Argumente logjike mbi njohjen e ekzistencës së Zotit

0
193

Argumentet logjike të shoqëruara nga shembuj alegorikë, që do të shpalosen në vazhdim, për t’i dhënë një pasqyrim më të hollësishëm ekzistencës së Zotit – janë tërësisht në përputhje me arsyen e shëndoshë. Shembujt mund të jenë kompleks për ata që nuk meditojnë rreth tyre, por janë shumë të qartë nëse meditojmë rreth tyre dhe i qasemi në mënyrë analitike, pse jo edhe kritike.

Së pari duhet cekur atributi më i rëndësishëm i Zotit, që është Krijuesi. Ky atribut i Zotit, është qenësor, i përhershëm dhe i ngërthen në vete të gjitha atributet, cilësitë tjera që Krijuesi i posedon, të cilat e bëjnë një fuqi të përkryer absolute, të gjithëfuqishme.

Krijuesi krijon e nuk është i krijuar, ndërsa krijesa është e krijuar dhe nuk krijon! Është ky një parim universal dhe i përhershëm, i përcaktuar pikërisht nga Zoti i botëve.

Njeriu dhe askush tjetër nuk e kanë pasur, nuk e kanë, dhe as që do ta kenë ndonjëherë cilësinë dhe fuqinë e krijimit. Edhe me gjithë këtë aftësi mendore e fizike që i është dhënë njeriut, ai ende nuk ka arritur të krijojë diçka nga asgjëja.

Një person i cili nuk e pranon ekzistencën e Zotit, nuk mund ta shpjegojë ekzistimin e asnjë krijimi! Që ky pohim të vërtetohet, duhet të meditohet pasi të lexohet.

Parimi i kauzalitetit kundron se çdo pasojë (rrjedhim) e ka një shkak. Ky pohim është i saktë, por vlen vetëm deri tek shkaku i pashkak – Zoti.
Sikurse çdo gjë që ekziston të varej nga një shkak tjetër, dhe i njëjti parim të vlente edhe për Krijuesin, atëherë nuk do të kishim as edhe krijimin më të vogël.

1. Nëse marrim një bukë dhe pyesim se kush u bë shkak që ajo të vinte në atë formë?, patjetër se përgjigja do të jetë: faktor relevant i saj është mielli (në mënyrë që të jemi sa më konciz, nuk do të ceken elementet tjerë që bëjnë të mundur trajtat e caktuara të krijimit)!, prapë pyesim, nga erdhi mielli? – nga gruri!, po gruri nga doli, kush u bë shkak i tij?, – s’ka dyshim se shkaktar ishte toka, dhe pyetja e fundit që mund të shtrohet, është, nga erdhi toka, kush e krijoi atë? Për besimtarët përgjigja është shumë e qartë – atë e ka krijuar Zoti dhe vetëm Ai. Zoti është shkaktar i të gjitha shkaqeve, i Cili vet është i pashkak. Siç thoshte filozofi i njohur antik, Aristoteli: Lëvizësi i palëvizshëm – Zoti. Por ja që mosbesimtarët (ateistët) nuk ndalen me kaq, ata parashtrojnë pyetjen: Kush është krijues i Krijuesit?

Ata që në fillim nisen nga një pikë e gabuar, ngase njëherë pranojnë Krijuesin, më pastaj pyesin se kush e krijoi Atë, por harrojnë se si çdo send që ka karakteristikën e vet, edhe Krijuesi i ka karakteristikat/cilësitë e veta, njëra ndër të cilat është: I Përhershmi. Sigurisht që këto tentativa të tyre gjithnjë kanë dështuar dhe gjithherë destinim i tyre do të jetë dështimi i kulluar, ngase nisen nga një pikë mjaft e shëmtuar.

Njerëzit që fenomene shoqërore, natyrore e universale i shpjegojnë në mënyrë racionale dhe shkencore e kanë të qartë se Zoti është krijues dhe sundues i gjithësisë, ata janë të bindur se vetëm nën kompetencën e Tij është i mundur krijimi nga asgjëja.

