ÇKA ËSHTË ISLAMI ?

0
197

1.Çka është Islami?

Fjala “Islam” është një fjalë Arabe që do të thotë “t’ia nënshtrosh dhe dorëzosh vullnetin tënd Zotit të Gjithfuqishëm”. Fjala e ka të njëjtën rrënjë sikurse fjala Arabe “selam”, që do të thotë paqe. Ndryshe nga emrat që përdoren për fetë tjera, siç janë Budizmi, Hinduismi dhe Krishterimi, emri për fenë Islame është shpallur nga Zoti dhe bart një domethënie të thellë shpirtërore – vetëm duke ia nënshtruar vullnetin personal Zotit të Gjithfuqishëm njeriu mund të arrijë paqen e vërtetë ne këtë jetë dhe në Jetën e Përtejme. Islami na mëson se fillimisht të gjitha fetë e kanë pasur porosinë esenciale të njëjtë – nënshtrimi me tërë qenien ndaj vullnetit të Zotit dhe adhurimi i Tij dhe vetëm i Tij. Për këtë arsye Islami nuk është fe e re, por është e njëjta e Vërtetë Finale e shpallur që Zoti ua shpalli të gjithë pejgamberëve, përfshirë Nuhun (Noa), Ibrahimin (Abrahamin), Musain (Moisiun) dhe Isain (Jezusin).

2.Kush janë muslimanët?

Fjala Arabe “Musliman” do të thotë “dikush që i nënshtrohet vullnetit të Allahut”. Porosia e Islamit është e destinuar për tërë botën dhe kushdo që e pranon këtë porosi bëhet musliman. Disa njerëz gabimisht mendojnë se Islami është vetëm një fe për Arabët, por asgjë s’mund të jetë më larg nga e vërteta, meqë në të vërtetë mbi 80% e muslimanëve të botës s’janë Arabë! Edhe pse shumica e Arabëve janë muslimanë, ka edhe Arabë të cilët janë të Krishterë, Çifutë dhe ateistë. Nëse shikohet në popujt e ndryshëm të cilët jetojnë në botën muslimane – prej Nigerisë deri te Bosnja dhe prej Marokos deri te Indonezia – është mjaft lehtë të shihet se muslimanët vijnë nga raca, grupe etnike dhe nacionalitete të ndryshme. Prej fillimit, Islami kishte një porosi universale për të gjithë njerëzit. Kjo mund të shihet në faktin se disa Shoqërues të hershëm të pejgamberit Muhamed nuk ishin vetëm Arabë, por poashtu Persianë, Afrikanë dhe Romakë Bizantinë. Të qenit musliman nënkupton pranim të plotë dhe dëgjueshmëri aktive ndaj vullnetit të shpallur të Zotit të Gjithfuqishëm. Muslimani është një person i cili lirshëm pranon që besimet, vlerat dhe dogmën t’i bazojë në vullnetin e Zotit të Gjithfuqishëm. Në të kaluarën, edhe pse sot nuk shihet edhe aq, fjala “Muhamedan” shpesh është perdorur si emërtim për muslimanin. Ky emërtim është një term i gabuar dhe është rezultat i një shtrembërimi të bërë qëllimisht ose i injorancës së plotë. Një prej arsyeve për idenë e gabuar është ajo se Evropianët për shekuj qenë mësuar se muslimanët e kanë adhuruar pejgamberin Muhamed në mënyrë të njëjtë siç e adhuruan të Krishterët Jezusin. Kjo absolutisht s’është e vërtetë, meqë muslimanit nuk i është e lejuar që të adhurojë ndonjë apo çfarëdo qoftë veç Zotit të Gjithfuqishëm.

