Bajrami dhe lamtumira

0
195

Falënderimi i takon Allahut që me dhuntitë e Tij plotësohen veprat e mira, me begatitë dhe bujarinë e Tij shtohen mirësitë dhe falen gabimet. Atë e lavdëroj për atë që udhëzoi, Atë e falënderoj për atë që ka dhënë. S’ka zot tjetër pos Tij, të Lartit dhe më të Lartësuarit. Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin për të zgjedhurin e Allahut, Profetin Muhamed, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Myslimanë të nderuar!

Duke e përmbyllur muajin tonë të bekuar, mysafirin e ndershëm, çdo mysliman agjërues në këtë muaj të bekuar në përcjelljen në ditën e fundit të tij, rrëqethen në gjoksin e tij dhembjet e dhembjet për ndarjen nga ky muaj madhor, në mendjen e tij sillen kujtime të bukura, veprime të lavdëruara, sjellje të drejta të cilat Krijuesi i ka regjistruar te Ai, mirësi të shumëfishuara, shpërblime të shumta ashtu siç brengoset për ato gabimet e lëshimet që kanë ndodhur nga pakujdesia ose për mundësitë e humbura.

Myslimani agjërues në çastet e fundit të këtij muaji me dhuratat dhe mirësitë e tij, duke i kujtuar ato kujtime të bukura parashtron pyetje të shumta, për disa prej tyre gjen përgjigje ndërsa hamendet për një pjesë të tyre.

Agjëruam këtë muaj dhe u falëm në të, a thua Allahu pranoi prej nesh? Këtë e synojmë dhe dëshirojmë, por ç’lidhje ka me këtë? Përse muaji po përmbyllet me ditën e gëzimit në të cilën gëzohen myslimanët meqenëse ata po ndahen nga muaji i agjërimit, i faljes së namazit, i bindjeve, mirësive dhe dhuratave? Me këto pyetje do të ndalemi në këto ndalesat e fundit:

Ndalesa e parë:

Allahu i Lartësuar e pasoi këtë muaj të bekuar me një ditë jo si ditët tjera, ditë që e ka bërë festë për myslimanët ta falënderojnë Allahun e Lartësuar për atë që u mundësoi atyre ti kryejnë adhurimet në këtë muaj të bekuar, të meditojnë në natën e tij se çka kanë depozituar nga veprat. Kush ka depozituar vepra të mira le ta falënderon Allahun e Madhërishëm dhe le të gëzohet me shpërblim të mirë, ngase Allahu nuk ia humb shpërblimin atij që ka bërë mirë, ndërsa kush ka depozituar vepra të këqija le ta përfundojë këtë muaj me pendim të sinqertë tek Allahu i Madhërishëm sepse Allahu ia pranon pendimin atij që pendohet.

Në natën e Bajramit është e ligjshme shqiptimi i tekbireve për Allahun e Madhërishëm kur të plotësohen numri i ditëve të agjërimit dhe ky tekbir fillon që nga perëndimi i diellit të natës së Bajramit e vazhdon deri në namazin e Bajramit. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (Bekare, 185)

Forma e tekbirit është kjo: Allahu ekber, Allahu ekber la ilahe il-la Allah. Allahu ekber ve lilahil hamd.

Tekbiri shqiptohet me zë duke shprehur madhërinë ndaj Allahut të Lartësuar dhe adhurimin ndaj Tij, falënderimin dhe mirënjohjen ndaj Tij. Tekbirin e shqipton në shtëpinë e tij, në treg, në xhami duke e ndier këtë dhikr madhështor. Po, vëllezër myslimanë, Allahu ekber (Allahu është më i Madhi) nga çdo gjë tjetër. Adhurimin nuk e meriton askush tjetër pos Tij duke shpallur njësimin e Tij La ilahe il- la Allah, duke e lavdëruar dhe falënderuar për të gjitha mirësitë e Tij.

Sa i bukur është ky tekbir i cili përsëritet dhe shqiptohet ndërmjet mureve të çdo qyteti dhe fshati, djajtë burgosen dhe largohen nga shtëpitë e besimtarëve.

