifes.  Kjo ndodhte në vitin 193 hënor.

Këto ngjarje sinkronizoheshin me konfliktin e pretendentëve për fronin e mbretit në Francë, pas vdekjes së Charlamanit të madh. Duke shfrytëzuar këtë situatë, Hakemi dërgoi në vitin 200 një ushtri nën komandën e Abdul Kerim ibnu Mugith, drejt krahinës Galicia. Ai arriti ta ndalojë përparimin e ushtrive të Hunëve.

Revolta e Rebd-ëve

Sjelljet e Hakemit, ngjallën kureshtinë dhe habinë e të gjithë njerëzve në Andaluzi. Për këtë ata nuk dinin se ç’vend t’i japin. Ai ishte një Prijës i paturpshëm, që pëlqente argëtimet dhe dëfrimet dhe në të njëjtën kohë ai ishte trim dhe luftëtar i paepur. Kush ishte ai në të vërtetë dhe nga ç’natyrë karakterizohej?

Qëndrimi i njerëzve të ditur

Sjelljet e Hakemit, në kohë lufte i vendosur dhe serioz dhe në kohë paqe me argëtime dhe dëfrime, i bënë njerëzit të dyshonin në të ardhmen e tij. Dijetarët vendosën, që një njeri i tillë nuk ishte i përshtatshëm për udhëheqjen e Andaluzisë.

Ky mendim ishte dhe i dy dijetarëve më të njohur në Andaluzi, Jahja El-Lejthij dhe Talut El-Muafirij. Jahja El-Lejthij ka lindur në vitin 152 dhe ka vdekur në vitin 234 hënor. Hadithet e librit „El-Muveta“ ai i ka dëgjuar nga vetë autori imam Maliku.

Ibnu Abdul Berr, ka thënë rreth tij:”Jahja ibnu Jahja erdhi në Andaluzi, i ngarkuar me dije të shumta. Kjo bëri që çështja e fetvasë, t’i lihej atij në dorë, pasi deri në atë kohë kishte qenë në dorë të Isa ibnu Dinar. Pushtetarët dhe njerëzit e thjeshtë, tashmë dëgjonin dhe kërkonin vetëm mendimet dhe fetvatë e tij. Ai njihej për fetvatë dhe mendimet e tij të goditura. Një nga këto fetva është se një herë Abdurrahman ibnul Hakem, Prijësi i Andaluzisë, gjatë agjërimit të  Ramazanit, pa një nga robëreshat e tij dhe nuk e mbajti veten derisa fjeti me të. Më pas u pendua për atë që bëri dhe pyeti dijetarët se çfarë duhej të bënte, për ta shlyer këtë gabim. Ajo që i tha Jahja ibnu Jahja ishte se për të shlyer këtë, i duhej të agjëronte dy muaj të tjerë. Të gjithë dijetarët e pranishëm heshtën nga ky gjykim dhe kur dolën jashtë i thanë: „Përse nuk i the që sipas shkollës tonë, të takon të zgjedhësh mes dhënies së lirisë së një robi, agjërimit të dy muajve dhe ushqimit të gjashtëdhjetë të varfërve?” Ai u përgjigj:”Nëse do ia hapnim këtë derë, çdo ditë do të flinte me nga një robëreshë dhe për këtë do i jepte lirinë një skllavi. Unë i tregova gjënë më të vështirë, me qëllim që të mos u kthehet sjelljeve të tilla”.

Të njëjtin mendim kishte për të dhe Talut El-Muafirij. Të dy këto dijetarë, filluan të bëjnë thirrje për largimin e Hakemit nga pushteti, pasi nuk ishte i përshtatshëm. Kjo bëri që të gjithë njerëzit të prisnin rastin e volitshëm për tu rebeluar.

Lulëzimi i dijeve, kulturës dhe shkencës

Viti 202 hënor.

817 kalendari diellor

Rebelimi mbarë popullor

Në këtë kohë, ndodh një ngjarje, e cila megjithëse e vogël, ishte e përshtatshme për nisjen e një revolte të vrullshme, e cila pritej nga njerëzit. Ajo që e shkaktoi këtë revoltë, ishte se një nga rojat e Hakemit i kërkoi një kovaçi në Rebd, t’i rregullojë shpatën. Roja nuk e pëlqeu punën e kovaçit dhe i nevrikosur e godet atë me shpatë dhe e vret padrejtësisht. Njerëzit që ndodheshin pranë, nuk duruan dhe e vrasin rojen. Meqënëse dhe dijetarët i kishin nxitur njerëzit, në çast fillon kryengritja ndaj Hakemit. Populli i nervozuar, kalon urën dhe rrethojnë pallatet e Hakemit. Hakemi i rrethuar nga populli i tij, caktoi si komandant për mbrojtësit e pallatit Abdul Kerim ibnu Mugithin, i cili nuk mundi të bëjë gjë për çarjen e rrethimit. Vetë Hakemi urdhëroi dy komandantë të tjerë, Abdullahun dhe Abdul Kerimin, djemtë e Mugith El-Rumij që bashkë me disa ushtarë, të ndërmarrin një sulm për të çarë rrethimin. Kështu u sulën drejt njerëzve që kishin rrethuar pallatin, e çanë rrethimin dhe vazhduan të vrapojnë derisa kaluan urën dhe filluan tu vënë flakën shtëpive të rebelëve dhe popullsisë së thjeshtë.

Kur populli pa, që po u digjeshin shtëpitë, ku kishin familjet dhe pasuritë, e lanë rrethimin dhe vajtën për të shpëtuar familjet. Me anë të këtij plani, arriti ta largojë të keqen që i kanosej dhe urdhëroi sulmin kundër banorëve të Rebdit.

Pasi vrau shumë nga kryengritësit, urdhëroi që të dëboheshin të gjithë banorët e asaj lagjeje nga Andaluzia. Çfarë udhëheqësi është një që shpërngul popullsinë e tij? Po! Kjo është ajo që bëri Hakem ibnu Hisham dhe për këtë u quajt më vonë Hakem Er-Rebdij.

Banorët e Rebdit të detyruar të largohen, fillimisht vajtën në qytetin Fes të Marohun. Prej atje u përzunë dhe vajtën në Aleksandri të Egjyptit. Pas dhjetë vitesh, në vitin 212 hënor, valiu i Egjyptit i përzë prej aty. Ku të shkonin? Ku do të gjenin stabilitet? Pa ditur ku të venin hypin në anijet që kishin dhe nisen në detin Mesdhe. Pasi kishin udhëtuar për disa kohë, gjejnë një ishull në det, ku qëndronin disa roje të Bizantit. I sulmuan dhe arritën t’i mposhtin dhe u vendosën në këtë ishull. Ishulli në të cilin u vendosën është ishulli i Kretës, që ndodhet në Egje. Arabët e quanin ishullin me emrin Ikritsh. Aty themeluan shtetin e tyre nën sundimin e Amr ibnu Isa El-Beluti, shtet i cili vazhdoi për njëqind vjet, derisa e rimorën bizantët përsëri.

