Pyetje: A mund të më tregoni renditjen e sureve në pesë kohët e namazit që duhet thënë në sunet, farz, sunetët e fundit dhe në namazin e vitrit?
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur e mësonte personin që gaboi në namaz, lidhur me leximin e Kuranit në namaz, i tha: “Lexo çfarë të duash nga Kurani”, që d.m.th. se në mënyrë të detyruar nuk është e caktuar se çfarë duhet të lexojmë në namazet farze apo në ato sunete (të preferuara), përveç sures Fatiha, e cila patjetër duhet të lexohet në çdo rekat të namazit, ngase Pejgamberi,sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka namaz pa e lexuar Fatihanë”.
Mirëpo, i Dërguari i Allahut kishte një praktikë që bënte në namaz ku lexonte sure të caktuara:
– Sunetet e sabahut: në rekatin e parë surja el-Kafirun, ndërsa në të dytin surja el-Ihlas, ngase Ibën Omeri, radijallahu anhu përcjellë: “Kam parë të Dërguarin e Allahut njëzet herë të lexonte në dy sunetet pas akshamit dhe në dy sunetet para sabahut suret: ‘Kul ja ejjuhel kafirun’ dhe ‘Kul huvellahu ehad’” (Sahihu Nesai nr. 992). Nëse praktikojmë këtë, është një gjë e pëlqyer, siç kanë thënë dijetarët.
– Farzet e sabahut: Pejgamberi pëlqente të zgjedhte nga suret që fillojnë nga surja Kaf e deri te surja Murselat, ndonjëherë lexonte suren Saffat, ndërsa në sabahun e ditës së xhuma në rekatin e parë lexonte suren Sexhde, ndërsa në të dytin suren el-Insan. Pra, në farzin e sabahut është e pëlqyer të lexojmë më gjatë, pa përcaktuar ndonjë sure në veçanti përveç në ditën e xhuma siç e përmendëm.
– Sunetet e para të drekës: nuk di të ketë diçka e transmetuar.
– Farzet e drekës: Është e pëlqyer të lexohet pak më shkurtë sesa në farzin e sabahut, por e preferuar është leximi i një sure të plotë edhe nëse është e shkurtë, ngase Ebu Katade përcjellë:“Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në dy rekatet e para (farz) të drekës dhe ikindisë lexonte Fatihanë dhe nga një sure të plotë” (Buhariu nr.762; Muslimi nr.451).
– Sunetet e fundit të drekës: nuk di të ketë diçka të transmetuar.
– Sunetet e ikindisë: nuk di të ketë diçka të transmetuar.
– Farzet e ikindisë: Është e pëlqyer të lexojmë ndonjë nga suret me gjatësi mesatare që fillojnë prej te surja Abese e deri te Duha.
– Farzet e akshamit: Është e pëlqyer të lexojmë ndonjë nga suret e shkurtra të cilat fillojnë surja Duha e deri në fund të Kuranit.
– Sunetet e akshamit: në rekatin e parë surja el-Kafirun, ndërsa në të dytin surja el-Ihlas, siç mësuam nga hadithi i Ibën Omerit te sunetet e sabahut.
– Farzet e jacisë: Është e pëlqyer të lexojmë ndonjë nga suret me gjatësi mesatare që fillojnë prej te surja Abese e deri te Duha.
– Sunetet e jacisë: nuk di të ketë diçka të transmetuar.
– Namazi i vitrit: Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, praktikonte që në rekatin e parë të lexonte suren A’la, në të dytin el-Kafirun dhe në të tretin el-Ihlas.
Allahu të ndihmoftë që të mësosh përmendësh nga Kurani sa më shumë dhe sa më mirë Allahun ta adhurosh. Amin.