Agjërimi nuk është thjesht, uri dhe etje

0
179

“Kush nuk i lë fjalët e kota dhe veprimet sipas tyre, atëherë Allahu (xh. sh.) nuk ka nevojë për abstenimin e tij nga ushqimet dhe pirjet.” (Buhariu)

Shkruan: Jusuf Zimeri

Nga argumentet që shpijnë tek Madhëria dhe absolutizmi i Allahut (xh. sh.) është se ai nuk krijoi asgjë shkel e shko, e as nuk obligoi me diçka që prek integritetin e individit apo të shoqërisë. Allahu (xh. sh.) krijoi çdo gjë në formën dhe mënyrën më të përsosur, pastaj e sistemoi funksionimin e tyre në harmoni të plotë me natyrshmërinë e krijimit të çdo sendi. Krijuesi absolut krijoi njeriun, e nderoi atë nga të gjitha krijesat tjera, i premtoi lumturi në jetën e kësaj bote dhe i siguroi kënaqësi të paparë për jetën e botës tjetër, nëse ai veprimtarinë e vet e zhvillon komfor porosive të Tij. Jo vetëm që e dalloi nga krijesat tjera, por të gjitha krijesat tjera i sistemoi që të jenë në shërbim të qenies njeri, me të vetmin kusht që ai të respektojë urdhrat e Krijuesit të tij dhe me plotësimin e këtij kushti përfiton lumturinë në të dy botët dhe fiton kënaqësinë e Allahut fuqiplotë. Allahu (xh. sh.) thotë: “Perëndia është Ai që ju ka nënshtruar juve detin, që, nëpër të me urdhrin e Tij, të lundrojnë anijet, për t’i kërkuar dhuntitë e Tij dhe për të qenë ju mirënjohës. Dhe ju ka nënshtruar juve çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka këshilla për popullin që mendon.” (El Xhathije: 12-13)

Nga urtësitë e Allahut (xh. sh.) është se Ai ligjësoi dhe obligoi shumë gjëra për besimtarët islamë, përmes të cilave njeriu absorbon krahas dashurisë dhe kënaqësisë ndaj Allahut, edhe mirësitë e tij shpirtërore dhe fizike.

Në vazhdën e shumë obligimeve me të cilat Allahu (xh. sh.) e obligoi njeriun është edhe agjërimi i muajit të Ramazanit,  që është edhe shtyllë esenciale e Islamit. Dobitë dhe mirësitë e këtij obligimi islam janë të shumta për besimtarin islam edhe në rrafshin individual,  edhe në atë shoqëror.

Në vazhdim do të bëjmë përpjekje që përmes këtij shkrimi të sjellim disa nga urtësitë dhe të mirat e agjërimit.

Agjërimi, dëshmi për dallimin e njeriut nga krijesat tjera

Kur e shfletojmë Kurani Qerimin dhe i lexojmë ajetet që kanë të bëjmë me obligimin e agjërimit, me lehtësi konstatojmë se agjërimi nuk është obligim vetëm për ummetin e Muhamed Mustafasë (s.a.v.s.), porse kjo formë e adhurimit dhe kjo formë e komunikimit të njeriut me Krijuesin e tij ishte që nga krijimi i njeriut e deri më sot. Allahu (xh. sh.) thotë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve, për t’iu shmangur mëkateve.” (El Bekare:183)

Agjërimi në formën praktike realizohet atëherë kur besimtari islam heq dorë nga të ngrënët, nga të pirët dhe nga epshi seksual në një kohë mirë të sistemuar dhe me precizitetin më të lartë. Kjo formë e tërheqjes e bën njeriun më bindës që ai të mbajë një kontroll të plotë mbi ndjenjat e tij, mbi emocionet e kështu e bën të mundur që arsyeja (mendja) të mos u nënshtrohet gjithmonë ndjenjave dhe epsheve. Njeriu ka fuqi që të gjykojë, kur duhet ngrënë e kur jo, dhe këtë e bën me arsye të shëndoshë, e  kjo është cilësi njerëzore që e dallon njeriun nga krijesat tjera dhe, kjo është arsye e shëndoshë logjike që njeriu të zbatojë agjërimin.