Do të nisemi nga këndvështrimi i ateistëve për t’u kthyer në retrospektivë, që t’i kërkojmë shkaqet e shkaqeve të përkohshme. Por fillimisht pyetjes së ateistit, se çfarë ka para Zotit, do të përpiqemi t’i përgjigjemi përmes një postulati matematikor, nëpërmjet një dialogu të imagjinuar ndërmjet dy krijesave të Zotit me perceptime diametralisht të kundërta për Zotin.

Ateisti: Çfarë ka para Zotit?
Besimtari: Asgjë, Zoti ka ekzistuar përjetësisht!
Besimtari: Çfarë ka para njëshit (1)?
Ateisti: Zero (0)!
Besimtari: Sa bëjnë 1+0?
Ateisti: Një (1)!
Besimtari: Prapë po mbetet një! Zoti është një dhe i vetëm, asgjë nuk ka para Tij, sepse Ai është i Përhershëm.
Besimtari: Cili është numri i fundit?
Ateisti: Nuk ka numër të fundit!
Besimtari: Zoti është i pambarim. Sikur të kishte mbarim nuk do të quhej Zot.

Nëpërmjet këtij dialogu imagjinar, ndërmjet besimtarit dhe mosbesimtarit, kuptuam se Krijuesi na ka mundësuar që edhe nëpërmjet matematikës ta kuptojmë të ekzistuarit e Tij të përhershëm.

Marrim X1 dhe përpiqemi të gjejmë shkakun e tij, që është X2, shtrohet pyetja e radhës – kush u bë shkak që X2 të vinte në ekzistencë, natyrisht se X3, por nga erdhi X3, vetëm si rezultat i X4, dhe kështu arsyetimi vazhdon deri në Xn, por edhe më tutje, deri në infinit, në pafundësi.

Kuptuam se krijimi i X1 nuk do të realizohej asnjëherë pa krijimin e Xn, ngase ekzistenca e tij do të varej nga gjitha këto shkaqe të përkohshme..

Dhe çfarë do të ngjante atëherë!? Asgjë! Pikërisht asgjë! Sepse, në këtë rast, nuk do të kishim një varg shkaqesh të ekzistencës siç kemi tani, por një varg shkaqesh të mosekzistencës, me fjalë të tjera nuk do të ekzistonte as edhe grimca më e vogël, që deri në shekullin XX mendohej se është atomi! Pikërisht sepse secili shkak i përkohshëm po varet nga shkaqe të tjera, po ashtu të përkohshme, dhe ky proces shkon drejt e në pafundësi e regres, ndërsa regresi në këtë rast është i pamundur, pikërisht se në gjithësi ka progres, kemi një varg shkaqesh të cilat japin të kuptojnë se shkaku përfundimtar i ekzistencës së tyre nuk mund të jetë i përkohshëm por i përjetshëm, i përhershëm, ky është Krijuesi, fuqia Supreme.

Arritëm te përfundimi se ekzistenca jonë do të ishte e pamundur po mos të ishte Krijuesi dhe dëshira Tij që ne të ekzistonim.

2. Thamë se Krijuesi krijon, ndërsa krijesa nuk krijon. Mirëpo jo pse ne e thamë është kështu, por pikërisht se kështu është ne e thamë, ngase nuk kemi pse të themi ndryshe. Krijesa (në ketë rast, njeriu) nuk krijon, ai/ajo vetëm manipulon, modifikon apo i ndryshon trajtën një krijimi që tashmë veç ekziston, është krijuar nga Zoti.

Nëse pranë vetes kemi një veturë, nuk mundemi dhe as që do të ishte e pranueshme të mendojmë se atë e ka krijuar njeriu, pikërisht për faktin se për prodhimin e saj janë nevojitur një sintetizim i elementeve të ndryshme, prej të cilave hekuri ka rol dominues. Por hekuri nuk është produkt i krijimit të njeriut; ngase prejardhja e tij është nga shkëmbinjtë, të cilët janë krijuar nga Zoti jashtë këtij sistemi diellor, për arsye se fuqia që nevojitet për ndërtimin e elementit të hekurit duhet të jetë 4 herë më e madhe se fuqia e sistemit tonë diellor.