Viti 206 hënor

821 kalendari diellor

Fundi i Hakem Er-Rebdij

Hakem Er-Rebdij sundoi në Andaluzi nga viti 180 deri 206 hënor, afërsisht 26 vite.  Kur filloi të ndjejë se i ishte afruar vdekja dhe nuk kishte shumë kohë, u pendua për vitet e kaluara në dëfrime dhe argëtime. Thuhet që kur fliste në predikimet e ditës së premte dhe festa, u kërkonte njerëzve ta falnin për gjithçka kishte bërë. Ai e përsëriste versetin e Kuranit:”Jeta tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” Ai i kërkonte falje Zotit i nënshtruar dhe me përkushtim, duke gjetur qetësi teksa lexonte:” nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara.” (Enfal 38)

Ai vërtet iu kthye rrugës së Zotit dhe u pendua, por siç thuhet në fjalën e urtë:”Pasi u shkatërrua qyteti i Basras” Gjithësesi ai pati një vdekje të mirë dhe shpresëdhënëse se Zoti do e falë. Ai vdiq në vitin 206.

Ndodh shpeshherë që shumica e njerëzve të ndihen në një pozitë më të ulët shoqërore, se ajo që i përkasin dhe ndjejnë që të drejtat e tyre u nëpërkëmben.

Po aq e ndjeshme mes njerëzve është dhe padrejtësia, që ushtrohet ndaj tyre nga pushtetarët. Këtë gjendje e shfrytëzojnë mirë elementë të ndryshëm që presin çdo çast për tu rebeluar dhe për të shkaktuar trazira në vend.

Ata shfrytëzojnë çdo pakënaqësi të shkaktuar, qoftë dhe nga taksat më të vogla, që caktohen për ushqimin apo për rrobat, ndaj popullsisë së thjeshtë.  Ata janë të gatshmëm për rebelim, sidomos kur shohin luksin në të cilin jeton udhëheqësi i tyre, shohin vilat, shërbëtorët, bodigardët dhe çdo gjë tjetër që e dëfren dhe argëton. Ai është i mbytur në të mira materiale, duke harruar shtresat e varfëra të vendit. Ai i ka neglizhuar aspektet arkitektoriale, ekonomike dhe arsimimin e popullsisë. Këto e kanë bërë që të mos e ndjejë prushin që fshihet nën hi, i cili kur fillon t’i djegë duart, mundohet ta shuajë me anë të dhunës, vrasjes dhe terrorit. Në përgjithësi, kjo është goditja për vdekje e mbretërve dhe pushtetarëve.

Vetë Hakem Er-Rebdi i kishte neglizhuar të gjitha këto probleme dhe u përball me skandalin në Rebd. Këtë situatë ai e zgjidhi me anë të vrasjes, djegjes dhe shkatërrimit të vendit. Zgjidhje që për hir të së vërtetës nuk ishte e drejtë.

SË TRETI  ABDURRAHMAN IBNUL HAKEM EL-EUSET (NDRYSHE NJIHET SI ABDURRAHMANI I DYTË)

 

Abdurrahman ibnul Hakem, njihet ndryshe dhe me emrin Abdurrahman El-Euset (dhe Abdurrahmani i dytë) me qëllim që të dallohej nga Abdurrahman Ed-Dahil, dhe nga Abdurrahman En-Nasir, që do të përmendim më pas.

Atë e zgjodhi vetë babai i tij, Hakemi, për shkak se ishte i devotshëm, i ditur, dallohej për kulturën e tij të gjerë dhe me aftësi politike të rralla. Ishte tridhjetë vjeç kur mori pushtetin dhe që në fillim, u përball me trazira dhe revolta.

Viti 206 hënor

821 kalendari diellor

Revolta e Abdullah Valencianit

Ashtu si paraardhësit e tij, u përballua me revolta të shumta. E para i erdhi prej xhaxhit të tij, Abdullahu në qytetin Valencia, por që dështoi në këtë revoltë. Më pas xhaxhai i tij vajti në Theodomir ku dhe atje filloi të grumbullojë rreth vetes përkrahësit. Por vdiq pa bërë gjë, për shkak se ishte i thyer në moshë. Megjithatë ndjekësit e tij vazhduan kryengritjen për shtatë vite rrjesht. Valiu i zonës, Jahja ibnu Abdullah nuk arriti ta shuajë këtë revoltë. Abdurrahman ibnul Hakem dërgoi një ushtri tjetër nën komandën e Umeje ibnu Muavije, i cili arriti ta shuajë këtë revoltë kaq të gjatë. Plani që ndoqi ai ishte, se e kaloi kryeqytetin e zonës në Murcie. Ky ishte një nga shkaqet kryesorë që ndikoi në shuarjen e kësaj revolte.

Viti 208 hënor

823 kalendari diellor

Rebelimi i gotëve

Në veri, gotët që jetonin nën pushtetin e muslimanëve, shfrytëzuan trazirat dhe rebelohen. Menjëherë Abdurrahmani i dytë dërgoi Abdul Kerim ibnu Mugithin si komandant të ushtrisë. Abdul Kerimi arriti të fitojë shumë beteja ndaj gotëve dhe ç’liroi shumë nga ushtarët muslimanë të zënë rob prej tyre.

Viti 213 hënor

 828 kalendari diellor

Revolta e fiseve Berbere

Megjithatë, situata u tensionua përsëri dhe u shkaktuan trazira të reja në vitin 213 hënor. Një nga fiset Berbere, i quajtur Mahmud ibnu Abdul Xhebar ibnu Rahile, filloi të mbledhë rreth vetes fiset e tij, fise të cilët shquheshin për dëshirën për trazira dhe rrëmujë. Qendrën e tij e kishte në qytetin Merida dhe veç revoltës, ai ndërmorri një çmenduri tjetër pasi i kërkoi ndihmë Alfonsos së dytë në veriun e sunduar nga gotët e krishterë. Gjithashtu ai i kërkoi ndihmë dhe Luisit të Franës, i cili pranoi ta ndihmojë. Të dy këta armiq të muslimanëve, përgatitën ushtritë dhe armatimet dhe i nisën për të ndihmuar luftën mes muslimanëve. Gotët në përgjithësi ndiqnin politikën e ndezjes së trazirave dhe konflikteve të brendshme, sa herë që u jepej mundësia. Ata nxisnin dhe mbështesnin këdo, që dilte kundër pushtetit në Kordoba. Të njëjtën politikë ndiqnin dhe francezët në Francë.

Ishte tradhëtia e dytë që ndodhte në Andaluzi, ku një musliman kërkonte ndihmë nga francezët dhe gotët e veriut, kundër muslimanëve. Abdurrahmani i dytë duke ndjerë rrezikun, dërgoi ushtri të një pasnjëshme, por të gjitha këto ushtri dështuan në shuarjen e këtij zjarri që po ndizte të gjithë Andaluzinë.

Kjo kryengritje vazhdoi nga viti 213 deri në vitin 218 hënor, vit në të cilin u nis vetë Abdurrahman El-Eusat me ushtrinë e tij, për ta shtypur këtë kryengritje dhe shpërbërë këtë aleancë treshe. Këtë herë ai arriti të fitojë ndaj tyre dhe udhëheqësin e tyre e detyroi të fshihej.

Viti 218 hënor

833 kalendari diellor

Rebelimi i Sulejman ibnu Meretejn

Megjithatë kjo revoltë nuk u shua plotësisht, pasi një berber tjetër, Sulejman ibnu Meretejn i mblodhi rebelët e parë dhe filloi të vendosë në kontrollin e tij disa qytete. Ai fillimisht morri qytetin Beja dhe vazhdoi derisa morri dhe qytetin Bodojoz. El-Eusat i vazhdoi sulmet kundër tij derisa arriti ta mposhtë. Sulejmani pas humbjes u largua dhe kërkoi strehim tek kristianët në veri. Atje gjeti përkrahje prej tyre dhe filloi përsëri sulmet ndaj qyteteve muslimane. Të krishterët panë që ky ishte një rast i mirë për ta përkrahur Sulejman ibnu Meretejn, në sulmet kundër qyteteve muslimane në kufi. Abdurrahmani i dytë vazhdoi tu përgjigjej këtyre provokimeve të tyre, derisa në fund arriti ta vrasë dhe vetë Sulejmanin.