Realizon kompletimin e adhurimeve, vetëm për Allah

Në anën tjetër, agjërimi sjell edhe dobi fizike apo shëndetësore, e aktivizon edhe ndjenjën e humanizmit ngase të përkujton skamnorët, të varfrit etj., por qëllimi i agjërimit nuk është ky. Nuk është ky,  ngase këto elemente janë njerëzore, kurse njeriu synon diç më shumë, synon që të ndërtojë vlerat me të cilat arrihet devocioni dhe kënaqësia e Allahut, e ky është qëllimi final që synon të arrijë besimtari islam përmes agjërimit. Se cili është agjërimi i kërkuar i besimtarit islam, dhe ku duhet synuar përmes agjërimit, këtë në mënyrë shumë precize dhe të thukët e shpjegon dijetari i madh islam Ebu Hamid Gazali në veprën e tij “Ihja ulumudin – Përtërija e shkencave fetare”.  Kur flet për urtësitë dhe sekretet e agjërimit, i cili ishte i brumosur nga argumentet autentike islame, kërkon që besimtari islam të mos ngelë në shkallën e agjërimit të përgjithshëm, por të kalojë në stadiumin e agjërimit të veçantë,  ku ndërtohen dhe kompletohen vlerat e adhurimit. Kjo nënkupton se gjurmët e agjërimit nuk guxojnë të jenë vetëm ato formale apo fizike, sepse nëse agjërimi nuk arrin të lë gjurmë të thella në besimin e besimtarit islam, në moralin e tij, në çiltërinë shpirtërore, në arritjen e devotshmërisë, atëherë ky agjërim sipas tij është steril dhe jo shumë i frytshëm. Këtë e vërteton edhe Allahu fuqiplotë kur në ajetin e agjërimit thotë: “që të arrini devotshmërinë”. Devotshmëria po të mos ishte një stadium me peshë për besimtarin islam, sigurisht se ai nuk të përmendej në Kuranin fisnik më shumë se dyqind e pesëdhjetë herë. Këtë synim e gjejmë edhe përmes haditheve të shumta të Pejgamberit (a. s.),  e në mesin e tyre edhe hadithi në të cilin Pejgamberi (a. s.) thotë: “Kush nuk i lë fjalët e kota dhe veprimet sipas tyre, atëherë Allahu (xh. sh.) nuk ka nevojë për abstenimin e tij nga ushqimet dhe pirjet.”  (Buhariu)

Përmes këtij hadithi,  por edhe përmes shumë haditheve tjera, e kuptojmë mesazhin e Pejgamberit (a. s.), i cili me zërin e urtësisë hyjnore na thotë:  Mos e bëni që agjërimi i juaj të jetë thjesht vetëm uri dhe etje; mos e bëni që falja e namazit të teravive të jetë thjesht vetëm lodhje dhe pagjumësi; mos e bëni që agjërimi juaj të jetë thjesht adet (traditë), por le të jetë adhurim. Agjërimi juaj le të jetë stigmatizim i mëkatit, i së shëmtuarës dhe i së keqes. Agjërimi  juaj le të jetë mburojë nga përgojimet, nga gënjeshtrat, nga shpifjet dhe nga thashethemet, sepse vetëm kështu arrihet devotshmëria – përmes adhurimeve në përgjithësi dhe agjërimit në veçanti.

Në bazë të tërë kësaj që thamë, konkludojmë se devotshmëria e arritur nga agjërimi krijon disiplinën shpirtërore te besimtari islam, e nxit egon e tij për një vetëdije dhe jetë të mirëfilltë që zgjon ndjenjat njerëzore, që ngre edukatën dhe përmirëson dëshirat që të përputhen me normat fetare dhe me proceset natyrore. Njeriu nëse është në gjendje ta kuptojë këtë realitet, atëherë pa mëdyshje arrin t’i ketë tiparet e devotshmërisë dhe të bëhet i denjë të udhëheqë dhe të qeverisë në tokë, dhe të bëhet i nderuar në dy botët.

