Ajete të Kuranit rreth atributeve të Allahut të Lartësuar

0
210

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit dhe Mëshirëplotit.
Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve

Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Sunduesit të Ditës së Gjykimit.

Vetëm Ty të adhurojmë ne dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.

Udhëhiqna në rrugën e drejtë

Në rrugën e atyre të cilët i bekove Ti, e jo në rrugën e atyre të cilët tërhoqën zemërimin, e as të tyre që u devijuan.

(El-Fatiha 1:1-7)

Allahun e lavdëron çdo gjë që është në qiej dhe në tokë. Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.

Atij i përket sundimi i qiejve dhe i tokës. Ai jep jetë dhe vdekje dhe është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë që dëshiron.

Ai është i Pari dhe i Fundit, i Dukshmi dhe i Padukshmi dhe është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.

Është Ai që krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë kohëra, pastaj u vendos në Fron. Ai e di se çfarë hyn në tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngjitet në të. Ai është me ju kudo që të gjendeni. Allahu sheh gjithçka që bëni.

Atij i përket sundimi i qiejve dhe i tokës dhe tek Allahu do të kthehen të gjitha çështjet.

Ai e ndërfut natën tek dita dhe ndërfut ditën tek nata dhe është i Gjithëdijshëm edhe për gjërat që ka çdokush në kraharor.

Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe shpenzoni nga çdo gjë që Ai jua ka lënë në trashëgim, sepse për ata midis jush që besuan dhe shpenzuan (në rrugën e Allahut), ka një shpërblim të madh.

(El-Hadid 57:2-8)

Allahun e lavdëron çdo gjë që është në qiej dhe në tokë, Atij i takon sundimi dhe lavdia dhe është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë që dëshiron.

Është Ai që ju krijoi, megjithatë, ka edhe mohues edhe besimtarë ndër ju. Por Allahu e sheh mirë çdo gjë që bëni.

Ai i krijoi qiejt dhe tokën me të drejtë, ju formoi dhe ju dha forma të bukura. Tek Ai është kthimi.

Ai di çdo gjë që përmbajnë qiejt dhe toka, i di edhe ato që fshihni edhe ato që i bëni haptazi. Allahu është i Gjithëdijshëm për gjërat që keni në kraharor.

(Et-Tegabun 64:2-5)

Me të vërtetë, Allahu është Ai që bën farën dhe bërthamën të mbijë. Ai e nxjerr të gjallin prej të vdekurit dhe të vdekurin prej të gjallit. Ky është Allahu juaj, e ju ku po silleni?!

Ai çel agimet. Ai e bëri natën për pushim, ndërsa diellin dhe hënën për njehsim. Ky është caktimi i të Plotfuqishmit (dhe) të Gjithëdijshmit.

Është Ai që ka krijuar për ju yjet, që të udhëzoheni në errësirat e tokës dhe të detit. Ne ua kemi shpjeguar qartë shenjat Tona njerëzve që dinë.

Është Ai që ju krijoi prej një njeriu (nefsi) të vetëm. (Për ju) ka një vendbanim të përkohshëm dhe vend të përhershëm dhe të sigurt. Ne ua kemi shpjeguar qartë shenjat njerëzve që kuptojnë.

Është Ai që zbriti nga qielli ujë. Me anë të atij (ujë) Ne nxorëm sythat e çdo bime. Prej kësaj Ne nxorëm gjelbërim dhe nga ai nxorëm kokrra në kallinj, nga palmat rrëfane të ngarkuara e të dendura me hurma dhe hardhi rrushi dhe kopshte ulliri dhe shege, të ngjashme, edhe të ndryshme. Vështroni frytet e tyre kur formohen dhe piqen. Me të vërtetë, në këto ka plotë shenja për njerëz që besojnë.

Por ata i bënë xhindet si ortakë të Allahut, ndërkohë që Ai i ka krijuar ata. Pa pasur dije, ata i kanë veshur Atij djem dhe vajza. I pastër dhe i lartësuar është Ai mbi gjithçka që ia veshin ata.

(El-En’am 6:96-101)

Allahu! S’ka të adhuruar përveç Atij, të Përjetshmi (dhe) të Vetëmbajturi. Atë nuk e kap as dremitja e as gjumi. Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd, përveçse me lejen e Tij?! Ai di çdo gjë që gjendet para njerëzve dhe pas tyre. Kurse ata nuk mund të përfshijnë aspak diturinë e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Mbretëria e Tij shtrihet mbi qiejt dhe tokën dhe mbajtja e tyre nuk e lodh Atë. Ai është i Larti dhe Madhështori.

(El-Bekare 2:256)

Allahu është Ai, përveç të cilit s’ka të adhuruar tjetër. I dijshmi i së padukshmes dhe i së dukshmes. Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti.

Allahu është Ai, përveç të cilit s’ka të adhuruar tjetër. (Ai është) Sunduesi, i Shenjti, Paqja, Paqedhënësi, Mbikëqyrësi, Drejtuesi i çështjeve të prishura, i Plotfuqishmi (dhe) Krenari. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij.

Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Formuesi. Atij i përkasin emrat më të bukur, Atë e lavdëron gjithçka që gjendet në qiej e në tokë dhe Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.

(El-Hashr 59:23-25)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here