Rebelët nuk u mjaftuan me trazirat që shkaktuan dhe krimet që bënë, por kërkuan ndihmë dhe nga Hunët për të sulmuar muslimanët. A ka tradhëti më të rëndë ndaj vendit tënd, sesa kjo?

Viti 224 hënor

 839 kalendari diellor

Revolta e Hashim El-Darrab

Një tregues i gjendjes së përkeqësuar dhe të rënies së moralit të popull, është se ata i shkonin pas kujtdo që i thërriste. Ishin të gatshëm të rebeloheshin dhe të ndiqnin, këto që u bënte thirrje.

Është e habitshme se si një kovaç që nuk kishte ndonjë synim të caktuar, të arrijë të mbledhë një ushtri të madhe në mes të Andaluzisë, pikërisht në qytetin Toleda. Ata e morrën Toledën dhe zonat përreth saj, nën kontrollin e tyre. Menjëherë Abdurrahmani i dytë dërgoi ushtritë e tij, nën komandën e komandantëve më të mirë, të cilët arritën ta shuajnë këtë revoltë dhe e vranë dhe vetë Hashim kovaçin. Megjithatë flakët e revoltave nuk fikeshin. Ata vazhduan deri në vitin 224 hënor, vit në të cilin arriti Abdurrahmani t`u japë fund, pasi kishin vazhdur për tetë vite rrjesht.

Këto trazira sinkronizoheshin me trazirat e dinastisë Abasite në lindjen islame, ku Halifeja El-Memun ibnu Harun El-Reshid kishte vdekur dhe në vend të tij kishte ardhur Mutesimi.

Kështu përveç Andaluzisë, brishtëia dhe dobësia kishte përfshirë dhe dinastinë Abasite.

Viti 229 hënor.

 844 kalendari diellor

Sulmi i Normanëve

Norman, është emër që sot përdoret për popullsinë e vendeve Skandinave, Suedisë, Norvegjisë dhe Danimarkës. Historianët muslimanë i quanin me emrin Mexhusë.

Sulmet e tyre fillimisht ishin të përqendruara mbi brigjet e Evropës. Ata ishin fise primitivë, dalloheshin për lëvizjen tregtare dhe atë ushtarake. Ato që na interesojnë në këtë studim, janë fiset Normane të cilat u nisën nga Danimarka. Historianët andaluzianë i përshkruanjë: ”Nga deti dilnin anije të mëdha, prej të cilave zbarkonin njerëz që njiheshin me emrin Mexhusë (për Normanët). Ata ishin të ashpër, të fuqishëm dhe me aftësi të rralla lundrimi në det. Kurdo që shfaqeshin, banorët e brigjeve të detit i braktisnin shtëpitë nga frika prej tyre. Ata shfaqeshin çdo gjashtë apo shtatë vite. Numri më i pakët i anijeve të tyre arrinte në dyzet. Ndonjëherë udhëtonin dhe me njëqind anije. Me këdo që përballeshin në det, e mposhtnin dhe i merrnin robër.

Në vitin 229, siç e përmend në librin e tij Vehbullah ibnu Hazm, valiu i Lisbonës, shfaqen në bregdet 54 anije të Normanëve me po aq varka. Rojet dhe ushtarët e qytetit, arritën t’i sprapsin dhe të mos i lejojnë ta marrin atë.

Normanët vazhduan lundrimin drejt grykëderdhjes së lumit Guadalkuivir (marrë nga emri që i patën vënë arabët Vadi El-Kebir, lumi i madh) dhe vazhduan udhëtimin në lum derisa arritën në Seville e cila ndodhej në brigjet e lumit dhe konsiderohej si kryeqyteti i jugut. Zbritën nga anijet dhe arritën ta nënshtrojnë Sevillen. Banorët e saj u gjetën të befasuar nga këta njerëz të huaj, pasi nuk e prisnin një sulm nga lumi. Anijet e muslimanëve ndodheshin në lindje të Andaluzisë, pasi vetëm nga deti prisnin të sulmoheshin.

Kur Abdurrahmani i dytë dëgjoi mbi lajmin e tyre, dërgoi menjëherë ushtrinë nën komandën e dy komandantëve më të mirë të tij, Jahja ibnu Hakem El-Xhijani dhe Jahja ibnu Hubejb. Ata u takuan me Normanët pranë fshatit Tiljata, 30 km në veri-perëndim të Sevilles. Kjo ndidhi, pasi ishin nisur për të marrë kryeqytetin e Andaluzisë Kordoban. Muslimanët i mposhtën në këtë betejë duke vrarë shumë prej tyre. Veç kësaj muslimanët shkatërruan 35 anije të tyre dhe varën në trungjet e hurmave një numër të madh prej ushtarëve Normanë, pasi i kishin kapur robër. Nga të vrarët ishte dhe vetë komandanti i tyre.

Çështja e Normanëve zgjati njëqind ditë që nga shfaqja e tyre për herë të parë në Lisbonë dhe deri në përfundimin e tyre. Gjatë kësaj kohe, ata i angazhuan muslimanët me luftë dhe vranë shumë banorë të Andaluzisë.

Viti 230 hënor

845 kalendari diellor

Pasojat e sulmit të Normanëve

Sulmi i Normanëve, u bë shkak që Abdurrahmani i dytë të urdhërojë, që të ndërtohej muri rrethues për qytetin Seville. Me këtë rast ai kishte thënë:”Ndërtimi i murit rrethues të Sevilles, është më i domosdoshëm se zgjerimi i xhamisë në Kordoba.”

Viti 230 hënor

845 kalendari diellor

Sulmi ndaj veriut spanjoll dhe jugut të Francës

Abdurrahmani ishte i pari, që vendosi të tregojë fuqinë dhe t`u japë një mësim të mirë Hunëve në veri dhe francezëve në jugun e Francës. Këtë sulm e udhëhiqte vetë Abdurrahmani i dytë dhe ai evazhdoi udhëtimin derisa arriti në Lion, ku mori shumë kala dhe kështjella që kishin qenë të mbretërisë Lion deri atëherë. Me këtë ai i çoi edhe njëherë kufijtë e mbretërisë së Hunëve tek shkëmbi Plei.

Gjithashtu ai dërgoi dhe vezirin e tij Abdul Kerim ibnu Mugith, në vitin 231, drejt jugut të Francës. Ai kaloi malet Pirene, hyri në jug të Francës dhe morri në kontroll qytetin Garnede.

Çështja e jugut të Francës, mbeti mes sulmeve dhe tërheqjes, pasi situata nuk ishte në kontroll si më parë.

