Bërja synet ndërmjet peshores së Islamit dhe të mjekësisë-I

0
190

1. Pasqyrim historik rreth synetimit.

Disa burime historike tregojnë se popuj të lashtë e kanë njohur bërjen synet. Në ungjillin e Bernabës tregohet se njeriu i parë që ishte bërë synet ishte Ademi (alejhi selam) dhe se ai e kishte bërë këtë, pasi ishte penduar për ngrënien e pemës. Ndoshta pasardhësit e tij më vonë e kanë lënë këtë praktikë, derisa Allahu i Lartësuar urdhëroi Ibrahimin (alejhi selam) që ta ngjallë atë sërish; ashtu siç vërtetohet në hadithe të sakta, se Allahu i Lartësuar e urdhëroi Ibrahimin (alejhi selam) me këtë praktikë.

Në disa pllaka të gdhendura që i përkasin dy civilizimeve më të lashta, asaj babilonase dhe sumeriane (3500 para erës së re) përmendet në mënyrë të detajuar forma e bërjes synet. Një pllakë në varrin e Anak Amonit (2200 para erës së re) përshkruan edhe formën e bërjes synet te faraonët. Në këto shkrime tregohet se ata kanë përdorur melhem mpirjeje (si lloj kremi) para fillimit të tij dhe se janë bërë synet për qëllime shëndetësore.

Çifutët i kanë dhënë rëndësi të madhe bërjes synet. Telmudi (Teurati) e konsideron atë person që nuk është i bërë synet se është nga idhujtarët dhe të këqijtë. Në të thuhet: “Bëhuni synet për hir të Zotit dhe largoni nga zemrat tuaja pëlhurën (e mosbesimit) o burra jehudë dhe banorë të Orshlimit”.

Kurse te të krishterët bërja synet është esencë, pasi citatet e ungjillit të Bernabës tregojnë se Isai (alejhi selam) ishte bërë synet dhe i urdhëroi pasuesit e tij të bëheshin synet, por të krishterët bashkëkohorë nuk e praktikojnë dhe bërja synet nuk është pjesë e fesë së tyre. Ata të krishterë që e bëjnë këtë praktikë, e bëjnë për shkak të aspektit shëndetësor.

Arabët para Muhamedit (bekimi dhe paqja qoftë mbi të!), bëheshin synet duke pasuar traditën e paraardhësit të tyre, Profetit Ibrahimi, paqja qoftë mbi të.

Kurtubi përmend konsensusin (ixhmanë) e ulemave se Ibrahimi është i pari që ishte bërë sunet.

Transmeton Ebu Hurejre se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “I pari që është bërë synet ishte Ibrahimi, gjithashtu ai është i pari që i janë zbardhur flokët, i ka shkurtuar mustaqet dhe që i ka mënjanuar qimet nga vendet e turpshme”.[1]

2. Sunetimi në traditën e pastër profetike.

Islami në mënyrë të qartë ka bërë thirrje në bërjen synet duke e bërë atë një natyrshmëri njerëzore. Buhariu në koleksionin e tij shënon nga Ebu Hurejra se ka thënë: “Natyrshmëri janë pesë: bërja synet, rruajtja e pjesëve të turpshme, shkulja e qimeve nga sqetullat, prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve”.[2]

Thirrja islame për aplikimin e synetimit ka ardhur në pajtim me fenë e pastër (El hanifije) të Ibrahimit (alejhi selam) dhe pasuesve të tij.

I Dërguari i Allahut tregon për Ibrahimin (paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të!), ku thotë: “Ibrahimi është bërë synet, pasi i kishte mbushur tetëdhjetë vjeç”[3]

Kuthjem ibën Kulejb transmeton nga babai i tij, se ka ardhur një njeri te Resulullahu (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) dhe i tregoi se e kishte pranuar Islamin. Ai i tha: “Largoji nga vetja qimet e mosbesimit[4] dhe bëhu synet!”[5]

3. Dispozita islame rreth synetimit.

Ibën Kajimi thotë: “Dijetarët kanë disa mendime rreth bërjes synet. Euzai, Maliku, Shafiu dhe Ahmedi thonë se është vaxhib. Imam Maliku është më rigorozi, derisa ka thënë se ai që nuk është i bërë synet nuk lejohet të dalë imam dhe nuk i pranohet dëshmia. Por shumë dijetarë të tjerë, kanë përcjellë nga Imam Maliku se ka thënë është sunet (traditë profetike).

Kadi Ajadi thekson: “Bërja synet te Maliku dhe te shumica e ulemave është sunet, porse suneti tek ata nënkupton se lënësi i tij bën mëkat, pasi ata i thonë sunet një vepre e cila është ndërmjet obligueshmërisë dhe preferueshmërisë”.

Kurse Hasan Basriu dhe imam Ebu Hanifja kanë thënë se është sunet dhe nuk është vaxhib. Ata argumentuan me atë që tregohet se shumë nga njerëzit që pranuan Islamin nga koha e Profetit (salallahu alejhi ue selem) nuk u urdhëruan direkt me këtë vepër dhe asnjëri prej tyre nuk u kontrollua…”

Në fund të thënieve Ibën Kajimi shton: “Bërja synet nuk del jashtë asaj se është vaxhib apo sunet i fortë (muekede), por për burra është më e domosdoshme, pasi nëse nuk bëhet synet, tek ata mbetet një sasi urine dhe nuk plotësohet si duhet pastrimi, i cili është i kërkuar për muslimanin në çdo kohë dhe për çdo namaz.”

