BERISHA: SHQIPËRIA NUK KA AMBICIE TERRITORIALE, VENDIMI I SHTETËSISË JO PËR QËLLIME ELEKTORALE

0
245

“Shqipëria është një vend që nuk ka asnjë ambicie territoriale dhe kjo është e prerë dhe e qartësuar. Përkundrazi, Shqipëria e ka shprehur në mënyrën më të përsëritur se vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve. Por, duke thënë këtë, askush nuk mund të mohojë që kombi shqiptar është i copëtuar në 5 shtete dhe ai që e mohon këtë fakt nuk i kontribuon stabilitetit”, u shpreh sot Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke folur në mbledhjen e qeverisë për vendimin mbi dhënien e shtetësisë shqiptare.

Sipas Kryeministrit, vendimi parashikon dhënien e nënshtetësisë ndaj çdo shqiptari dhe duhet të jetë me natyralizim, ndërsa për të huajt që duan nënshtetësi shqiptare, ata duhet të investojnë 200 mijë dollarë në vendin tonë.

“Kjo shtetësi për kriterin ekonomik do të jepet për ata që investojnë 200 mijë dollarë dhe këtë e faktojnë te organi tatimor. Këtë praktikë e ka Hungaria, Bullgaria, Mali i Zi dhe vendet e zhvilluara. Por ka një problem dhe kjo është Republika e Kosovës, pasi kemi të bëjmë me një shtet, konsolidimi i pavarësisë së të cilit, është interesi jetik i shqiptarëve. Ata janë në një proces të pyetësorit për marrjen e vizave kështu që kjo kërkon një ulje së bashku me ta për të përcaktuar modalitetet dhe rrugët më të përshtatshme të zgjidhjes së këtij problemi”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se, kjo nuk po bëhet për qëllime elektorale. “Vendimi do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. Nuk mund të ketë asnjë interferencë dhe nuk ka në mënyrë më absolute asnjë përpjekje më të vogël elektorale. Kjo është praktikë shumë e ndershme, me kusht që të mos përdoret për qëllime elektorale, sepse pastaj zbret nga interesi kombëtar tek interesi partiak”, tha Berisha.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se albanofobia është një problem për paqen dhe stabilitetin dhe kërkoi nga shtetet fqinje të çlirohen nga këto paragjykime. “U përpoqën të na bllokonin ndërtimin e Rrugës së Kombit pasi kishin frikën e bashkimit të shqiptarëve, por tani Rruga e Kombit po shtrihet deri në Nish dhe kjo nuk i kontribuon vetëm shqiptarëve por edhe serbëve. Kjo rrugë është thënë se do të ndërtohet nga BE dhe unë e përshëndes këtë. Ftoj fqinjët që të mirëkuptojnë në interesin më të mirë të tyre, kapërcimin e mosmarrëveshjeve njëshekullore të vendosur ndaj shqiptarëve. Prandaj kjo klauzolë kërkon përballje të përbashkët me opozitën dhe me partitë e tjera, sepse ne jemi një shtet”, shtoi Berisha.

Ai tha se, edhe minoritarët grekë që jetojnë në vendin tonë janë të pajisur edhe me pasaporta greke dhe nuk ka asnjë problem.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here