Viti 235 hënor

850 kalendari diellor

Lëvizja e martirëve të shenjtë në Kordoba

Këto sulme ndaj Hunëve në veri dhe jugut të Francës, shkaktoi zemërim tek të krishterët që jetonin me muslimanët në Andaluzi dhe bëri që në vitin 235 hënor, të ndodhë një lëvizje e panjohur më parë e cila quhet në histori “Lëvizja e martirëve të shenjtë”. Kur muslimanët hynë në Andaluzi, u treguan tolerantë ndaj fesë të vendasve, duke i lënë të lirë në besimin e tyre, pa shqetësuar asnjë nga njerëzit e fesë dhe faltoret e tyre. Veçse disa fanatikë, megjithë tolerancën dhe lirinë shkaktuan incidente në Andaluzi. Ai që e udhëhiqte këtë lëvizje rebele kristiane, brenda kryeqytetit islam Kordobës, ishte një që quhej Euloxhio. Ai arriti të mbledhë rreth vetes disa fanatikë të tjerë dhe ditën e Fitër Bajramit, dërgoi një nga përkrahësit e tij me emër Perfektus, të debatojë me një nga muslimanët. Gjatë debatit, Perfektus u nervozua dhe filloi ta shajë fenë islame dhe muslimanët hapurazi. Të pranishmit e këshilluan të distancohej nga ai veprim, por ai vetëm se i shtonte sharjet. Kështu e çuan tek gjykatësi (kadiu) i Kordobës, i cili nga ana e tij e paralajmëroi për pasojat që mund të kishte nga kjo gjë dhe se të fyesh Islamin, sikur dhe nga një musliman, ka si dënim vrasjen. Por ai vazhdoi në të tijën, derisa gjykatësi urdhëroi të vritej. Lajmi u përhap menjëherë dhe lëvizja e Euloxhios u gjallërua, duke bërë që përkrahësit e tij të shtoheshin. Kështu dërguan një njeri të dytë me emrin Is’hak, i cili dhe ky filloi të ofendojë Islamin dhe muslimanët hapurazi. Pasi u paralajmërua dhe iu bë e qartë se ç’dënim kishte nëse do të vazhdonte, u dënua me vrasje. Vazhdoi Euloxhio të dërgojë njerëz të tillë derisa numri i të vrarëve u shtua, dhe kjo lëvizje filloi të njihej me emrin “Martirët e shenjtë”. Kurse disa studiues europianë, e kanë quajtur me të drejtë këtë lëvizje “Fanatikët vetëvrasës” Kjo ngjarje filloi të përhapej në gjithë Andaluzinë dhe vendet përreth të Europës.

Viti 238 hënor

853 kalendari diellor

Reagimi i Abdurrahmanit të dytë

Abdurrahmani i dytë, i gjendur në një situatë të tillë të vështirë, nuk dinte si të vepronte. Nëse do i linte dhe nuk do ua vinte veshin, kjo do të ndikonte keq për muslimanët dhe autoriteti i tyre do të përdhosej. Nëse do vazhdonte t’i vrasë, gjendja do të keqësohej dhe do akuzohej për fanatizëm fetar. Kjo gjendje vazhdoi për tre vite rrjesht. Në vitin 238 hënor, anëtarët e kësaj lëvizjeje ndërmorën një hap të rrezikshëm, ku hynë në xhaminë e madhe të Kordobës, muret e së cilës i ndotën me pisllëk. Abdurrahmani urdhëroi menjëherë ekzehunimin  e të gjithëve atyre, që kishin marrë pjesë në këtë vepër të shëmtuar. Euloxhio filloi të bindë të krishterët që këta ishin të pafajshëm, se u është bërë padrejtësi dhe dhe se ata janë viktima të besimit të tyre. Kështu çështja filloi të marrë përmasa më të mëdha.

Nuk është për tu çuditur që librat e kishës në Europë të jenë të mbushura me lëvdata për këtë lëvizje, duke i quajtur vetëvrasësit dëshmorë dhe të shenjtë.

Abdurrahmani deshi t’i japë fund kësaj lëvizjeje me urtësi dhe mençuri. Për herë të pare në historinë e Andaluzisë, ai urdhëroi që të mblidhej një kongres kristian, ku do të merrnin pjesë personalitetet më të shquara të kristianizmit në Andaluzi. Ishte hera e parë, që kjo gjë ndodhte me urdhër të Prijësit musliman. Kështu u mblodhën në Kordobë, ku i pranishëm ishte dhe vetë Abdurrahmani i dytë, i cili i pyeti hapurazi:

“A e miratoni lëvizjen e “martirëve të shenjtë” dhe a kërkoni ta bëni atë shkak për luftë mes muslimanëve dhe të krishterëve?” Pasi e diskutuan me njëri-tjetrin këtë çështje, paria kristiane vendosën që një lëvizje e tillë ishte e tepërt dhe jashtë parimeve krishtere. Ata theksuan se të krishterët deri në atë kohë, gëzonin të drejtat e tyre në të gjitha fushat. Ata ishin të lirë të praktikonin fenë e tyre, kishin shkollat dhe gjykatat e tyre dhe deri atëherë kishin jetuar të lirë. Kështu, në këtë konferencë ata e dënuan veprimtarinë e lëvizjes së martirëve të shenjtë dhe e përhapën këtë në gjithë Andaluzinë. Kështu Abdurrahman El-Eusat arriti ta qetësojë situatën e ndezur me të krishterët.

Ajo që të habit në këtë histori, është se burimet islame dhe andaluziane, nuk e përmendin këtë ngjarje. Gjithë sa përmendëm, është nga burimet europiane, burime të cilat shpesh herë përmbajnë ekzagjerime dhe janë të njëanshme. Kjo na bën që të tregohemi të kujdesshëm, në trajtimin e informacioneve të tilla. Burimet islame të cilat e kanë trajtuar një ngjarje të tillë, mund të kenë humbur.

Flota islame

Një rëndësi të veçantë, Abdurrahmani i parë i kushtoi dhe ndërtimit të flotës islame. Kjo flotë mbronte brigjet e Andaluzisë dhe ishte e gatshme të kthejë çdo sulm, qoftë nga oqeani Atlantik apo deti Mesdhe. Historiani andalusian, Ibnu Hibani tregon:”Në vitin 234, Princi Abdurrahmani i dytë, dërgoi një flotë luftarake të përbërë nga treqind anije, drejt ishujve Majorka dhe Manorka. Kjo pasi banorët e këtyre dy ishujve e kishin thyer marrëveshjen me muslimanët dhe sulmonin anijet e muslimanëve, që lundronin në këto zona. Kjo flotë arriti që t’i shtjerë këto ishuj në duart e muslimanëve.

Ndërtimi i anijeve u shtua si në cilësi dhe në sasi, me qëllim që mos u lërë shteg sulmeve, që i befasojnë muslimanët, si ato të Normanëve.

Abdurrahmani i parë qëndroi në postin e Princit të Andaluzisë për 32 vite. Në vitin 238 ai vdiq, për t’ia lënë pushtetin djalit të tij Muhamed ibnu Abdurrahman ibnul Hakem.

SË KATËRTI  MUHAMEDI (I PARË) DJALI I ABDURRAHMANIT.

Viti 238 hënor

 853 kalendari diellor

Me tu ulur në fronin e Prijësit të Andaluzisë në vitin 238, dobësia filloi të mbërthejë pushtetin e tij. Menjëherë, valiu i Saragosas u rebelua, duke e ndarë këtë qytet dhe rrethinat e tij, nga pjesa tjetër e shtetit. Të njëjtën gjë bëri dhe Abdurrahman El-Xhelikij në perëndim të Andaluzisë, ku morri qytetin Bodojos dhe kryeqendrën e perëndimit Merida.