Po kështu edhe përçuesi, përcjellësi i rrymës. Përçuesi nuk e prodhon rrymën, por vetëm bëhet shkak që ajo të përcillet deri te një objekt i caktuar.
Pra, ajo që njeriu bën, nuk është tjetër veçse një reflektim i asaj që tashmë ekziston. Sikurse raporti i Diellit kundrejt Hënës. Hëna nuk prodhon dritë, ajo vetëm e reflekton dritën e rrezeve të Diellit. Po mos të ishte Dielli, Hëna as që do të shihej, do të ishte e mundur të ekzistonte, por nuk do të shihej.
Rikthehemi tek pyetja e ateistit, kush e krijoi Zotin?

3. Nëse do të thoshim se Zotin e ka krijuar një qenie tjetër, atëherë Zotit të njëmend po ia marrim atributin e Krijuesit dhe si rezultat ne Zotin, i Cili, i Vetmi, e posedon atributin e krijimit, e shndërruam në krijesë, ndërsa pohuam të vërtetën se krijesa nuk krijon. Si rrjedhojë vijmë në përfundim se po të ishte Zoti krijesë ne dhe asgjë tjetër nuk do të ekzistonim, sepse ai nuk do e posedonte cilësinë e krijuesit, veçori/cilësi e cila mundëson krijimin nga asgjëja.

4. Nëse imagjinojmë dy persona, të cilët janë drejtuar në shtëpinë e njërit prej tyre dhe pasi të kenë hyrë në shtëpi, pronari i shtëpisë çantën që mbante në krah e vendos në dysheme dhe për disa çaste del nga dhoma, ndërsa miku i tij ulet në një kolltuk. Ndërkohë, pronari i shtëpisë hyn në dhomë, e sheh mikun i cili, nga kolltuku që kishte qenë ulur më parë, kishte kaluar në dysheme, afër çantës së tij.

Ai as që hamendet apo pyet për mënyrën e kalimit nga kolltuku në dysheme, sepse e di se një nga karakteristikat e njeriut është që ai lëviz pa ndihmën e askujt (abstragojmë ndikimin e Zotit mbi të). Gjithashtu ai nuk çuditet as me çantën që ka qëndruar e palëvizur, sepse e di që një prej karakteristikave të saj është së ajo qëndron e palëvizshme, statike.

Pra, karakteristikë e Krijuesit është se ai krijon dhe nuk është i krijuar, Ai është i pari i pa fillim dhe i fundit i pa mbarim, është Qenie Absolute, e Përhershme. Në tërë qenien e njeriut është rrënjosur ky fakt. Filozofi i njohur Rene Dekarti, njëri prej përfaqësuesve më të njohur të dy pikëpamjeve/drejtimeve filozofike: dualizmit dhe racionalizmit, – mendonte se ideja për Zotin është e rrënjosur në tërë qenien e njeriut.

Në asnjë mënyrë njohja e Zotit nuk bën të kërkohet vetëm nëpërmjet shqisave, pikërisht sepse asnjëherë nuk mund të arrihet. Shqisat kontribuojnë në drejtim të njohjes së Zotit, por nuk janë faktor vendimtar. Falë shqisës së shikuarit ne vështrojmë krijimin madhështor të Zotit, por vetëm përmes mendjes mund t’ia japim vlerësimin e merituar një krijimi të caktuar.

Me njohje të Zotit nuk nënkuptojmë dijen mbi qenien e Tij esenciale, por të kuptuarit mbi ekzistencën e Tij reale.

Muhamet Krasniqi

Shënim: Kjo temë është publikuar në një rubrikë të lirë dhe materialet që publikohen në të nuk do të thotë se përputhen kurdoherë me ato që redaksia e Klubit Kulturor i di për të vërteta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here