3. Kush është Allahu?

Shumë shpesh mund të dëgjohet fjala Arabe “Allah” duke u përdorur në lidhje me Islamin. Fjala “Allah” është thjesht fjala Arabe për Zotin e Gjithfuqishëm, dhe është po e njëjta fjalë e cila përdoret nga të Krishterët dhe Çifutët që flasin Arabisht. Nëse merret përkthimi Arab i Biblës, do të shihet se fjala “Allah” përdoret aty ku fjala “Zot” përdoret në Shqip. Në të vërtetë, fjala Arabe për Zotin e Gjithfuqishëm, “Allah”, është majft e ngjashme me fjalën për Zot ne gjuhët e tjera Semite – për shembull, fjala hebreje për Zot është “Elah”. Për shkaqe të ndryshme, disa joMusliman gabimisht mendojnë se muslimanët adhurojnë një Zot tjetër pos Zotit të Moisiut, Abrahamit dhe Jezusit. Sigurisht se ky nuk është rasti, meqë monoteizmi i pastër Islam thërret të gjithë njerëzit që të adhurojnë Zotin e Noas, Abrahamit, Moisiut, Jezusit dhe të gjithë pejgamberëve tjerë.

4. Kush është Muhamedi?

Pejgamberi i fundit që Zoti ia dërgoi njerëzimit ishte pejgamberi Muhamed. Muhamedi shpjegoi, interpretoi dhe jetoi mësimet e Islamit. Pejgamberi Muhamed është më i madhi nga të gjithë pejgamberët për shumë arsye, por kryesisht për shkak se rezultatet e misionit të tij kanë sjellur më shumë njerëz në besimin e pastër në një Zot se çdo pejgamber tjetër. Ndonëse komunitetet tjera fetare pohojnë se besojnë në një Zot, gjatë kohës ata i kanë bastarduar besimet e tyre duke i marrë pejgamberët dhe shenjtët e tyre si ndërmjetësues me Zotin e Gjithfuqishëm. Disa fe besojnë se pejgamberët e tyre janë manifestime të Zotit, “Inkarnim i Zotit” ose “Biri i Zotit”. Të gjitha këto ide false çuan deri në adhurimin e krijesës në vend të Krijuesit, gjë që kontribuoi në praktikimin e idhujtarisë së besimit se Zotit të Gjithfuqishëm mund t’i afrohet përmes ndërmjetësuesve. Me qëllim që të ruajë nga këto pavërtetësi, pejgamberi Muhamed gjithmonë theksonte se ai ishte vetëm një qenie njerëzore i ngarkuar me predikimin e porosisë së Zotit. Ai i mësoi muslimanët që t’i referoheshin atij si “i Dërguar i Allahut dhe Rob i Tij”. Për muslimanët, Muhamedi është shembulli më i lartë për të gjithë njerëzit – ai ishte pejgamber shembullor, burrështetas, udhëheqës ushtarak, sundues, mësues, fqinj, bashkëshort, baba dhe shok. Ndryshe nga pejgamberët dhe të dërguarit tjerë, pejgamberi Muhamed jetoi në driten e plotë të historisë. Muslimanëve nuk iu duhet që të kenë “besim” se ai ka ekzistuar dhe se mësimet e tija janë ruajtur – ata e dinë se kjo është fakt. Edhe atëherë kur pasuesit e tij ishin të paktë, Zoti i Gjithfuqishëm e informoi se ai është dërguar si mëshirë për njerëzimin. Për arsye se njerëzit kishin shtrembëruar apo harruar porosinë e Zotit, Zoti e mori mbi Vete që ta mbrojë porosinë që iu shpall Muhamedit. Kjo për atë se Zoti i Gjithfuqishëm premtoi që mos të dërgojë lajmëtar tjetër pas tij. Meqenëse të gjithë pejgamberët e Zotit kanë predikuar porosinë e Islamit – d.m.th. nënshtrimin ndaj vullnetit të Zotit dhe adhurimin e Tij – Muhamedi faktikisht është pejgamberi i fundit i Islamit, jo i pari.

5. Çfarë janë Mësimet e Islamit?