Të apasionuarit për pushtet, lakmuan kryeqendrën e Andaluzisë, Toledën. Por ushtria që dërgoi Princ Muhamedi i parë, arriti ta shuajë këtë revoltë.

Ethet për pushtet vazhduan të zienin për pesë vite me radhë. Në vitin 244, Muhamedi i parë arriti ta forcojë pushtetin e tij dhe dërgoi një burrë nga Dhi Nun, vali të veriut. Me të arritur, ky shpalli pavarësinë e zonës nga pushteti qëndror, duke formuar kështu shtetin e Dhi Nunëve në Andaluzi.

Ky ishte fillimi i shfaqjes së asaj që njihet në historinë e Andaluzisë me emrin “Shtetet e Përçara” (Duvejlat tavaif).

Janë dy epoka në Andaluzi ku qytetet e saj ndahen në shtete të përçara dhe të pavarura nga njëri-tjetri.

1 – Epoka e parë është kjo në të cilën po flasim, në kohën e Muhamed ibnu Abdurrahman El-Eusat. Në këtë etapë, shtrirja e këtyre shtetve ishte e kufizuar, siç e përmendëm.

2 – Epoka e dytë shfaqet në periudhën e fundit të shtetit islam në Andaluzi, ku numri i shteteve të përçara arrinte në 22 të tillë.

Gjatë pushtetit të Muhamedit të parë, u shfaq përçarja e parë në veri, të cilën e ndoqi perëndimi dhe mesi i Andaluzisë në Toleda.

Viti 245 hënor

859 kalendari diellor

Normanët shfaqen sërish

Ky ishte rasti më i volitshmë për Normanët, të cilët nuk e lanë t’u ikë nga duart. Menjëherë ata u nisën drejt Andaluzisë, por këtë herë me tetëdhjetë anije. Për të hyrë në Andaluzi, ata zbarkuan në jug të saj, tek “ishulli i blertë” Algeciras. Me të hyrë brenda qytetit, ata dogjën “Xhaminë e flamurëve” të cilën e pati ndërtuar Musa ibnu Nusejr. Udhëtuan përsëri me anije derisa arritën në veri të Andaluzisë, ku sulmuan Hunët kristianë. Atje ata vunë në kontrollin e tyre kryeqendrën e veriut Nafarin dhe shkatërruan ushtrinë e Hunëve. Gjithashtu ata zunë rob dhe mbretin e tyre Garcian, i cili arriti të lirohej prej tyre vetëm pasi pagoi pesëdhjetë mijë dinarë floriri.

Kudo që kalonin, Normanët mbillnin vetëm shkatërrim. Përballë një situate të tillë, Muhamed ibnu Abdurrahman organizoi ushtrinë dhe arriti të fitojë ndaj tyre duke djegur dyzet anije të tyre dhe duke vrarë shumë prej tyre. Kjo i detyroi të largoheshin të humbur. Andaluzianët kishin nxjerrë mësim nga sulmi i parë i Normanëve, duke i kushtuar një rëndësi të veçantë flotës detare, e cila do të mbronte brigjet e Andaluzisë. Kështu Normanët nuk arritën atë që arritën në sulmin e parë.

Gjithësesi ata u përpoqën të hynin në Andaluzi dy vitë më vonë. Kështu në vitin 247 ata shfaqen përsëri me gjashtëdhjetë anije, por muslimanët i kishin marrrë masat dhe arritën t’u shkatërronin katërmbëdhjetë anije dhe i detyruan të kthehen qysh në fillim.

Viti 249 hënor

 863 kalendari diellor

Konflikti mes të krishterëve në veri

Konfliktet dhe ethet për pushtet nuk ishin karakteristikë vetëm e shteteve të përçara të Andaluzisë. Një gjendje e tillë dominonte dhe në mbretëritë e të krishterëve në veri. Kështu në vitin 249 hënor konflikti u përhap dhe mes dy mbretërive të veriut, Navara, kryeqendra e së cilës ishte Pamplon dhe Leon. Ushtria e Navaras korri fitore të mëdha ndaj ushtrisë së mbretërisë Leon. Megjithatë ata nuk arritën ta marrin kryeqytetin Leon.

Kështu veriu i të krishterëve vazhdonte i përçarë në dy mbretëri:

1 – Ajo e Navar, mbret i së cilës ishte Garcia. Pushteti i tij ishte i shtrirë dhe në llogari të mbretërisë tjetër të krishterë. Ai konsiderohet si një nga themeluesit më të njohur të kësaj mbretërie në veri-perëndim të Andaluzisë.

2 – Mbretëria e Leon, të cilën e udhëhiqte në këtë periudhë një mbret shumë i ashpër, Alfonso i tretë. Ai e kishte zgjeruar mbretërinë e tij, e cila shtrihej deri në malet Pirene. Gjithashtu ai kishte arritur të kalojë lumin Duero disa herë, duke sulmuar muslimanët.

  • Përsa u përket muslimanëve, revoltat dhe konfliktet e brendshme, vazhdonin të trondisin pushtetin e

muslimanëve në Andaluzi.

Viti 264 hënor

878 kalendari diellor

Revolta e rrezikshme e Umer ibnu Hafson

Në rrjedhën e këtyre ngjarjeve, në vitin 264 hënor, shfaqet në jugun e Andaluzisë dhe pikërisht në qytetin Ronda, një njeri shumë i rrezikshëm me emrin Umer ibnu Hafson (nga muveledunët). Aventurën e tij ai e filloi si bandit rrugësh, duke mbledhur rreth vetes banditë, hajdutë dhe kushdo që vuante nga ethet e pasurisë. Shumica e përkrahësve të tij ishin nga brezi i muveledunëve, dhe këtë e bënin për nevoja të ndryshme të tyret.

Historiani andaluzian, Ibnu Hajjani e përshkruan Ibnu Hafsonin dhe thotë: “Ai ishte udhëheqësi i rebelëve dhe shembulli i tyre, emri i tij ishte më i përmenduri në çështjet e rëndomta, kishte një intuitë shumë të mprehtë në çështjent konfliktuale, ishte i ashpër dhe tepër dinak”.

Ai filloi si bandit, ku bashkë me dyzet burra të tjerë, sulmonte karvanët dhe udhëtarët në male, për t’i plaçkitur. Më vonë zbriti në fusha, ku morri qytetin Barbastro, të cilin e bëri bazën e tij dhe të bandës së tij. Revolta e tij ndodhej shumë pranë kryeqytetit të Andaluzisë dhe influenca e Ibnu Hafsonit, përbënte një rrezik për të. Valiu i qytetit Reya dhe administratori i jugut të Andaluzisë, nuk arriti ta shtypë revoltën e tij. Ushtria e tij u thye para ushtrisë së Ibnu Hafsonit. Menjëherë Muhamed ibnu Abdurrahman dërgoi ushtri të njëpasnjëshme, por që thyheshin nga ushtria e Ibnu Hafsonit. Kjo vazhdoi derisa dërgoi një ushtri nën komandën e djalit të tij, Mundhir ibnu Muhamed, i cili arriti ta rrethojë Ibnu Hamdon – aleatin e Ibnu Hafsonit – në kalanë Hame.

