Ç’është epshi | Mjeksia Islame

0
244

Ç’është epshi

Epsh do të thotë të shmangurit nga rruga e drejtë, sjellje që depërton në psikikë e që drejton në veprime jo të mira, në qëllime të pakontrolluara, që josh e tërheq gjithmonë drejt plotësimit të dëshirave amorale. Epshorët në këtë botë karakterizohen nga shkalla më e ulët e dinjitetit njerëzor, kurse në botën tjetër e kanë të garantuar Xhehenemin. Epshi, siç thamë edhe më herët, është cilësi tejet e rrezikshme, sepse njerëzit që sundohen nga ai nuk zgjedhin metoda për arritjen e qëllimeve të tyre. Të shumtën e rasteve dëshirojnë që vetëm ata të zihen në gojë, të jenë në qendër të vëmendjes (egocentristë), të lavdërohen, të lartësohen, të ngrihen deri në pozitën e prijësve, edhe pse një post të tillë ata nuk mund ta meritojnë. Pra, epshorët janë të verbër e të shurdhër, e kjo do të thotë se ata nuk janë të gatshëm të pranojnë dhe të zbatojnë urdhrat e Allahut xh.sh. dhe të Pejgamberit a.s .. Madje, ata as që kërkojnë ndihmën e tyre. Ata nuk pajtohen me çështjet që kanë pëlqimin e Allahut xh.sh. dhe të Dërguarit të Tij. Nuk u shmangen gjërave që janë të ndaluara në Kuranin famëlartë. Muhamedi a.s. na rrëfen se si në Miraxh, në një vend, pa një furrë tërë flakë e zjarr, e poshtë ishte e gjerë, e lartë e ngushtë, e ai ndëshkim u bëhej meshkujve e femrave – të zhveshur e të zhveshura, që fluturonin sa poshtë sa lart, nga gjendja e rëndë dhe e papërballueshme, dhe nga dënimet e llojllojshme. E, mbi të gjitha, i nderuari Muhamedi a.s. thotë: “Pashë se u hynte zjarri nga organet gjenitale dhe u dilte nga goja e tyre, dhe dënimi i tyre shtohej. Dhe, i habitur, e pyeta melekun Xhibril, i cili më shoqëroi: Kush janë këta dhe çfarë krimi kanë bërë që po ndëshkohen kaq rëndë dhe kaq poshtërueshëm? E ai më tha se Zoti më ka njoftuar se këta janë ata që ishin dhënë pas epsheve.
Ndjekja e epshit është cilësi e pabesimtarëve, por duhet të kenë kujdes edhe besimtarët, sepse çdokush që posedon këto cilësi posedon cilësitë e jobesimtarit.
Kjo cilësi është mbeturinë e politeistëve të mëhershëm dhe të atyre të sotëm. Epshi është si një plakë e shëmtuar nën vellon e bukur, që të tërheq me sipërfaqen dhe pasqyrën joreale, mirëpo me zbulimin e vellos vërehet shëmtia. Epshi është si shpata e cila duket e bukur e tërheqëse, mirëpo që të vret. Epshi është si libri me kopertina të zbukuruara, po brendia e të cilit është injorancë. Kurse, ndihmësi më i madh i epshit, i cili me përpjekjet e tij të vazhdueshme i urdhëron dhe i nxit njerëzit të bëjnë punë të liga, sjellje të pahijshme, të turpshme dhe të këqija, pa dyshim se është shejtani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here