Baza e dogmës Islame është besimi në njësinë e Zotit. Kjo do të thotë të besosh se është vetëm një Krijues dhe Furnizues i çdo gjëje në univers, dhe se asgjë s’është hyjnore apo e denjë për adhurim përveç Tij. Të besosh në njësinë e Zotit do të thotë shumë më shumë se thjesht të besosh se është “Një Zot” – përkundër dy, tre apo katër. Janë disa fe që pohojnë besimin në “Një Zot” dhe besojnë se përfundimisht ekziston vetëm një Krijues dhe Furnizues i universit. Mirëpo, Islami, jo vetëm që insiston në këtë, por poashtu refuzon përdorimin e fjalëve si “Zot” dhe “Shpëtimtar” për ndonjë përveç Zotit të Gjithfuqishëm. Islami poashtu refuzon përdorimin e të gjithë ndërmjetësuesve në mes Zotit dhe njeriut, dhe insiston që njerëzit t’i afrohen Zotit drejtpërdrejt dhe ta kufizojnë adhurimin vetëm në Të. Muslimanët besojnë se Zoti i Gjithfuqishëm është Përdëllyes, don dhe është i mëshirshëm. Esenca e të pavërtetës është pohimi se Zoti nuk mund të përballet dhe t’i falë krijesat e Tij drejtpërdrejt. Duke ritheksuar barrën e mëkatit, si dhe pohimi se Zoti s’mund t’i falë mëkatet drejtpërdrejt, fetë e rrejshme mëtojnë që t’i dëshprojnë njerëzit nga mëshira e Zotit. Pasi që ata të jenë bindur se s’mund t’i afrohen Zotit drejtpërdrejt, njerëzit mund të çorientohen duke iu kthyer/lutur zotave të rrejshëm për ndihmë. Këta “zota të rrejshëm” mund të marrin forma të ndryshme, siç janë shenjtët, engjëjt, apo dikush i cili besohet të jetë “Bir i Zotit” apo “Inkarnim i Zotit”. Gati në çdo rast, njerëzit të cilët adhurojnë, luten apo kërkojnë ndihmë prej një zoti të rrejshëm nuk e konsiderojnë apo thërrasin atë “zot”. Ata pohojnë besimin në Një Zot Suprem, por pohojnë edhe atë se u luten dhe i adhurojnë të tjerët krahas Zotit vetëm që t’i afrohen Atij më afër. Në Islam, ekziston nje dallim i qartë në mes Krijuesit dhe të krijuares. Nuk ka dykuptimësi në hyjni – çdo gjë që është e krijuar nuk vlen që të adhurohet dhe vetëm Krijuesi është i denjë që të adhurohet. Disa fe gabimisht besojnë se Zoti është bërë pjesë e krijimit të Tij, dhe kjo i ka shtyrë njerëzit të besojnë se ata mund të adhurojnë diçka të krijuar me qëllim që ta arrijnë Krijuesin e tyre.

Muslimanët bësojnë se edhe pse Zoti është unik dhe përtej të kuptuarit – Ai nuk ka “Bir”, ortak apo ndihmues. Sipas besimit musliman, Zoti i Gjithfuqishëm “nuk lind e as s’është i lindur” – as në kuptim të plotë të fjalës, as në mënyrë alegorike, metaforike, fizikisht apo meta-fizikisht – Ai është absolutisht unik dhe i përjetshëm. Ai kontrollon çdo gjë dhe është në mënyrë të përsosur i aftë që të vendosë mëshirën dhe faljen e Tij të pakufishme ndaj kujtdoqoftë që Ai e zgjedh. Kjo është ajo përse Ai quhet i Gjithfuqishmi dhe më i Mëshirshmi. Zoti e ka krijuar universin për njeriun, dhe si i tillë dëshiron çdo të mirë për qeniet njerëzore. Çdo gjë në univers muslimanët e shohin si shenjë të aftësisë krijuese dhe dashamirësisë së Zotit të Gjithfuqishëm. Poashtu, besimi në njësinë e Zotit nuk është thjesht një koncept metafizik. Është një besim dinamik që ndikon në pikëpamjen e njeriut ndaj njerëzimit, shoqërisë dhe të gjitha aspekteve të jetës. Si një përfundim logjik ndaj besimit Islam në njësinë e Zotit, është besim në njësinë e njerëzimit dhe humanitetit.