Ky tekbir u mësohet djemve dhe vajzave, mrekullohen me të dhe u mbushen shpirtrat me të. Sa adhurim i bukur që është i cili i mbush rrugët, shtëpitë  dhe tregjet, shejtanit nuk i mbeten asnjë hyrje të depërtojë tek krijesat. Sa parullë e këndshme që është nëse ndërlidhet me Allahun e Madhërishëm!

Në ditën e Bajramit është përligjur edhe sadakatul – fitri para faljes së namazit të Bajramit siç kemi shpjeguar më parë.

Gjithashtu në këtë ditë përligjet edhe namazi i Bajramit. Është e rekomandueshme dalja e tërë familjes me qëllim që të prezantojnë të mirën dhe thirrjen e myslimanëve siç është transmetuar kjo nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të  mirëpo me edukatën e daljes dhe duke zbatuar në të ligjin e Allahut të Madhërishëm, femra të largohet gjatë daljes së saj zbukurimeve dhe zbulimit por duhet të jetë e veshur me veshjen islame duke pasur frikën Allahut të Lartësuar.

Prej veçorive të Bajramit: veshja e rrobave të reja, të shfaqurit me pamje të mirë e të bukur në të cilën shfaqem dhuntitë e Allahut të Lartësuar në krijesat e Tij si dhe myslimanët e kryejnë namazin e Bajramit me nënshtrim, shpresë, frikë, lutje dhe të përmendurit e Allahut të Madhërishëm.

Vëllai im mysliman!

Bajrami nuk është thjesht vetëm veshja e rrobave të reja por Bajram është me veshjen e së bukurës në dukjen e jashtme dhe stolisjen e aspektit të brendshëm dhe pastrimin e tij. E drejtë e myslimanit është që të gëzohet në këtë ditë, mirëpo mos të të bëjë gëzimi yt të harrosh përpjekjen tënde në përgjithësimin e atij gëzimi.

Është e drejta jote të gëzohesh me Bajramin, ta falënderosh Allahun e Lartësuar për këtë. Orvatu ti bartësh këto ndjenja tek vëllezërit e tu myslimanë, të cilët do të marrin pjesë edhe ata në Bajramin tënd. Duke e përjetuar këtë gëzim të Bajramit kujtoji vëllezërit e tu, të cilëve buzëqeshja iu është humbur nga buzët e tyre për shkak të përballimit së tyre me sprovat. Bëjë këtë ndjenjë të të preokupojë që t’i ndihmosh ata me aq sa ke mundësi e tua kthesh atyre buzëqeshjen e Bajramit.

Në ditën e Bajramit dhe gëzimit të lumtur, Bajrami mos të bën të harrosh adhurimin dhe bindjen tënde të cilën e kryer gjatë këtij muaji të bekuar, si rezultat i kësaj të dëfrehesh e luash ngase dëfrimi dhe loja jote mund të jenë prej gjërave të ndaluara ose të urryera siç bëjnë shumica, Allahu na udhëzoftë neve dhe ata, e t’u shkojnë veprat e tyre huq dhe të pendohen për to.

Ndalesa e dytë:

Myslimanët dje u gëzuan me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit për shkak se ai bart me vete mirësi dhe shpërblime kurse sot besimtarët pikëllohen për ndarjen dhe përcjelljen e tij. Besimtari shpreson se Allahu i Madhërishëm e ka bërë prej atyre që iu pranuan veprat dhe prej atyre që u liruan nga zjarri i xhehenemit. Shpresa është tek Allahu i Madhi, Ai është Falësi i Madh dhe i Gjithëmëshirshmi, i Buti dhe i Dhembshuri, i Cili e pranon pendimin nga robërit e Tij dhe ua fal shumë atyre.

Nëse e lamë muajin e Ramazanit dhe e përcollëm me agjërimin dhe faljen në të, Allahu i Lartësuar na i ka dashuruar këto vepra gjatë tërë vitit që të jenë argument për pranimin e agjërimit dhe namazit. Nëse agjërimi në Ramazan ka përfunduar, agjërimi gjatë ditëve të tjera të vitit nuk ka përfunduar. Adhurimi vazhdon derisa të vijë afati i caktuar (vdekja)

“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (Hixhr, 99)

Ndër llojet e agjërimeve të vërtetuara pas Ramazanit është edhe agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval siç është transmetuar në Sahihun e Muslimit, Allahu e mëshiroftë, ; agjërimi i tre ditëve të çdo muaji ku më të vlefshme janë ditët e bardha; agjërimi i ditës së Arafatit për atë që nuk është haxhi; agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte çdo jave, ngase në këto lloje agjërimi ka mirësi dhe vlerë të madhe që e di vetëm Allahu i Lartësuar.