Ibnu Hafsoni shkon për të ndihmuar aleatin e tij dhe në këtë betejë. Mundhirit i jepet rasti që të luftojë me Ibnu Hafsonin jashtë kalasë dhe arrin të fitojë duke vrarë shumë nga njerëzit e tij. Vetë Ibnu Hafsoni, i plagosur rëndë nga kjo betejë, u detyrua të mbrohet në kalanë e Hames. Ai e shtrëngoi rrethimin e Ibnu Hafsonit në kalanë Hame dhe gati do i jepte fund revoltës së tij. Në këtë kohë, atij i vjen lajmi se i ati kishte vdekur. Duke qenë princ i kurorës, ai detyrohet të kthehet në Kordoba. Kështu Ibnu Hafsoni shpëtoi dhe kësaj radhe.

Muhamed ibnu Abdurrahman El-Euset vdiq në vitin 273 hënor, pasi kishte kaluar 34 vite si Princ i Andaluzisë.

SË PESTI MUNDHIR IBNU MUHAMED IBNU ABDURRAHMAN

Viti 273 hënor

886 kalendari diellor

Mundhiri u kthye në Kordoba, ku u ul në fronin e të atit në vitin 273 hënor. Ai njihej për personalitetin e tij të fortë dhe njohjen e mirë të arteve luftarake. Siç u përmend më lart, ai udhëhiqte ushtritë e të atit, por trashëgoi prej tij një shtet të përçarë. Ishte i përçarë në veri-perëndim, në veri-lindje, në qendër dhe në jug të Andaluzisë me rebelimin e Ibnu Hafsonit.

Duket qartë që situata nuk ishte në favorin e tij, madje ai verejti që njeriu që sundonte realisht në Andaluzi ishte veziri i babait të tij, Hashim ibnu Abdul Aziz. Kur deshi që t’i tregojë kufijtë, ndodhi konflikti mes tyre.

Atentate politike

Marrjen e pushtetit, Mundhiri e filloi me një zinxhir atentatesh politike, ku dërgoi për të vrarë vezirin, duke i dhënë fund konfliktit mes tyre, në interes të tij.

Mundhiri u përpoq t’i ribashkojë të gjitha vilajetet nën sundimin e tij, por kryetarët e revoltave kundërshtuan fuqishëm. Jo vetëm kaq, por Ibnu Hafsoni në jug filloi të kërkojë ndihmë nga vendet e Afrikës së jugut për ta ndihmuar të marrë pushtetin qendror.

Pasi nuk arriti të sigurojë ndihmë prej tyre, filloi tu kërkojë ndihmë “muveledunëve” duke u kërkuar ta ndihmonin në bazë raciste. Ata pranuan që ta ndihmojnë dhe u grumbulluan duke shkaktuar trazira dhe rrëmuja në jug të Andaluzisë. Kjo e detyroi Mundhirin të niset vetë me ushtrinë e tij për t’i shuar këto revolta. Ai arriti të vendosë disa qytete nën sundimin e tij dhe moi rob njërin nga kryesorët e rebelimit, njërin nga aleatët e Ibnu Hafsonit, me emër Ajshon. Ai kishte pushtetin e qytetit Arshedon. Mundhiri me ta zënë rob, e vrau.

Viti 274 hënor

887 kalendari diellor

Ibnu Hafson i rrethuar

Më pas, u nis drejt kryeqendrës së jugut, Barbastro ku ishte Ibnu Hafsoni. Pasi e rrethoi, Ibnu Hafsoni e pa që nuk kishte mundësi tjetër veçse të dorëzohej. Kështu i kërkoi Mundhirit armëpushimin dhe tregoi gatishmëri të shkojë në Kordoba, nëse do e hiqte rrethimin dhe e furnizon me ushqime. Mundhiri duke shpresuar në vërtetësinë e fjalëve tij, e pranoi kërkesën. Me largimin e rrethimit, Mundhiri bashkë me Ibnu Hafsonin nisen për në Kordoba dhe situata duket sikur po shkonte drejt qetësimit. Por pas pak kohësh Ibnu Hafsoni arratiset dhe kthehet përsëri në Barbastro dhe rebelohet përsëri. Mundhiri menjëherë u vu në kërkim të tij dhe rrethoi përsëri qytetin ku ndodhej.

Në të njëjtën kohë dhe vetë Europa ishte shpërbërë nga revoltat. Kështu u formuan shtetet si Gjermania, Italia…

Në vitin 275, teksa kishte rrethuar Ibnu Hafsonin, Mundhir ibnu Muhamed vdes pa pasur mundësi t’i shuajë këto revolta dhe të bashkojë Andaluzinë. Ai nuk arriti të shuajë asnjë revoltë, apo të bashkojë ndonjë shtet të përçarë. Kjo ndoshta dhe për shkak të periudhës së shkurtër të sundimit të tij, vetëm dy vite. Pas tij, pushtetin e mori i vëllai.

SË GJASHTI ABDULLAH IBNU MUHAMED IBNU ABDURRAHMAN.

 

Viti hënor275

888 kalendari diellor

Menjëherë pushtetin e mori Abdullah ibnu Muhamed, i cili vazhdoi ta mbajë në rrethim Ibnu Hafsonin derisa e detyroi të kërkojë armëpushimin. Abdullahu e pranoi armëpushimin me Ibnu Hafsonin dhe u kthye në Kordoba, për të drejtuar shtetin. Në kohën e tij, arriti të bashkojë një nga shtetet e përçara.

Viti 276 hënor

 889 kalendari diellor

Revolta e Kurejd ibnu Uthman

Në këtë kohë në Seville, rebelohet Kurejd ibnu Uthman, ndaj valiut të saj, Umeje ibnu Abdul Gafir, që deri atëherë kishte qenë nën pushtetin e omejadëve. Ai nuk kishte arritur të shuajë revoltën e Kurejd. Kurejd i kërkoi ndihmë administratorit të qytetit Merida, që quhej Xhulejkin.  Ai e ndihmoi që të vendosë kontrollin e tij mbi Sevillen dhe arriti të vrasë dhe valiun e saj Umej ibnu Abdul Gafir. Kjo ishte një çarje tjetër në trupin e Andaluzisë, ku rebelëve iu shtua dhe një qytet tjetër i rëndësishëm.

Viti 277 hënor

890 kalendari diellor

Revolta e Hajr ibnu Shakir

Në vitin 277 në qytetin Jaen, rebelohet Hajr ibnu Shakir. Ibnu Hafsoni për të përmirësuar marrëdhëniet e tij me omejadët dhe vetë princin e Andaluzisë, dërgon një njeri, i cili arrin ta vrasë Hajr ibnu Shakir. Kështu i kërkoi Abdullahut paqe dhe ta lejojë që të jetë vali i jugut të Andaluzisë, por Abdullahu e refuzoi këtë.

Gjendja nuk ishte e qetë në përgjithësi, kjo pasi revoltat ndiqnin njëra-tjetrën. Kjo gjendje ishte si në shtetet e përçara, ashtu dhe në mbretëritë spanjolle të Leonit dhe Navar.

Viti 281 hënor

887 kalendari diellor

Ibnu Hafsoni sërish në skenë

Më pas Abdullahu dërgon djalin e tij Mutarrifin në Barbastro për të hequr qafe Ibnu Hafsonin. Atje u zhvilluan disa beteja të përgjakshme, por nuk arriti të fitojë ndaj tij.

Gjithësesi ai arriti t’i japë fund rebelimit të Kurejd në Seville, duke i hequr qafe të gjithë rebelët. Atje ai caktoi Ibrahim ibnul Haxhaxh si administrator të qytetit. E habitshme është se ai u rebelua ndaj pushtetit të Kordobas, vetëm pak kohë pasi ishte caktuar administrator i Sevilles.