6. Ç’është Kur’ani?

Ai është shpallja finale e vullnetit të Zotit të Gjithfuqishëm ndaj tërë njerëzimit, e cila qe bartur përmes engjëllit (Xhibril), në Arabisht, deri te pejgamberi Muhamed në fjalët dhe domethënien e saj të plotë. Kur’ani u qe transmetuar shoqëruesve të pejgamberit, të cilin ata e mësuan përmendsh tekstualisht, dhe i cili ka qenë recituar publikisht dhe vazhdimisht nga ata dhe pasardhësit e tyre deri në ditët e sotme. Shkurtimisht, Kur’ani është libri i udhëzimit prej Zotit par exellence. Kur’ani ende mësohet përmendsh dhe mësohet nga miliona njerëz. Gjuha e Kur’anit, Arabishtja, ende është gjuhë e gjallë për miliona njerëz, pra ndryshe nga shkrimet e feve të tjera, Kur’ani ende lexohet në gjuhën origjinale të tij nga miliona njerëz. Kur’ani është mrekulli e gjallë në gjuhën Arabe; dhe dihet se është i paimitueshëm në stilin e tij, formën dhe ndikimin shpirtëror. Shpallja e fundit e Zotit ndaj njerëzimit, Kur’ani, i qe shpallur pejgamberit Muhamed gjatë periudhës 23 vjeçare. Kur’ani, në kontrast me shumë libra tjerë fetarë, ka qenë gjithmonë i menduar si Fjalë e Zotit nga ata që besonin në të, d.m.th. nuk ka qenë diçka e dekretuar nga një këshill fetar shumë vite pasi ka qenë shkruar. Poashtu, Kur’ani ka qenë recituar publikisht para komuniteteve muslimane dhe joMuslimane gjatë jetës së pejgamberit Muhamed. I tërë Kur’ani poashtu qe shkruar plotësisht gjatë jetës së Pejgamberit, dhe një numër i shoqëruesve të pejgamberit e mësuan përmendsh tërë Kur’anin fjalë-për-fjalë ashtu siç ishte shpallur. Pra, ndryshe nga shkrimet tjera, Kur’ani gjithmonë ka qenë në duart e besimtarëve të rëndomtë, gjithmonë është menduar të jetë fjalë e Zotit, dhe për shkak të mësimit përmendsh të përhapur ka qenë ruajtur në mënyrë të përsosur. Në lidhje me mësimet e Kur’anit – është një shkresë universale dhe i adresohet tërë njerëzimit, dhe jo ndonjë fisi të veçantë apo “njerëzve të zgjedhur”. Porosia që ai na e sjellë s’është asgjë e re, por e njëjta porosi e të gjithë pejgamberëve – nënshtroju Zotit të Gjithfuqishëm dhe adhuroje vetëm Atë. Si e tillë, shpallja e Zotit në Kur’an fokusohet në të mësuarit qenieve njerëzore rëndësinë e të besuarit në njësinë e Zotit dhe inkuadrimit të jetëve të tyre rreth udhëzimit që Ai solli. Veç kësaj, Kur’ani përmban rrëfime të pejgamberëvë tjerë, siç janë Abrahami, Noa, Moisiu dhe Jezusi, si dhe shumë urdhëra dhe ndalesa nga Zoti. Në kohën moderne në të cilën shumë njerëz kanë rënë në dyshim, dëshpërim shpirtëror dhe “korrektësi politike”, mësimet Kur’anore ofrojnë zgjidhje ndaj zbrazëtires së jetëve tona dhe trazirave që e kanë kapluar botën sot.