Ndalesa e tretë:

Prej gjërave që e karakterizojnë këtë muaj të bekuar është edhe namazi i natës. Në këtë namaz myslimani edukohet në atë adhurim madhor që është Sunet në Ramazan, mirëpo falja e namazit të natës vazhdon të jetë e ligjshme në çdo natë të vitit. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, falej gjatë natës dhe u pyet lidhur me këtë, duke qenë se atij i janë falur mëkatet e mëparshme, ai thoshte: “E si të mos jem rob falënderues?”, kurse koha më e vlefshme për këtë namaz është pjesa e fundit e natës kur zbret Allahu i Madhërishëm në qiellin e kësaj bote. Vendosni me këmbëngulje të sinqertë nga zemrat tuaja për vazhdimin e kryerjes së këtyre adhurimeve do të gëzoheni dhe të jeni të lumtur në këtë botë dhe në tjetrën, do t’ju ëmbëlsohet jeta juaj, do t’ju forcohet besimi juaj, do ta takoni Zotin tuaj duke qenë i kënaqur me ju. Shpeshtoni shqiptimin e Tekbirit në natën e Bajramit që nga perëndimi i diellit e deri në namazin e Bajramit.   “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (Bekare, 185). Shqiptoni tekbiret në shtëpi, në rrugë, në tregje dhe xhamitë tuaja.

Falënderimi i përket Allahut i Cili na begatoi me dhuntitë dhe begatitë e Tij, na e mundësoi përfundimin e muajit me mirësinë dhe bujarinë e Tij. Secili prej nesh le të zotohet për vazhdimin e kryerjes së adhurimeve sepse shenjë e pranimit të veprës së mirë është të punuarit mirë pas të mirës.

Të angazhuarve dhe shpenzuesve të pasurisë dhe të kohës: mos u ndalni nga të punuarit mirë që t’ju pranohet ajo që keni ofruar.

Kërkuesve të faljes dhe lutësve: Vazhdoni lutjet, kërkimin e faljes dhe të përmendurit e Allahut të Lartësuar, ripërtërini pendimet tuaja sepse me to gëzohet Zoti juaj.

Secilit që është përshtatur me adhurimet le të vazhdojë me to sepse vepra më e vlefshme është ajo që kryhet në vazhdimësi.

Neglizhuesve të cilët nuk kanë përfituar nga ky muaj: dera e pendimit është e hapur, keqardhja për atë që kaluar trashëgon veprën e mirë për të tashmen dhe të ardhmen. Allahu i Madhërishëm është i Dhembshuri, i Gjithëmëshirshmi i Cili e pranon pendimin dhe fal të këqijat.

Vëllezër të nderuar myslimanë!

Shpeshtoni në fund të muajit pendimin dhe kërkimin e faljes sepse fryti i pendimit bashkë me nijetin e sinqertë për hir të Allahut është pranimi me lejen e Tij.

E lus Allahun e Lartësuar që të pranojë prej nesh Ramazanin, të pranojë prej nesh agjërimin, namazin dhe të gjitha veprat, të na i lartësojë shkallët, të na i fal të këqijat, t’i pranojë pendimet, t’i shlyejë gabimet tona. Atë e lus të na rikthejë Ramazanin për shumë kohë, të na e rikthejë atë ndërsa umeti islam të krenohet me ndihmën, krenarinë dhe ngadhënjimin, të na e rikthejë atë me falje mëkatesh dhe shpëtim të vazhdueshëm në fe, në këtë botë dhe në tjetrën.

Atë e lus të na forcojë me fjalë të qëndrueshme në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër.

Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve, falënderimi i takon Allahut që me dhuntitë e Tij plotësohen të mirat. Lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi Profetin tonë, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Përktheu: Almedin Ejupi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here