Ndodhi shumë të çuditshme. Sapo të caktohej një vali i ri, ai shpallte pavarësinë e qytetit të tij nga pushteti qëndror. Kështu formoheshin shtete të vegjël dhe kërkonin zgjerimin e pushtetit të tyre, apo marrjen e pushtetit qëndror.

Viti 289 hënor

902 kalendari diellor

Gjendja vazhdoi e tillë mes revoltave të ndezura dhe lëvizjeve seperatiste, deri në vitin 289 hënor. Në këtë vit, Ibnu Hafson në jug u bashkua me Benul Haxhaxhët dhe filluan korespondencën me të krishterët në veri. Atëherë Abdullah ibnu Muhamed, dërgon një ushtri e cila duhej t’i jepte fund kësaj aleance. Ushtria e formuar nga kjo aleancë, ishte më e madhe në numër, megjithatë pas një beteje të përgjakshme, ushtria e Abdullahut fiton dhe arrin ta vendosë Sevillen nën kontrollin e saj.

Viti 295 hënor

908 kalendari diellor

Të krishterët sulmojnë

Në kohën që konflikti vazhdonte në jug, Andaluzisë i kanoset një rrezik tjetër nga veriu. Hunët kishin sulmuar nga veriu dhe kishin filluar të përhapin trazira, mbillnin terror, duke frikësuar banorët muslimanë në kufi me ta.

Abdulla ibnu Muhamed dërgoi Lub ibnu Isa, i cili i theu sulmet e tyre dhe rrethoi dhe Pamplonën, të cilën do e kishte marrë, nëse nuk do të kishte mbetur i vrarë gjatë rrethimit. Me vdekjen e tij, ushtria u kthye në Kordoba.

Rezistenca e Ibnu Hafsonit

Në vitin 295 hënor, Abdullahu dërgoi një ushtri tjetër për në Barbastro, tek Ibnu Hafsoni. Ushtria e rrethoi qytetin, shkatërroi disa kulla, por nuk arriti ta marrë. Pas dy vitesh në 297 hënor, Abdullahu dërgoi një ushtri tjetër shumë të madhe për t’i dhënë fund kësaj revolte, por edhe kjo dështoi.

Ibnu Hafsoni ishte njeri i çuditshëm. Ai ishte një bandit që me burra të pakët, arrinte të mbajë qytetin të mos bjerë, me anë të zgjuarsisë djallëzore të tij.

Situata e përgjithshme tek të krishterët, në kufi me Andaluzinë

Në vitin 297 hënor, monarku Alfonso i tretë, e la fronin e mbretit, për shkak të moshës së thyer. Veriu tashmë ishte i ndarë në pesë mbretëri:

1. Mbretëria e Leonit në veri, e cila ishte nën sundimin e Garcias së parë.

2. Mbretëria e Galicias, e cila ishte ndarë nga ajo e Leonit dhe që në krye të saj ishte Edonio. Ajo ndodhej në skajin e veri-perëndimit të Andaluzisë.

3. Mbretëria Esterias, në krye të së cilës ishte Forovile dhe ndodhej në skaj të veriut.

4. Mbretëria Navarit në mesin e veriut.

5. Mbretëria e francezëve në veri-lindje të Andaluzisë.

Vdekja e Abdullah ibnu Muhamed

Abdullah ibnu Muhamed qëndroi në pushtet për 25 vite, 275-300 hënor. Ai vdiq në Kordoba në vitin 300, duke i dhënë fund me këtë epokës së Principatës në Andaluzi. Ai njihej për cilësi të mira dhe morale të larta. Ishte i devotshëm, modest, mirëdashës, i përkushtuar ndaj detyrës, interesohej për vendosjen e drejtësisë dhe luftën kundër çdo padrejtësie. Historianët pohojnë që ankesat e popullit i dëgjonte vetë.

Epoka e Mundhir ibnu Muhamed  dhe Abdullah ibnu Muhamed.

Përmbledhje e ngjarjeve të epokes së princërve omejadë.

172 hënor  Hisham ibnu Abdurrahman vjen në pushtet.

173 hënor  Rebelohet kundër tij, i vëllai Hishami dhe më pas merren vesh.

180 hënor  Vdes Hishami.

180 hënor  Vjen në pushtet Hakem Er-rebdij.

181 hënor  Rebelohen dy xhaxhallarët e tij, Sulejmani dhe Abdullahu. Sulejmani u vra.

181 hënor  Revolta e muveledunëve, revoltë e cila u shua.

206 hënor  Vdekja e Hakem ibnu Hisham Er-rebdij.

206 hënor  Princ Abdurrahmani i dytë (El-euset).

206-229 h  Nisin një sërë revoltash kundër tij, të cilat arrin t’i shuajë edhe pse disa zgjatën.

235 hënor  Lëvizja e martirëve të shenjtë, e cila zgjati tre vite.

238 hënor  Vdekja e Abdurrahmanit të dytë.

238 hënor  Vjen në pushtet Muhamedi i parë, djali i Abdurrahmanit.

245 hënor  Sulmet e Normanëve.

249 hënor  Konflikti mes mbretërisë Navar dhe Leon, ku fitoi kjo e fundit.

264 hënor  Fillimi i revoltës së Ibnu Hafsonit.

273 hënor  Vdekja e Muhamedit të parë.

275 hënor  Vdekja e Mundhirit teksa kishte rrethuar Ibnu Hafsonin në Barbastro.

275 hënor  Vjen në pushtet Abdullah ibnu Muhamed ibnu Abdurrahman.

276 hënor  Rebelimi i Kurejd ibnu Uthman.

297 hënor  Alfonso i tretë hiqet nga posti i mbretit.

300 hënor  Vdekja e Abdullah ibnu Muhamed.

Zhvillimet gjatë epokës së princërve omejadë

1.Në këtë epokë, Andaluzia kaloi në një jetë të re, ku dominonte feja islame. Njerëzit ishin të çliruar nga çdo presion, gjë e cila ëlshtë tipar dallues i një shoqërie muslimane, ku pushteti i vetëm është ai i frymëzuari nga urdhëresa hyjnore. Kjo u bë shkak që të krishterët e Andaluzisë, të përqafonin islamin me bindje dhe vullnet të lirë.

2. U sistemua administrata shtetërore dhe u caktuan postet e Haxhibit dhe Vezirit.

3. Filloi përdorimi i monedhës islame, e cila ishte bazë në shitblerje.

4. U shfaq një interes i madh në fushën arkiteturale, ku u ndërtuan qytete dhe xhami të shumta. Një rëndësi të madhi iu kushtua dhe shërbimeve publike dhe u ndërtuan lulishte. U përmirësua sistemi vaditës dhe u ndërtuan kanale dhe ujësjellës të rinj.

5. U shtuan shkëmbimet kulturore me lindjen, ku shumë nga të rinjtë e Andaluzisë, udhëtuan drejt lindjes islame, për të studiuar në shkollat e atjeshme. Kjo bëri që të dalin në skenë shumë dijetarë fikhu dhe hadithi. Kjo epokë dëshmoi veç të tjerave dhe një lëvizje shkencore, ku dolën në skenë shumë shkencëtarë ku vlen të përmendim Abas ibnu Firnas, i cili vdiq si viktimë e përpjekjeve të tij për të fluturuar. Në historinë e Andaluzisë ai njihet për shpikjet e tij të shumta, ai ishte i pari që arriti të prodhojë qelqin nga gurët dhe kishte shpikur një mjet me të cilin maste kohën.