7. Si e shikojnë muslimanët natyrën e njeriut, qëllimin e jetës dhe Jetën e Përtejme?

Në Kur’anin e shenjtë, Zoti i mëson qeniet njerëzore se ata janë krijuar me qëllim që ta adhurojnë Atë, dhe se baza e tërë adhurimit të vërtetë është të qenit i vetëdijshëm për Zotin. Meqenëse mësimet e Islamit i përfshijnë të gjitha aspektet e jetës dhe etikës, të qenit i vetëdijshëm për Zotin inkurajohet në të gjitha çështjet njerëzore. Islami e bën të qartë atë se të gjitha veprat njerëzore janë akte të adhurimit nëse ato bëhen vetëm për Zotin dhe në pajtueshmëri me Ligjin e Tij hyjnor. Si i tillë, adhurimi në Islam nuk është i kufizuar në rituale fetare. Mësimet Islame shërbejnë si mëshirë dhe shërim për shpirtin njerëzor, dhe vetitë siç janë nënshtrimi, sinqeriteti dhe lëmosha janë fort të inkurajuara. Për më tepër, Islami dënon fodullëkun dhe vetëkënaqësinë, meqë Zoti i Gjithfuqishëm është i vetmi gjykatës i ndershmërisë së njeriut. Qeniet njerëzore nuk besohet të jenë trashëgimisht mëkatare, por shihen si barazisht të afta për të keqen dhe të mirën. Islami poashtu na mëson se besimi dhe veprat shkojnë së bashku. Zoti u ka dhënë njerëzve vullnet të lirë, dhe masë për besimin e njeriut janë veprat dhe punët. Mirëpo, qeniet njerëzore janë krijuar të dobëta dhe rregullisht bienë në mëkat. Kjo është natyra e qenieve njerëzore e krijuar nga Zoti në Urtësinë e Tij, dhe nuk është trashëgimisht e “bastarduar” apo e nevojitur për riparim. Kjo sepse bulevardi i pendimit është gjithmonë i hapur ndaj të gjitha qenieve njerëzore, dhe Zoti i Gjithfuqishëm e do mëkatarin pendestar më shumë sesa atë i cili nuk bën mëkat fare. Një balancim i mirëfilltë i jetës Islame vendoset duke pasur frikë të shëndoshë ndaj Zotit, si dhe besim të sinqertë në mëshirën e Tij të pafund. Jeta pa frikë ndaj Allahut çon në mëkat dhe mosbindje, derisa të besuarit se kemi mëkatuar aq shumë sa që Zoti nuk do të na fal çon vetëm në dëshpërim. Në dritën e kësaj, Islami mëson se: vetëm të humburit e humbin shpresën në Mëshirën e Zotit të tyre. Për më tepër, Kur’ani i shenjtë, që i qe shpallur pejgamberit Muhamed, përmban një pjesë të madhe të mësimeve në lidhje me Jetën e Përtejme dhe Ditën e Gjykimit. Për këtë shkak, muslimanët besojnë se të gjitha qeniet njerëzore përfundimisht do të gjykohen nga Zoti për besimet dhe veprat ne jetën e tyre tokësore. Në të gjykuarit e qenieve njerëzore, Zoti i Gjithfuqishëm do të jetë i Mëshirshëm dhe i Drejtë, dhe njerëzit do të gjykohen vetëm për atë që ata kanë pasur mundësi. Mjafton të thuhet se Islami mëson që jeta është sprovë, dhe se të gjitha qeniet njerëzore do të japin llogari para Zotit. Besimi i sinqertë në Jetën e Përtejme është çelës për të udhëhequr një jetë dhe moral të balancuar. Përndryshe, jeta shiqohet si një fund në vete, i cili nxit qeniet njerëzore të bëhen më vetiake, materialistike dhe të pamoralshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here