Baba, sa para i kam dhënë?!

0
206

Një fëmijë i vogël merr disa para nga prindi, pastaj i afrohet të varfrit dhe ia vë paratë në duart e tij. Pastaj kthehet te babai i tij dhe e pyet: “Sa i kam dhënë?”
Kjo është një pyetje e pastër, pa asnjë qëllim të fshehur.
Kjo është gjithashtu një pyetje relevante kur japim sadaka, por nëse e parashtrojmë atë pyetje, atëherë ekzistojnë katër përgjigje të tjera që janë akoma më të rëndësishme.
Çfarë i kam dhënë?
Sadaka jonë nuk është e kufizuar vetëm në gjërat materiale. Vëllezërit dhe motrat tona kanë nevojë për dashurinë, vëmendjen dhe për mbështetjen tonë emocionale aq apo edhe më tepër se ndihma jonë financiare.
Ndoshta nuk do të kemi gjithmonë ta japim atë që është e prekshme, apo nuk do ta kemi mu atë që kanë nevojë. Megjithatë, gjithmonë kemi mundësi që për ata të bëjmë dua dhe t’i ngushëllojmë, të bëjmë që të ndjehen mirë. Siç thotë një thënie e vjetër: “Njeriu nuk jeton vetëm nga buka”.
Pse i kam dhënë?
Nëse e jepni atë vetëm nga ndjenja e mirënjohjes ndaj Allahut, atëherë është më e mira. Nëse u jepni njerëzve ngase ndjeni që ashtu është e drejtë, ose për shkak të dhembshurisë për ata që janë në nevojë ose për shkak të dashurisë për të bërë atë që është e drejtë, ose për shkak se e kërkoni shpërblimin e Allahut në këtë dhe botën e ardhshme, këto e bëjnë dhënien tuaj shumë më të rëndësishme dhe më të vlefshme. Kjo është për shkak se ajo vepër kryhet sinqerisht dhe nga zemra.
Ndërsa nëse kemi për qëllim të jemi në qendër të vëmendjes, ta tregojmë statusin tonë, apo të shprehim superioritetin dhe fuqinë tonë, që njerëzit t’i bëjmë borxhli, atëherë nga ajo sadaka nuk ka asnjëfarë dobie.
Mu për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.” (el-Insan, 8-10)
Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për ne që të na frymëzojë të japim sadakë.
Si e kam dhënë?
Si e paraqite atë që jep? Si e paraqite veten si dhurues? A e bëre atë me dashamirësi dhe respekt? A jeni të përulur në sjelljen tuaj? A sillesh si mik? Apo ke qenë i dhunshëm? A ua kujtoni atyre atë që u keni dhënë lëmoshën apo shërbimin që ua keni bërë?
Kur ju jepni sadakë, atëherë atë duhet të bëni në një mënyrë të këndshme. Me buzëqeshje. Mos e shtri dorën ndërsa largohesh prej tyre, sikur ta konsideroni varfërinë një lloj sëmundje ngjitëse që mund të infektoheni nëse u afroheni.
Allahu lëvdon: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, pa e përcjellë atë me përgojim apo fyerje, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.” (el-Bekare, 262)
Mandej Allahu vazhdon duke thënë: “Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Butë (nuk nxiton në dënime).” (el-Bekare, 263)
Mandej ua tërheq vërejtjen: “O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit. Ai shëmbëllen me një gur të lëmuar të mbuluar me dhé, mbi të cilin bie shiu me rrebesh, duke e lënë të zhveshur. Ata nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë, se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.” (el-Bekare, 264)
Kur e kam dhënë?
Koha në të cilën i kemi dhënë dikujt sadaka, e bën akoma më të vlefshme. Kur i japim sadakë dikujt që gjendet në vështirësi dhe nevojë, ndihma jonë është akoma më e vlefshme. Ata kurrë nuk do të harrojnë çfarë kemi bërë për ta.
Gjithashtu, kur u jepni të tjerëve ndërsa edhe vetë jeni nevojtar dhe e ndani një pjesë të vogël të bukës që keni me një shpirt tjetër të uritur ose dhuroni monedhën e fundit nga xhepi i juaj për t’i ndihmuar ata, atëherë jeni me të vërtetë të suksesshëm.
Allahu e lavdëroi popullin e Medinës për ndihmën që iu ofruan muslimanëve të cilët ikën nga Meka, duke thënë: “Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (El-Insan, 9)
Ata që me të vërtetë janë bujar, japin nga pasuria e vete para se t’u kërkohet. Ato karakterizohen nga aftësia për të kuptuar nevojat e të tjerëve pa pasur nevojë që nga ata të kërkohet.
Rreth pyetjes: Sa kam dhënë?
Mund të jetë pak por në realitet e mjaftueshme. Allahu do të jep bereqet që një monedhë e vogël të duket si një mal parash. Sadaka më e mirë është bujaria ndaj të varfërve dhe ajo që jepet me kënaqësi të zemrës.
Allahu na jep një përshkrim shumë elokuent rreth sadakasë: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (el-Bekare, 261)
Sa herë që u jepni të tjerëve, edhe ju jeni ai që e pranon atë. Ju jepni pak, ndërsa merrni shumë. Çfarëdo që të jepni, është nga mëshira e Allahut që në radhë të parë ju ka dhënë juve. Dhe nga mëshira e Tij ju ka nderua dhe u mundësuar që t’u jepni atyre që janë në nevojë.
Bëni vepra të mira. Kurdo që të ndihmoni dikë, mos mendoni më kurrë rreth saj. Mos ia përmendni askujt, dhe assesi mos ua përmendni atyre që ju keni dhënë.
Ka vetëm një arsye për ta publikuar sadakanë tuaj publikisht dhe kjo është që të keni një qëllim të sinqertë për të inkurajuar të tjerët të japin. Zgjeroni kuptimin tuaj për atë çfarë do të thotë të japësh. Mos e kufizoni vetëm në gjëra materiale, por edhe me shoqërim, dhembshuri dhe respekt.
Autor: Selman el-Aude
Përkthim: Lutfi Muaremi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here