6. Gjatë kësaj epoke, arsimi ishte përhapur tejmase si për djemtë dhe për vajzat. U ndërtuan shumë shkolla dhe institute, shpenzimet e të cilave mbuloheshin tërësisht nga shteti. Gjuha arabe në atë kohë u përhap në të gjithë shkollat e Andaluzisë, madje dhe në shkollat jomuslimane, ku mësimi zhvillohej në arabisht.

7. Sistemi gjyqësor ishte i pavarur nga pushtetarët, të cilët nuk mund të ndikonin në vendimet e gjyqtarëve. Kjo epokë gjithashtu njihet si epoka e drejtësisë dhe marrëdhënieve të mira ndërfetare, ku të gjitha fetë gëzonin të drejtat e tyre.

8. Sulmet kundër Hunëve në veri të Andaluzisë dhe në jugun e Francës u rralluan.

9. Jeta luksoze kishte bërë që në Andaluzi të përhapej shumë dhe muzika, të cilën e kishte kultivuar më shumë një njeri me emrin Ziriab. Ky kishte qenë nxënës i Ibrahim El-Musali, muzikantit të Halifeve në Bagdad. Zgjuarsia e tij dhe prirjet për të mësuar këtë art, e bënë të njohur gjë e cila shkaktoi xhelozinë dhe smirën e mësuesit të tij. Kështu u detyrua të emigrojë për në Andaluzi. Ishte ky ai që e zhvilloi artin e muzikës dhe këngët në Andaluzi. Gjithashtu ai u bë shkak i fillimit të një epoke të re të poezisë Andaluziane, poezi e cila njihen me emrin “El-Muveshehat El-Endelusije”.

10. Nuk vërehet ndonjë aktivitet politik me Kalifatin islam në lindje.

11. Një interes të veçantë iu kushtua përgatitjes ushtarake, ku u ndërtuan shumë fabrika për prodhimin e armëve. Gjithashtu u formua dhe flota detare. Për nga ana ushtarake, Andaluzia u nda në disa zona, ku çdo zonë kishte ushtrinë e saj, e cila ishte nën urdhërat e valiut apo administratorit të qytetit. Në raste lufte, të gjitha ushtritë mblidheshin në vendin e luftës, ose në kryeqytet. Pas përfundimit të operacioneve luftarake, çdo ushtri kthehej në zonën e saj. Nëse një nga zonat sulmohej befasisht, ushtria e saj mobilizohej për mbrojtje, derisa t’i vinin në ndihmë ushtritë e tjera. Kjo ishte gjithçka rreth ushtrisë së rregullt. Në raste krizash, kësaj ushtrie i bashkoheshin dhe vullnetarët dhe mercenarët.

Emirët omejadë… konkluzione dhe të vërteta

Pa perënduar mirë dielli i Dinastisë Omejade në lindjen arabe, lindi një diell tjetër i kësaj dinastie në Andaluzi. Ata ishin mbretër, fëmijë të mbretërve. Sikur ishin njerëz të krijuar vetëm për të qenë në krye të pushtetit. Thotë poeti:

Sikur ajo ishte krijuar vetëm për të

Dhe sikur ai ishte krijuar vetëm për të

Nëse nuk do i jepej kjo vajzë e shkretë

Edhe toka do dridhej me tërmet.

Megjithëse epoka e tyre, ishte epokë e zhvillimit të Andaluzisë, duam të theksojmë që jo të gjithë dalloheshin për aftësi dhe mençuri. Për këtë shohim që dielli i pushtetit të tyre, herë shkëlqente dhe herë të tjera mbulohej nga eklipsi. Madje mund të themi se mes Abdurrahmanit të parë (Abdurrahmanit Ed-Dahil) dhe Abdurrahman En-Nasir (Abdurrahmanit të tretë), nuk shohim personalitete të tjerë karizmatikë dhe me ndikim, siç ishin këta të dy. Gjithashtu gjatë kësaj epoke nuk ndodhën dhe ngjarje, të cilat do të ndryshonin rrjedhën e ngarjeve, përveç njëfarë zhvillimi civilizues, të cilin e kemi përmendur më sipër.

E shoh si obligim të pashmangshëm, që teksa analizoj ngjarjet historike dhe nxjerr mësime dhe konkluzione, të komentoj dhe tragjedinë, që ndodhi gjatë pushtetit të Hakem ibnu Hisham Rebdij.

  • Ajo ishte një kryengritje që nisi nga shtresa popullore, në një nga lagjet e Kordobas, kundër pushtetit të

 Hakemit. Ajo që na bën të japim komentet tona rreth kësaj ndodhie, është se kjo ishte një kryengritje që nuk nxitej nga lakmia për pushtet. Ajo nisi spontanisht dhe vetë Hakemi gaboi në dy pika:

1. Dallimet mes shtresave shoqërore të popullsisë dhe anashkalimin e një shtresës elitare në pjesëmarrjen efektive në adminstratën shtetërore. Ky ishte një faktor i kryengritjes.

2. Kur arriti ta shuajë këtë kryengritje, ai i detyroi banorët e Rebd të shpërngulen dhe të largohen nga Andaluzia. Teksa lexojmë në librat e historisë, gjejmë që pushtetarët, princërit, mbretërit… janë detyruar të nxjerrin jashtë vendit një person, dy apo më shumë për shkaqe të ndryshme. Kurse që të nxjerrë udhëheqësi i vendit një popull me të cilin ndan të njëjtën fe dhe të detyrojë një pjesë të shoqërisë për tu shpërngulur, nuk ka ndodhur. Kush ia dha këtë të drejtë vallë? A nuk ishin ata muslimanë që e kishin pranuar udhëheqës të tyre dhe që ai i detyroi të braktisnin vendin e tyre?

Kjo është tirania dhe robëria, të cilën Islami ka luftuar për ta ç’rrënjosur. Nëse Hakemi njihet si pushtetari i parë që shpërnguli popullin e tij, ka pushtetarë të tjerë që kanë ardhur pas tij, që përdorin lloje të ndryshme metodash kundër lëvizjeve islame në shumë vende arabe.

Një tirani e tillë nga pushtetarët dhe qeveritarët, është ajo që shkakton reagime të dhunshme dhe është burimi kryesor i terrorit dhe dhunës. Ajo prodhon ide ekstreme dhe i nxit që të luftojnë kundër shtetit të tyre.

  • Teksa flasim mbi gabimet e Hakemit, kjo nuk do të thotë që ne i shkarkojmë nga përgjegjësia banorët e

Rebd dhe të atyre që i nxitën për revoltë kundër Hakemit. Luftrat që nxiten kundër pushtetarëve të sotëm – edhe pse kanë devijuar – janë një urragan i rrezikshëm, i cili mund t’i çojë vendet tona drejt shkatërrimit dhe anarkisë. Sidomos kur kjo bëhet duke u përballur dhe duke përdorur dhe popullsinë e thjeshtë, e cila luan rolin e lëndës djegëse. Kjo çon në gjakderdhje dhe shkatërrim të vendit.

Historia është e mbushur me shembuj të tillë. Këto ndodhi, sikur i ftojnë pushtetarët që të mbrojnë të drejtat e popujve, t’i bëjnë ata pjesëmarrës në administratë dhe t’i duan, me qëllim që të ruajnë shtetin dhe vendin nga rrënimi.