CILA ËSHTË VAJZA MË “E BUKUR”?

0
313
Me qenë e veçantë, me arrit shumë, me e pëlqye veten, bukuria, janë gjëra, të cilat çdo vajzë i dëshiron t’i posedojë dhe t’i arrijë. Mirëpo, a e ka pyetur ajo ndonjëherë veten se çka është bukuria dhe cilat janë tiparet që cilësojnë një vajzë të bukur?!
Nëse një vajzë e percepton veten e saj si të bukur, atëherë kjo është dhunti nga dhuntitë e Zotit subhanehu ve teala që një njeri të perceptojë veten si të bukur. Vajza fillon ta dojë veten. Përmes kësaj, ajo zgjedh rrugën e drejt për veten e saj, rrugë e të qenurit e veçantë e produktivitetit.
Pëlqimi dhe respektimi i vetes është diçka e rëndësishme në jetën e saj. Vajza lirshëm le të kujdeset për bukurinë, në mënyrë që arritjet dhe produktiviteti i saj të gjejnë shprehje në një mënyrë të bukur.
I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem na fton në të bukurën. Kjo nuk është për t’u habitur për të Dërguarin tonë, i cili na ka mësuar për çdo gjë në jetën tonë. Ai në udhëtimet e tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjithnjë strehohej nga situatat, në të cilat kishte diçka të shëmtuar, për arsye se diçka e tillë ndikon në gjendjen shpirtërore të njeriut, dhe përmes saj zvogëlohet apo humb tërësisht produktiviteti. Si duket gjendja jote kur shikon diç të bukur, qoftë kodra, pemë dhe lumenj? A nuk e ndjen fuqinë dhe gatishmërinë për aktivitete e guxim?

Cilat përmasa i ka “bukuria”?
Bukuria është e rëndësishme në jetën e njeriut. Secili nga ne e kërkon atë. Për këtë Allahu subhanehu ve teala iu ka dhënë njerëzve një formë të bukur.
Mirëpo, çka është një formë e bukur? A janë një invalid dhe një i verbër të bukur? Po, për arsye se çdo njeri është i bukur edhe nëse ka të ”meta” trupore.
I verbëri ka mundësi përmes të prekurit të perceptojë të bukurën. Ne mund t’i parashtrojmë vetes pyetjen “a dashuron një i verbër?”, përgjigjja është po, sepse dashuria nuk lind vetëm nga fuqia e të pamurit!
Dashuria i ka tre mundësi: Dashuria e syve, e mendjes dhe e shpirtit. Pra, të verbëtit i ikën vetëm 1/3, ndërsa 2/3-tat ai i posedon.

A është “bukuria” e rëndësishme njësoj si për femra ashtu edhe për meshkuj?
Kur ne flasim për bukurinë, atëherë ne nënkuptojmë që kjo tematikë është e rëndësishme si për femra ashtu edhe për meshkuj.
I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Me gruan lidhet kurorë për katër gjëra: për pasurinë, për fisin, për bukurinë dhe për besimin. Ti gjeje atë që është besimtare, do të bëhesh i lumtur”.
I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka potencuar këtu që bukuria te njerëzit është e rëndësishme. Ai ka thënë që meshkujt dëshirojnë t’i martojnë femrat për shkak të bukurisë, si qëndron puna te femrat? Përse për meshkujt ai (Pejgamberi) sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë që: “Kur t’iu vjen ndonjëri, të cilit ia pëlqeni fenë dhe moralin, veçoritë e karakterit, me qëllim për t’ju martuar, atëherë martoje atë…”.
Përse ai sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i ka kufizuar cilësitë e një mashkulli në tipare të besimit dhe në tiparet të karakterit?
Për arsye se besimi dhe tiparet e karakterit pasqyrojnë te një femër bukurinë e një mashkulli.
Përse ne pohojmë nganjëherë kur të takojmë në rrugë ndonjë çift bashkëshortor, që ata nuk po përshtaten me njëri-tjetrin? Për arsye se ne e kemi vëzhguar vetëm bukurinë e jashtme. Me sytë tanë, ne nuk mund ta vëmë re bukurinë e shpirtit. Po ashtu ne nuk mund ta perceptojmë se ndërmjet tyre mbizotëron një qetësi dhe bukuri shpirtërore, kështu që bukuria e jashtme e ka kamufluar, dhe ata janë gjetur.

Çfarë kuptojnë njerëzit me “bukuri”?
Ne jemi mësuar që të bukurën ta shohim vetëm përmes formës. Për të gjitha produktet, reklamimi bëhet me trup të bukur, me aktore dhe këngëtare që prezantojnë trupin e tyre.
Ne, harrojmë që këta njerëz, qëndrojnë me orë të tëra para pasqyrës për t’u dukur aq bukur.
Nëpër revista mund të lexoni për make up-in më të mirë, për styling-un më të mirë, dietën më të shpejtë. Po ashtu, ne asnjëherë nuk kemi dëgjuar për ndonjë konkurs bukurie, që vlerëson bukurinë shpirtërore dhe tiparet e karakterit.
Ndërkohë, që unë edhe personalisht, po dëgjoj që edhe disa gra muslimane nuk dëshirojnë të kenë fëmijë, pasi që shtatzënia dhe të ushqyerit e fëmijëve ua dëmton bukurinë!
Tani ne po përjetojmë çdo kund, në rrugë, në TV, etj., një formë false të bukurisë. Tani më nuk mund të dallosh ndryshimin ndërmjet bukurisë reale dhe asaj artificiale. Me anë të kirurgjisë, gratë munden po thuajse çdo gjë të ndryshojnë në trupin e tyre…

