Abdesi, ja disa nga dobitë e tij për shëndetin

0
457

“O ju që keni besuar. Nëse ngriheni për të falur namazin, lani fytyrën dhe duart deri në bërryle dhe fshini kokën (jepi mes’h) dhe lani këmbët deri në nyje.” (Maide, 6)

Shumë dijetarë myslimanë janë përpjekur të nxjerrin dobitë dhe të mirat prej obligimeve të caktuara prej Zotit dhe ndikimin që ato kanë si nga ana shpirtërore ashtu edhe trupore.

Një prej këtyre obligimeve është edhe abdesi, larja e një pjese të trupit, pra pastërtia. Profeti (a.s) në një thënie të tij thotë: “Pastërtia është gjysma e besimit…” që do të thotë gjysma e besimit të plotë të përbërë nga deklarimi me gojë, pranimi me zemër dhe nga veprat e gjymtyrëve. Qëllimi në këtë rast ka kuptimin material dhe shpirtëror që përfshin gjysmën e parë të besimit, e në një tjetër thënie thuhet: “Plotësimi i abdesit është gjysma e besimit”.

Kjo pastërti e detyrueshme (abdesi) është trupore (materiale) dhe moralo-shpirtërore, ku morale ka si qëllim ta pastrosh zemrën nga sëmundja e zilisë, ligësisë, mendjemadhësisë, hipokrizisë, smirës, etj… Ndërsa trupore; ky obligim fillon me larjen e fytyrës, e cila është “fasada”, pamja e parë e njeriut apo pasqyra që tregon për një trup të shëndoshë fizikisht dhe shpirtërisht, si dhe është pjesa që preket më shpejt nga infeksionet …

Por, është tradita profetike që vjen për të na i sqaruar dhe plotësuar kushtet e abdesit. Profeti (a.s) na treguar mbi vlerat e tij (abdesit) teksa thotë: “Kush e plotëson abdesin i falen mëkatet e mëparshme dhe të mëvonshme”, apo “Kur muslimani merr abdes, i dalin mëkatet e të dëgjuarit, të të parit, mëkatet e trupit e të gjymtyrëve dhe nëse ulet, ulet i falur nga çdo mëkat”.

Çfarë thotë mjekësia për abdesin?

Abdesi fillon me larjen e duarve, e me anë të tyre pastrohen gjymtyrët e tjera, sepse një fillim i mirë është shëndet, e më pas vazhdon me larjen e gojës duke bërë dhe gargarë. Dihet se goja përmban të gjithë faktorët ndihmues dhe të përshtatshëm që ndikojnë në zhvillimin e mikrobeve të ndryshme, sepse ajo është gjithmonë e lagësht, dhe me një nxehtësi të përshtatshme për t’u zhvilluar mikrobet nga mbeturinat që kanë mbetur gjatë të ngrënit apo të pirët. E për rrjedhojë, kemi shfaqjen e erës së keqe në gojë, si rezultat i fermentimit të ushqimit në të. Është gargara ajo, që kur bëhet me ujë të pastër i pastron mbetjet e ushqimit, për vetë faktin se uji për nga përbërja e tij kimike, nuk lejon zhvillimin e mikrobeve, e kur ne e përdorim atë shpesh sidomos si gargarë, luan një rol mjaft pozitiv në pastërtinë e gojës, ndërsa vetë gargara forcon muskujt e fytyrës, e të nofullës në veçanti.

Më pas vjen radha e pastrimit të hundës, e kjo duke e thithur ujin në fillim, e pastaj duke e nxjerrë.

Një grup studiuesish nga fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Aleksandrisë, në Egjipt, u morën me një kërkim shkencor për të zbuluar lidhjen e abdesit me shkencën nga ana shëndetësore. Ata zbuluan se në përgjithësi tek ata që nuk marrin abdes, brendësia e hundës është në ngjyrë të bardhë në gri (si e thinjur), e yndyrshme, e lëmuar, që tërheq për në brendësi lagështirën dhe petësa si zbokth. Kurse ata që përdorin abdesin, hundën në brendësi e kanë të shkëlqyer dhe të pastër, pa lagështirë e zbokth.

Pas vëzhgimeve me anë të mikroskopit, u vu re se mikrobet e hundës tek ata që nuk falen (pra që nuk marrin abdes), janë të shumta dhe e kanë përfshirë të gjithën. Ndërsa tek ata që marrin abdes, u panë shumë pak, për të mos thënë asnjë mikrob. Kjo tregon që të shpëlarit e hundës rregullisht ndikon në shëndet, e kur ajo bëhet tri herë është edhe më e mirë (siç citohet edhe në Traditën Profetike).