Neveviu thotë: “Bërja synet është vaxhib, për shkak të thënies së Allahut të Lartësuar: ‘Unë pasoj (ndjek) fenë e pastër të Ibrahimit’[6]. Dhe po të mos ishte e obliguar nuk do të lejohej zbulimi i auretit, pasi zbulimi i tij është i ndaluar dhe derisa gjatë bërjes synet lejohet kjo, atëherë nënkupton se është e obliguar (vaxhib)”.

Shumica e ulemave janë të mendimit se bërja synet nuk ka kohë të caktuar, por dijetarët që e konsiderojnë atë vaxhib kanë arritur në përfundim se afati më i largët për bërjen synet është puberteti (mosha madhore), pasi atëherë njeriu ngarkohet me dispozitat islame. Por preferohet që përgjegjësi ta kryej këtë proces kur fëmija është i vogël, pasi kjo është më lehtë dhe më mirë për të.

Imam Neveviu thotë se është i preferuar bërja synet kur foshnja mbushë shtatë ditë, duke aluduar në hadithin e Xhabir bin Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ku thuhet: “Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) ka prerë kurban për Hasanin dhe Husejnin (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) dhe i ka bërë synet në ditën e shtatë”[7]. Nëse foshnja është e dobët dhe nuk mund ta përballojë, atëherë më mirë është të shtyhet derisa të forcohet. Dispozita mbetet si e preferuar derisa të arrijë afër kohës së pubertetit, nëse nuk bëhet sunet para pubertetit, atëherë ajo kalon në vaxhib.

Për këtë, Ibën Kajimi thotë: “Tek unë është e obligueshme për përgjegjësinë e fëmijës që ta bëjë synet atë para moshës madhore, kështu që të arrijë ai këtë kohë duke qenë i bërë sunet dhe kjo çështje është nga gjërat që nuk mund të plotësohet vaxhibi vetëm se me të”.

Dr. Muhamed Ali el Barr thotë se studimet mjekësore vërtetojnë dobitë e shumta të bërjes së hershme synet të fëmijës, duke filluar në ditët e para të lindjes së tij, derisa t`i mbushë të dyzetat. Sa më shumë që të vonohet bërja sunet aq më shumë është i mundshëm infektimi në organ dhe në kanalet urinare.

Kurse, sa i përket urtësisë së bërjes synet, Ibën Kajimi thotë: “…Allahu i Lartësuar e obligoi bërjen synet si pasim i praktikës së fesë së Ibrahimit (alejhi selam). Kjo është jashtë dobive të tjera që i ka bërja synet, si: pastërtia, rregullimi, zbukurimi dhe përmirësimi i sistematizimin të epshit, pasi nëse njeriu nuk e korrigjon epshin e tij, atëherë bie në rang me shtazët. Njeriu i cili nuk është bërë synet, nuk ka mundësi të ngopet gjatë marrëdhënieve.

4. Bërja sunet është duke triumfuar.

Në vitin 1990, profesor Wizëili ka shkruar: “Isha një nga kundërshtarët më të mëdhenj të bërjes synet dhe në vitin 1975 jam angazhuar kundër aplikimi të tij. Por gjatë fillimit të viteve të tetëdhjeta dolën disa studime mjekësore që vërtetonin se infektimi te fëmijët e pabërë synet ishte më i madh se te të tjerët. Pas hulumtimit të studimeve që u botuan, arrita në përfundimin e kundërt me atë që mendoja. Pastaj fillova të bëja thirrje në atë se aplikimi i bërjes synet është i domosdoshëm për çdo të lindur.”

Po! Është rikthyer natyrshmëria njerëzore për ta vërtetuar rishtazi natyrshmërinë e cila nuk ndryshohet gjatë gjithë këtyre kohëve. Thirrja e profetëve, që nga koha e Ibrahimit (alejhi selam) deri në kohën e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), që besimtari të stoliset dhe ta formoj veten me këto cilësi të natyrshmërisë, është një thirrje e vërtetë dhe një thirrje për lumturinë dhe shpëtimin e njerëzimit në përgjithësi.

Përktheu: Alaudin Abazi

03.02.2007

[1] Transmeton Maliku dhe Buhariu, jo në librin e njohur të tij por në librin “Edebu mufred” dhe Bejhakiu në “Shuebi Iman”

[2] Shënon Buhariu nr.5439.

[3] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[4] Qimet e mosbesimit (kufrit) është për qëllim qimet e pjesëve të turpshme.

[5] Shënon Ahmedi dhe Ebu Daudi dhe hadithin disa nga muhadithinët e cilësojnë të dobët.

[6] Suretu Nisa, 125. Me këtë ajet muslimanët u urdhëruan ta pasojnë fenë e Ibrahimit (alejhi selam) dhe nga feja e tij ishte edhe synetimi.

[7] Transmeton Ebu Shejhi në kapitullin e akikës dhe haditi është i dobët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here