Agjërimi,  pastrim dhe lartësim shpirtëror

Njeriu është qenie dualiste, tek e cila ndeshen interesat shpirtërore dhe materialiste. Që të dy këta komponentë njeriun e tërheqin nga burimet e veta, shpirti i ngjitet lart, drejt burimit të vet, nga Allahu (xh. sh.), kurse materia e tërheq njeriun nga burimi i tij, nga shtazëria, nga toka. Prandaj, agjërimi konsiderohet mjeti më efikas për të luftuar fuqinë e egër brutale të materies, shtypjen dhe robërimin e saj. Agjërimi është faktor shumë i rëndësishëm për t’iu kundërvënë asaj që e shtyp dhe e tjetërson njeriun.

Në mesin e mëkateve më të rënda,  e që konsiderohet burimi i të gjitha mëkateve,  është shfrenimi dhe dominimi i materies mbi shpirtin. Andaj,  në momentet e shfrenimit dhe dominimit të epsheve njeriu është i gatshëm të bëjë çdo gjë të keqe. Njeriu po të bëhet rob i pasioneve dhe materies,  për të më nuk ekzistojnë kurrfarë vlerash. Agjërimi islam u obligua si bar efikas kundër shumë ndyrësive shpirtërore, e veçanërisht kundër pasioneve shtazarake. Për këtë me të drejtë imam Gazaliu për agjërimin thotë:   “Agjërimi është pastrim i shpirtit dhe i trupit.”

Këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit (a. s.):  Kur një ditë sahabiu i nderuar, Ebu Umame, iu drejtua duke kërkuar nga Pejgamberi (a. s.) që ta urdhërojë me një vepër që është shumë e dobishme në këtë botë dhe e shpërblyer tek Allahu (xh. sh.), Pejgamberi (a. s.) kërkesës së tij iu përgjigj duke i thënë: “Agjëro, se ai nuk kompensohet me asgjë.” Këtë kërkesë Umamja e përsëriti edhe një herë e Pejgamberi (a. s.) sërish i tha: “Agjëro, se vërtet agjërimit nuk i përgjigjet asgjë.” Umamja kërkoi edhe për herë të tretë,  e Pejgamberi edhe herën e tretë e këshilloi sikur dy herave të para.  (Nisaiu)

Agjërimi, shkollë e durimit (sabrit)

Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejreja,  i dërguari i Allahut (s.a.v.s.) na e mëson edhe vlerën e agjërimit në aspektin edukativ, duke thënë: “Për çdo send ka pastrim (zeqatë), kurse pastrimi i trupit është agjërimi; agjërimi është gjysma e sabrit (durimit).”  (Ibni Maxheh)

Një nga faktet e pakontestueshme është se njeriu në veten e tij,  përveç tjerash,  posedon edhe këto tri fuqi, që janë: fuqinë e epsheve, fuqinë e hidhërimit, fuqinë shpirtërore.

Prandaj, nëse arrin që fuqia shpirtërore të mbizotërojë mbi dy të tjerat, atëherë arrihet gjysma e sabrit. Me anë të agjërimit arrijmë të kontrollojmë fuqinë epshore dhe kështu arrihet fryti i kërkuar. Islami nuk është fe e dorëzimit, e indiferencës dhe e plogështisë shpirtërore, porse fe e inkurajimit, e luftës kundër epsheve, kundër pasioneve dhe padrejtësive në jetë. Prandaj faktor shumë primar për njeriun që të hyjë në luftë me armikun është durimi dhe bindja e fuqishme e bashkangjitur me dëshirën e flakët. Njeriu, nëse nuk ka durim t’i luftojë vetitë e tij të liga në qenien e vet, atëherë si do të ketë durim dhe përgatitje për të luftuar armikun?! Me anë të agjërimit bëhet luftimi i epsheve, i bindjeve të liga dhe luftimi i djallit, i cili shpie në vepra të liga. Me anë të agjërimit njeriu në momentet e paqes dhe të lumturisë mobilizohet me moralin e durimit, që e fuqizon besimtarin islam në momentet e jashtëzakonshme dhe sfiduese.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here