Pra, në shpëlarjen e parë, pastrohen gjysma e mikrobeve që gjenden në hundë, në të dytën akoma edhe më shumë e kështu e fundit e pastron totalisht. Pasi kalojnë disa orë hunda përsëri kthehet në gjendje të papastër dhe kërkon që të pastrohet… Ky është edhe një prej sekreteve të shpërndarjes kohore të faljes së namazit, që shoqërohet edhe me marrjen e abdesit…

Më pas vjen larja e duarve deri tek bërrylat. E këto janë gjymtyrët që përdoren më shumë, si në të ngrënë, të pirë, të takimit dhe të prekjes e të kryerjes së punëve të ndryshme…

Është e domosdoshme që duart të jenë të pastra. Kur uji prek lëkurën në ato vende, ai ndikon në qarkullimin e gjakut, si dhe nuk lejon kontraktimin e venave të gjakut apo edhe zgjerimin e tyre në bazë të temperaturës së ujit dhe kohës që ai rri në të (gjymtyrë), në kontraktimin e muskujve etj…Por më pas kthehemi përsëri në mbulimin e tyre (gjymtyrëve) me anë të rrobave të prodhuara nga fije sintetike që edhe këto janë të prodhuara nga përbërës si vajra e bojra të ndryshme, gjëra që mund t’i japin lëkurës alergji apo forma të tjera të dëmshme për të. Sepse nga kontakti i tyre (rrobave) me lëkurën e thatë krijohen ngarkesa elektrike e këto shtrihen pastaj në të gjithë sipërfaqen e trupit e më pas ndodh shkëndija elektrike, që shkakton dëme në trupin e njeriut, e shkenca vazhdon të merret me kërkimin e këtij fenomeni dhe është uji ai që e shpëton trupin nga kjo gjë…

Jepi mes’h (fshij me dorë) kokës: kjo është baza e tretë tek abdesi. Kjo lëvizje, pra, duke fshirë kokën me duar, ndikon tek muskujt e sipërm të trupit, por ndikimi më i madh bie tek muskujt nga balli tek zverku (qafa) ku hyjnë edhe muskujt sipërfaqësor të kafkës. Për këtë Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Fërkojeni (fshijeni) me duar kokën vajtje – ardhje, duke filluar nga balli apo nga pjesa e përparme e kokës deri tek qafa, pastaj kthehesh nga qafa për tek pjesa e përparme e kokës”. Ky fërkim dhe kjo lagështirë e lehtë nuk lejon kontraktimin e këtyre muskujve dhe gjithshtu largon edhe dhembjen e kokës. Një tjetër dobi e abdesit për njeriun është se, kur ai është i mërzitur apo i hidhëruar, ai duhet ta fërkojë kokën me duar të njoma, pra t’i japë mes’h e jo ta lajë atë plotësisht. Sipas traditës profetike, larja e fytyrës dhe e gjymtyrëve të tjera përsëriten tri herë, ndërsa në rastin e kokës, bëhet vetëm një herë. Dhe kjo sepse dhembja e kokës shkaktohet nga ngjeshja e gjakut në tru dhe ky akumulim çon në presionin e palcës kurrizore e për rrjedhojë shkakton deri në paraliza të ndryshme… Dhe vjen ky fërkim i lehtë i kokës me duar të njoma, duke liruar kontraktimin e muskujve të kafkës dhe qarkullimin normal të gjakut e për rrjedhojë, edhe lehtësimin e dhembjes së kokës.

Abdesi përfundon me larjen e këmbëve deri tek njyjet. Dhe kjo tregon edhe njëherë mbi rëndësinë që Islami i jep pastërtisë. Këmbët janë ato që janë të predispozuara të kenë më shumë mikrobe, se prekin gjithmonë tokën, apo janë në këpucë, e djersa dhe pluhurat shkaktojnë infeksione të ndryshme të lëkurës, e në mes gishtave në veçanti. Larja e tyre pesë herë në ditë, duke i fërkuar mirë, ndikon që të largohen papastërtitë që mblidhen në të. Një tjetër dobi e larjes së këmbëve është sepse vë në lëvizje muskujt e këmbëve, e të kofshës në veçanti, si dhe normalizon qarkullimin e gjakut në vena, forcon kyçet, gjunjët, etj…

E pra, zbulimet mjekësore nuk janë të vetmet që ndikojnë tek një mysliman për të marrë vazhdimisht abdesin, por është përkushtimi shpirtëror e zbatimi i fesë që ka një ndikim të madh. Përfitimi më i madh është se për çdo mysliman të devotshëm e të sinqertë, por që është edhe me abdes, falen e luten engjëjt, deri sa atij t’i prishet abdesi. Dhe është vetë Profeti ynë (a.s.) që thotë: “Çelësi i Xhennetit është namazi dhe çelësi i namazit është abdesi”, apo në një thënie tjetër kur ai (a.s.) është shprehur: “Kur myslimani merr abdes, gjatë larjes së fytyrës i largohen bashkë me ujin e abdesit që rrjedh edhe çdo gabim që ka bërë me sy. Gjatë larjes së krahëve, çdo gjynah i vogël i bërë me duar derdhet bashkë me pikat e ujit. Kështu ai e plotëson abdesin e vet i pastruar prej gjynaheve të vogla.”

Kështu, ne gjithmonë duhet të kujtojmë, se abdesi është arma e besimtarit, pastërtia është kusht i besimit dhe se Allahu i Lartësuar i do ata që janë pendues dhe të pastër.

“O ju që keni besuar! Allahu nuk dëshiron t’ju shkaktojë vështirësi, por t’ju bëjë që të jeni të pastër dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij për ju…” (Maide, 6)

“Dijeni se Allahu i do edhe ata që pendohen edhe ata që pastrohen…” (Bekare, 222)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here