Disa rrëfime motivuese për inkurajimin e fëmijëve për namaz

0
273

1. Erdhi koha e namazit, isha e ulur e i thashë bijës sime: çohu e falu! Më tha: po ti pse nuk çohesh?!
U pikëllova që nuk isha shembull i mirë.

2. Angazhohem shumë në kuzhinë, kur e dëgjoj ezanin u them bijave të falen. Nuk falet asnjëra veçse pas një insistimi të madh e ndonjëherë edhe qortim e bërtitje.
Njëra më tha: përse na thua faluni kurse vetë rri në kuzhinë?! Falu ti dhe do ta shohësh që edhe ne do t’i lëmë gjërat tona e do të falemi me ty. Kështu vendosa të mos u them faluni por kur të vijë koha e namazit ta lë çdo punë dhe t’u them: ejani të falemi bashkë. Kështu filluan t’i përgjigjen ftesës më shumë.

3. Babai im ishte një shofer analfabet, nuk kishte shumë njohuri për fe, porse e donte shumë namazin, sa herë që e dëgjonte ezanin e ndalte veturën dhe shkonte në xhami për ta falur namazin, kështu mësova nga ai që për namaz duhet lënë çdo punë!

4. Nëna ime sa herë që më urdhëronte për namaz lutej për mua e më thoshte:
Fale namazin Allahu të nderoftë! Çohu fale namazin Allahu mos të privoftë nga ëmbëlsia e tij! Çohu falu Allahu të dhëntë sukses! Fillova ta dua namazin ngase prisja çdo herë të dëgjoheshin lutjet e bukura të nënës sime për mua.

5. Që nga fëmijëria e kam parë nënën tek falej, pas çdo namazi lutej me zë: o Allah ma bëj vajzën time namazlike nga ato që e shijojnë kënaqësinë e namazit. Unë fillova të rritem dhe ajo gjithnjë lutej kështu derisa fillova ta dua namazin dhe momentet më të bukura për mua janë atëherë kur qëndroj para Zotit tim.

6. Nuk mjafton vetëm fjala “falu”. Duhet t’ua sqarosh arsyen ashtu si Allahu ua tregoi arsyen e ndalesës Ademit e Havasë kur u tha: “Mos iu afroni kësaj peme e të bëheni të padrejtë”. Thuaji fëmijës tënd: falu që Allahu të jetë i kënaqur me ty, merr abdes mirë që të të pikojnë të gjitha mëkatet.

7. Kur përtoja ta fal namazin e teravive nëna më thoshte: koha kalon shpejt, ta kalosh atë me namaz dhe të fitosh shpërblime është më mirë sesa të të kalojë koha pa asnjë shpërblim.

8. Buzëqesh e pastaj thuaji fëmijës falu.
Pamje që nuk e harroj, kur babi imi përvilte krahët për të marrë abdes për namaz, kalonte pranë nesh dhe i buzëqeshur na thoshte: Dallimi në mes besimtarit dhe jobesimtarit është me namaz, derisa namazi u bë pjesë thelbësore e jetës sime, nuk e paramendoj jetën pa të.

9. Një ditë djali im hyri në shtëpi i lodhur, sapo thirri ezani tha: do të falem në shtëpi. Më dhimbsej ngase ishte i lodhur, por më shumë më dhimbsej nëse do të ishte neglizhent ndaj namazit. Ashtu që duhej një motivim shumë i fortë. I thashë: eja me ne! Tha: do të falem këtu. Pas një debati i thashë:
Shejtani po të thotë ty: thuaj babit jam i lodhur, që ti të shtrihesh e të shikosh televizor, shejtani nuk dëshiron që ti të shkosh në xhami. Ndërsa ti mund ta mundësh atë, jam i sigurt se ti je i fuqishëm, dhe jam i bindur se do të të shoh në xhami. Selam alejkum.
Kur shkova në xhami e lutja Allahun në namaz që ta shihja djalin në xhami. Pas namazit e pashë në sexhde në safin e fundit. E prita i gëzuar, e përqafova me ngrohtësi dhe buzëqeshje, dhe me një shpërblim.
Dhe i thashë: a nuk të thash që ti do ta mundësh shejtanin!?

10. A është namazi yt apo imi?
Një ditë e urdhërova të birin 10 vjeçar për namaz. Ma ktheu i hidhëruar: a është ky namaz yti apo imi? Domethënë lërmë rehat. Buzëqesha dhe i thashë: shko merre Kuranin, shkoi pak si me zor. Ma solli Kuranin dhe e falënderova. E hapa te fjala e Allahut: “Urdhëro familjen tënde me namaz dhe ji i qëndrueshëm në këtë.” Pastaj i thashë: lexoje dhe ia shpjegova domethënien. Pastaj ia tregova hadithin: “Urdhëroni fëmijët për namaz që në moshën 7 vjeçare.” E në fund thashë a po e kupton tani a është namazi im apo yti? Po, namazi është yti, por unë jam përgjegjës për të. Shpresoj, o biri im që të mos e zhgënjesh babin tënd para Allahut. Pastaj krijuam shoqëri dhe ndonjëherë mahitesha me të, duke i thënë çohu falu dhe më kurse nga pyetja e Allahut që do të më bëjë për ty.

Përktheu: Hoxhë Llokman Hoxha
Shembulli.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here