Si e ka shfrytëzuar i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem “bukurinë”?
Në mënyrë që të mos mendohet që jemi kundër të bukurës, kemi nxjerrë disa raste nga jeta e të Dërguarit të Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ku ka luajtur rol bukuria e formës.
I Dërguari kujdesej që lajmëtarët, që i dërgonte te udhëheqësit, t’i zgjidhte më të bukurit ndër sahabët. Sahabiu Dihjetul Kelbi radijallahu anhu ishte i njohur për bukurinë e tij. Xhibrili alejhi selam i paraqitej Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në formë të këtij sahabiu. Mus’ab bin Umejr radijallahu anhu ishte i njohur për bukurinë dhe erën e tij të këndshme, atë e dërgoi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem si lajmëtar në Medinë. Muadh bin Xhebel radijallahu anhu, i cili cilësohej me bukuri, besim e shumë dituri, u dërgua nga Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në Jemen. Kështu, ne dimë se Pejgamberi i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dinte shumë mirë si ta shfrytëzonte bukurinë për Islam.
Bukuria e formës është e dëshirueshme. Mirëpo, të merremi vetëm me të dhe ta lëmë anash bukurinë e shpirtit, veçoritë e karakterit dhe të fesë, ky është gabim. A nuk e keni vënë re, se si në televizion emetohen shumë emisione të dobëta dhe të pa dobishme, dhe me anë të joshjes së gruas i tërheqin shikuesit? Emisione të tilla vetëm nga këto arsye janë bërë të suksesshme!

Çka është më mirë, femra me apo pa hixhab?
Bukuria e një vajze del në pah atëherë kur ajo bart hixhabin. Këtu kam fjalën për bukurinë e dëgjueshmërisë ndaj Zotit subhanehu ve teala. A nuk themi ne, nëse një njeri ka mëkatuar, që ai ka bërë diç të keqe? Ndërsa, nëse ka vepruar një vepër të lejuar, themi se ai ka vepruar një punë të hijshme. Një vepër e mirë krahasohet me të bukurën, përderisa vepra e keqe me të shëmtuarën!
Dëshiroj t’ju tregoj një tregim për një femër shumë të bukur me emrin Oissal.
Një djalë i ri dëshironte t’i afrohej asaj në mënyrë të ndaluar. Ajo i tha:
“Kjo mund të ndodh vetëm pasi ta kesh falur namazin e sabahut 40 ditë radhazi në xhami!
Ai i tha:
“S’ka problem”.
Dhe me të vërtetë filloi ta falte namazin e premtuar në xhami.
Pasi kaluan 40 ditë, erdhi Oissal te ai dhe shprehu gatishmërinë për të realizuar premtimin e dhënë. Djaloshi e refuzoi tani këtë propozim!
Kështu është kur zemra e njeriut mbushet me dashuri ndaj Allahut. Çdo gjë tjetër është në rend të dytë. Allahu subhanehu ve teala është I Bukur dhe e donë të bukurën.
Kulmi i bukurisë së një femre muslimane është që ndaj Krijuesit të saj, Allahut subhanehu ve teala, të jetë e dëgjueshme dhe ta plotësojë urdhrin e hixhabit.

Një fatamorganë me emrin “Bukuri”
Naomi Campbell, njëra ndër fotomodelet më të famshme në SHBA pohon:
“Edhe pse kam arritur shumë, dhe mund t’i shijoj të gjitha liritë që dëshiroj, përsëri kam mbetur robëreshë e një gjëje të vetme e Fatamorganës së quajtur BUKURI”.
Ajo refuzon idenë që një femër me figurë të dobët sportive duhet të jetë model. Kjo përmasë shkakton tek ajo dhe tek shumë vajza pakënaqësi me veten e tyre. Ky është rezultati i vrapimit pas një ideali të bukurisë. Psikologët vënë në presion organizatorët e konkurseve të bukurisë, në mënyrë që misset të përzgjidhen në bazë të kualiteteve të ndryshme!
Natyrisht, që një femër do të vuajë nga presioni i bukurisë, përderisa ajo nuk e merr si shembull gruan e Islamit:
Një femër që e merr si shembull Ajshen, Hatixhen, Hafsen apo Zejneben, Allahu qoftë i kënaqur me to. Nuk do të shikojë shumë figurën e trupit, apo ta bëj bukurinë si qëllim të jetës së saj! Do të kujdeset për atë që është shumë më e rëndësishme se sa bukuria e trupit. Do të kujdeset për bukurinë shpirtërore e fetare.
Nuk po ju them vajzave që të anashkalojnë kujdesin për bukurinë e trupit të tyre! Unë, po i këshilloj ato që në rend të parë ta vënë kujdesin e bukurisë shpirtërore dhe të fesë së tyre, pastaj të kompletohen me kujdesin ndaj trupit të tyre. Kjo është bukuria e vërtetë e një vajze muslimane!
Na lejoni që t’i përgjigjemi pyetjes sonë: Cila është vajza më e bukur?
Ajo është vajza që e respekton veten e saj, kujdeset për bukurinë dhe veçoritë e karakterit.

Shkruar nga A. Fadil (Përktheu: Lule Uka)
Burimi:
www.islam-verstehen.de

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here